Demokracia.com ka raportuar sot se Presidenca e Kosovës ka nënshkruar kontratë për shërbime emergjente postare për nevojat e këtij institucioni.
Sipas tenderit të publikuar në Prokurimin Publik, kontratën e ka fituar kompania A.L. Dushi SH.P.K.
Pronare e kësaj kompanie është Xhylizare Selimi-Dushi për të cilën Demokracia.com ka mësuar se ajo është shoqe e afërt e Blinera Osmanit, motrës së të parës së shtetit, por ka miqësi edhe me vetë presidenten Osmani.
Në fotografitë që ka siguruar Demokracia.com, motra e Osmanit shihet nën shoqëri të afërt me Xhylizare Selimi-Dushi.
Po ashtu, me Selimi-Dushin ka fotografi të përbashkët edhe vetë presidentja Vjosa Osmani. Ato shihen duke pirë kafe e çaj nën shoqërinë e njëra-tjetrës.
Demokracia.com ka raportuar se kompania e shoqes së Osmanit, A.L Dushi SH.P.K., do të përfitojë 6 mijë e 500 euro për këtë kontratë, vlera e së cilës ishte parashikuar për 9 mijë e 900 euro.
Sipas dosjes së tenderit, kompania që e ka fituar këtë tender do të bëjë dërgesat e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë, Amerikë, Kanada, Azi dhe Afrikë.
“Shërbime postare emergjente për nevojat e ZPRK-së. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë për 0-0.5 kg, sasia 100. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë për 0.6 -1 kg, sasia 20. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Amerikë – Kanada për 0-0.5 kg, sasia 80. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Amerikë-Kanada për 0.6 -1 kg, sasia 10. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Azi – Afrikë për 0-0.5 kg, sasia 20. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Azi – Afrikë për 0.6 -1 kg, sasia 8”, thuhet në dosje, raporton Demokracia.com.
Siç figuron në ARBK, biznesi me të cilin e ka fituar këtë tender, si veprimtari sekondare ka larjen (pastrim kimik) dhe tharjen e tekstileve dhe produkteve të gëzofit, ndërsa si veprimtari të tjera ka edhe rritjen e gjedheve për qumësht, rritjen e deleve dhe dhive, si dhe rritjen e kafshëve të tjera.
Nëse hulumtohet në rrjetet sociale për kompaninë fituese të tenderit nga Presidenca, del që A.L.Dushi SHPK rëndësi të madhe i jep pastrimit kimik. Aty nuk mund të gjendet diçka që ka të bëjë me shërbime postare.
“A.L.Dushi Pastrim Kimik & Lavanderi”, profili në Facebook, shfaq postime për larjen dhe pastrimin e rrobave, derisa aty shfaqet edhe pronarja Xhylizare Selimi-Dushi. Pronarja e A.L.Dushi SHPK flet për rëndësinë e pastrimit kimik në një publikim të bërë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), bankë kjo që e ka ndihmuar kompaninë e saj.
Sipas tenderit të publikuar në KRPP, kontrata është valide për 24 muaj. /Demokracia.com/