fbpx
Lajme

Ekskluzive: Prokuroria nis hetimet për autostradën e Gjilanit ku u “avulluan” 379 mijë euro

Një tjetër telashe duket se i ka dalë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me ligjin.

Prokuroria Speciale ka nisur hetimet nën dyshime për korrupsion në një tjetër projekt që po realizohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila drejtohet nga ministri Liburn Aliu dhe zëvendësministri, Hysen Durmishi.

Bëhet fjalë për një kontratë që është duke u realizuar tek ndërtimi i rrugës që njihet si “Autostrada e Gjilanit” e për të cilën ka raportuar Periskopi.

Për ndërtimin e rrugës 22-kilometërshe janë të nënshkruara tetë kontrata (lote) dhe po punohet në po aq segmente.

Në janar të këtij viti, Periskopi ka publikuar një shkrim ekskluziv në titull “Dyshime se me faturë të falsifikuar, u avulluan 379 mijë euro në Ministrinë e Liburn Aliut”.

Periskopi ka raportuar se në vitin e kaluar, Ministria e Infrastrukturës, dyshohet se ka bërë një pagesë fiktive në llogari të kompanisë “2AGroup”, në emrin e disa punëve të kryera në projektin e Autostradës së Gjilanit.

Dyshohet se kompania ka ofruar një faturë të falsifikuar duke e mashtruar Ministrinë për një vlerë prej 378, 951. 39 euro për rimbursim, ani pse nuk e ka kryer asnjë punë, për më tepër as nuk kanë ekzistuar punë të tilla që duhet të kryhen për atë që njihet si ‘situacion’.

Burime të Periskopit kanë mësuar se tashmë Prokuroria ka nisur një hetim rreth kësaj çështje. Fillimisht, policia e krimeve ekonomike ka marrë të gjitha faturat e paguara për lot 4 nga Ministria e Infrastrukturës, dhe më pas Prokuroria ka angazhuar disa ekspertë të Universitetit të Prishtinës për të bërë matjet në terren.

Mësohet se fakulteti ka caktuar tre profesorë- asistentë: Premtin Thaqi, Fidan Salihu dhe mësimdhënësi Fisnik Loshi.

Periskopi ka kontaktuar me Premton Thaqin. Ai ka pohuar se nuk mund të flasë pa autorizimin e Prokurorisë, pasi sipas tij, lënda ndodhet në ekspertizë.

“Kërkoni qasje në Prokurori, nëse ata u lejojnë, mund të flas për këtë çështje”, ka thënë ai shkurt.

Periskopi ka kërkuar nga Prokuroria të dijë se deri në cilën fazë kanë shkuar hetimet, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Çka raportoi Periskopi?

Më 25 janar 2023, Periskopi ka raportuar se një aferë korruptive që peshon hiç më pak se 379 mijë euro, dyshohet se ka ndodhur në Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës -MMPHI e cila drejtohet nga z. Liburn Aliu.

Përmes sinjalizuesve, Periskopi ka mësuar se në vitin e kaluar, Ministria e Infrastrukturës, ka bërë një pagesë fiktive në llogari të kompanisë “2AGroup”, në emrin e disa punëve të kryera në projektin e Autostradës së Gjilanit.

Dyshohet se kompania ka ofruar një faturë të falsifikuar duke e mashtruar Ministrinë për një vlerë prej 378, 951. 39 euro për rimbursim, ani pse nuk e ka kryer asnjë punë, për më tepër as nuk kanë ekzistuar punë të tilla që duhet të kryhen për atë që njihet si ‘situacion’.

Duke parë se fatura ishte nënshkruar edhe nga zyrtari i saj, menaxheri i kontratës, Nebi Luzha, Ministria ka bërë pagesën në konton e kompanisë.

Periskopi ka publikuar certifikatën, faturën dhe atë që njihet si ‘situacion’ për këtë pagesë, e cila për nga numri është radhitur si ‘situacioni nr XIII.’

Dokumentet, ku shihet shuma 379 mijë euro, flasin edhe për një pasaktësi dhe shihet më sy të thjeshtë që janë të çrregullta.

Për shembull, situacioni i parafundit që është lëshuar më datë 2.12. 2121 është në vlerë 505, 998.66 euro.

