EKSKLUZIVE: Kosova mbetet jashtë agjendës së Këshillit të Evropës këtë vit – anëtarësimi në udhëkryq (Dokument)
Lajmi për deponimin e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në maj të këtij viti u përcoll me shumë interes kudo. Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, momentin e aplikimit e pati konsideruar hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën.
“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovës në KiE, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, pati deklaruar Gërvalla, raporton Gazeta 10.
Por nga 12 maji i 2022 kur u deponua dosja e aplikimit, asgjë nuk ka lëvizur në Këshillin e Evropës në Strarburg.
Gazeta 10 mëson eksluzivisht se “tema e aplikimit të Kosovës në KiE nuk ka hyrë deri më tani në asnjë agjendë zyrtare të takimeve pos atyre bisedave nëpër korridoret diplomatike’.
Shpresat e Kosovës ishin ngritur për mundësinë e futjes në agjendën zyrtare të takimeve të zëvendësve të Këshillit të Ministrave me 5 tetor 2022, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Gazeta 10 ka siguruar ekskluzivisht agjendën e këtij takimi por Kosova nuk figuron në asnjë pikë të saj.
“Aty është diskutuar për Qipron, Gjeorgjinë, luftën Rusi-Ukrainë, Turqinë dhe tema të tjera por jo edhe për Kosovën dhe kërkesën e saj për aplikim”.
Njohësit e afërt me këto zhvillime janë pak optimist se këtë vit do të hyjë për diskutim në agjendën zyrtare të KiE-së tema e anëtarësimit të Kosovës. Një pengesë e fortë aty, thonë burimet, është ende Franca e cila nuk është shumë e bindur për përshpejtimin e këtij procesi, raporton Gazeta 10.
Ministria e Punëve të Jashme e Kosovës në Prishtinë nuk është përgjigjur në interesimin e mediumit tonë.
Zëvendësministri i jashtëm, Kreshnik Ahmeti nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike të Gazetës 10 dhe nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.
Ministrja Donika Gërvalla, e shoqëruar nga diplomatë të Kosovës zyrtarisht e kishte dorëzuar kërkesën për anëtarësim me 12 maj 2022, në selinë e KiE-së në Strasburg.
Nga ajo ditë, pak është folur në publik, e duket që edhe më pak është punuar në avancimin e këtij procesi./Gazeta10