Një emërim i ri që lidhet me familjarë të njerëzve kryesorë të qeverisë ka ndodhur së fundi në ekzekutivin e udhëhequr nga Albin Kurti.
Më 5 gusht të këtij viti, Alban Krasniqi, bashkëshorti i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu është emëruar këshilltar i jashtëm politik i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, raporton Gazeta10, që e ka siguruar vendimin.
Në pikën 3 të vendimit, thuhet se mandati i Krasniqit tek MAPL zgjatë deri sa të pushojë mandati i ministrit aktual. Ndërkohë, në pikën 4 të vendimit thuhet se Krasniqi nuk do të paguhet nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe “nuk shkakton shpenzime për Buxhetin e Kosovës”.
“Të ardhurat mund të sigurohen përmes donatorëve të ndryshëm të jashtëm të cilët mund të ofrojnë përkrahje të tillë konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim. Por, përjashtim te pagesa bëhet duke u thirrur në Rregulloren për Përgjegjësitë Administrative të Zyrës së kryeministrit dhe ministrave, ku thuhet se “nëse eprori e sheh të arsyeshme mund ta autorizojë pjesëmarrjen e Këshilltarit të jashtëm në ndonjë udhëtim zyrtar jashtë vendit dhe me këtë rast shpenzimet e udhëtimit do të mbulohen nga buxheti i institucionit, në qoftë se nuk mund të sigurohet financim tjetër.”
Alban Krasniqi dhe Albulena Haxhiu nuk i janë përgjigjur thirrjeve të vazhdueshme të dielën, por ministri Elbert Krasniqi e ka hapur telefonin.
“Është ditë vikendi. Bëni pyetjet me shkrim dhe ju përgjigjet kabineti”, ka thënë ministri Krasniqi për Gazeta10.
Alban Krasniqi është aktivist i kahmotshëm i Vetëvendosjes dhe ka marrë pjesë në shumë protesta e aksione të partisë në pushtet. Ai njihet për debate të forta online me kundërshtarët e Vetëvendosjes, dhe ka qenë kandidat për kryetar të Malishevës, ku ka përfunduar i katërti, duke mos shkuar në balotazh./Gazeta10