Siç shihet në certifikatë, këtij kësi nuk i është zbritur fare avanci në vlerë prej 15 për qind që del te jetë 84, 499. 67 euro, pasi në certifikatë shihet se është rubrikë e zbrazët (bazuar në rregullat e kontratës, avanci në vlerë prej 15 %  i është lëshuar kompanisë për totalin përfundimtare të shumës së kontratës)

Po sipas kontratës, për secilin situacion duhet të zbritet avanci prej 15 për qind të cilin e ndalë ministria dhe në pagesën përfundimtare bëhet barazimi.

Bazuar në formularin e atyre që njihen si ‘situacione’ shuma totale e situacionit të fundit më datë 19.05.2022 figuron në shumë prej 6. 477.161.77 euro (mbi 6 milionë euro) është më i vogël se totali i situacionit të parafundit që është në vlerë prej 6, 535, 225 euro, ku i bie një diferencë mbi 43 mijë euro.

Në këtë rast është dashur që këto mjete t’i kthehen Ministrisë, sikurse është dashur të ndalët dhe avanci mbi 84 mijë euro.

Pos që nuk janë kthyer këto mjete në ministri, ky institucion, kundërligjshëm i ka lëshuar kompanisë para në vlerë prej 378, 951.39 euro.

Kjo shumë është lëshuar në emër të situcionit të 13-të, për punë të kryera.

Te formulari “Cerfitkata e pagesave” shkruan se punët e bëra deri më datë 19.05. 2022 janë 7, 010, 493 euro, ndërsa tek formulari i situacioneve deri me datë 19. 05. 2022 punët e kryera janë 6, 477, 161.77 euro.

Pra, shuma pre mbi 7 milionë euro duket se është vendosur paushallë, pasi asnjë përllogaritje nuk e nxjerr atë dhe ne certifikat do te duhej te ishte shuma 6.4 milionë euro.

Nga burime të mirinformuara, Periskopi ka mësuar se dyshohet se kjo faturë është falsifikuar nga menaxheri i kontratës dhe kompania punëkryese, duke marrë pagesë për punët që nuk janë kryer në terren, as që kanë ekzistuar si të tilla.

Konzorciumi i kompanive, “2A Group ” SH.P.K ; “Alko Impex” ; “Ex -Fis”. ; “2T” në vitin 2018 kishte fituar projektin (lot4) për kryerjen e punimeve në Autostradën e Gjilanit.

(PROJEKTI decitivisht quhet: “Ndërtimi i Autoudhës A7.1- Kryçzimi me disnivel A6 A7.1 (Banullë) – Dheu i Bardhë- pjesa Kryqëzimi ne disnivel A6 A7.1 (Banullë) – Udhekryçi “Bresalc”- L=22.31 km)

Vlera e kontratës ka qenë 8, 700, 127.36 euro.

Kompania lider që e ka fituar kontratën “ 2A Group”, nga e cila është dërguar situacioni fiktiv, ka për pronar Valon Ademin, një shok i menaxherit të prokurimit, Nexhat Krasniqi.

Pronar i kompanisë “Alko Impex” është Imer Ademi, babai i Valonit.

Ndërsa, pronar tek “Ex-Fis” është Isa Muharremi, dhe kjo kompani sipas formularëve të KQZ-së, figuron se në fushatën e fundit zgjedhore e ka furnizuar Lëvizjen Vetëvendosje me derivate të naftës.

Po ashtu, Valon Ademi është edhe pronar i kompanisë tjetër mbështetëse “2T”.

Të implikuar në këtë aferë, dyshohet se janë zyrtarë të prokurimit, financave dhe menaxheri i kontratës.

Lidhur për të gjitha pagesat e bëra në kontratën lot 4, Periskopi kishte kërkuar një përgjigje nga ministria nga ministria, por nuk ka marrë përgjigje.

Kryeministri thotë se u kryen 70 për qind të punëve të rrugës

Të premten e kaluar, kryeministri, Albin Kurti ka publikuar një status të cilin e ka ilustruar më një video nga droni, duke thënë se:

Autostrada Prishtinë—Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit. Urime! Kanë përfunduar mbi 70% të punimeve. I vizituam tre llotet. Llotin e parë në gjatësinë mbi 4.8 km, llotin e dytë 2.5 km dhe llotin e tretë 2.2 km, me ç’rast e pamë edhe punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet llotit të parë dhe llotit të dytë që në këtë mënyrë do të mundësojë edhe lidhjen e fshatrave Smallushë dhe Sllovi që të kenë gjithashtu qasje. Gjithsej kjo pjesë do të ketë gjatësinë prej 22.8 km, prej Banullës në Lipjan te Bresalci në Gjilan”.

Në fakt, në këtë rrugë po punohet në tetë lote dhe jo vetëm në tre, ashtu siç ka shkruar kryeministri. Me gjasë, mospërmendja e lotit të katërt nga ana e kryeministrit, ka të bëjë me angazhimin e hetuesisë.

Më 15 shkurt të këtij viti, Periskopi kishte vizatuar disa prej segmenteve në këtë rrugë, dhe sipas gjendjes në terren, nuk mund të jetë real vlerësimi i kryeministrit se janë kryer 70 përqind të punëve për këtë autostradë.

Bazuar në pamjet në terren, punimet janë pranë përfundimit vetëm në lot 1 dhe 2, por kënaqshëm janë kryer punimet edhe në lot 3. Të gjitha pjesët tjera janë në një kuotë nën 50 për qind të punimeve të realizuara. Ndërkohë, mësohet se pagesat e bëra nga ana e ministrisë për të gjithë projektin janë mbi 70 përqind. Kjo bije ndeshë më ligjin.

Asfalti afro gjysmë milionë euro te Autostrada e Gjilanit u ndërtua jashtë standardeve

Më 29 janar 2023, Periskopi ka raportuar seministrisë së Infrastrukturës i ka dalë telashe me njërin kontraktues të cilit obligohet t’ia paguajë gati gjysmë milionë euro, ndonëse asfalti nuk është shtruar konform kontratës tek lot 2 në Autostradën e Gjilanit. Ketë lot e pati fituar kompania nga Shqipëria “Gjoka Konstruksion” në një vlerë prej 5, 906, 293, 67 euro. Por, siç ka mësuar Periskopi, në këtë segment nuk ka punuar asnjëherë kompania nga Shqipëria, por ajo nga Kosova “Kag Asphalt”, e cila njëherësh ka nënshkruar kontratë me ministrinë edhe për lot VI për këtë projekt, në një vlerë prej 11.6 milionë euro.

Bazuar në dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik, shitja e 100 për qind të punëve te një kompani tjetër është veprim i kundërligjshëm. Konkretisht kjo bie ndesh më Udhëzuesit Operativ Për Prokurim Publik neni 18.11.

Derisa cilësia e punimeve është shumë e dyshimtë edhe në lotët tjera, Periskopi ka mësuar se te lot 2, ministrisë i ka dalë telashe. Kjo për faktin se kompania punëkryese nuk e ka shtruar asfaltin ashtu siç e ka pasur të cekur në kontratë që rruga të jetë me gur eroptiv, por i njëjti është shtruar me gur gëlqeror, që është i cilësisë më të dobët dhe është shumë më i lirë në treg, ndërsa pagesa pritet të merret për gurë eroptiv.

Autostradat në Kosovë, pos kësaj, të gjitha janë të ndërtuara me gur eroptiv.

Ndonëse në atë segment rrugor, shtresa e asfaltit  nuk është punuar sipas kontratës, kompania kishe  faturuar afro gjysmë milioni euro në ministri për të marrë hakun e punëve të saj.

Periskopi kishte raportuar se ministria nuk ia kishte bërë pagesën, pasi asfalti nuk është shtruar sipas kontratës. (Nuk dihet nëse pagesat është bërë më pas).

Për të gjitha këto, Periskopi kishte kërkuar një përgjigje dhe nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Në vitin 2018 për këtë projekt janë lidhur 8 kontrata me vlerë prej 88, 618, 511.95 euro. Pas disa muajve, ministria kishte filluar të lidhë aneks kontrata për punët shtesë. Këto lloje të kontratave për punët shtesë janë lidhur deri para pak muajve. Shuma e aneks kontratave është 7.2 milionë euro dhe bazuar në ueb-faqen e prokurimit publik, përveç në lot 3, për të gjitha pjesët ekzistojnë nga dy kontrata. (gjë e cila është në kundërshtim me ligjin).

Pas lidhjeve të kontratave fillestare, Prokurora Speciale kishte nisur hetimet ndaj ish- Sekretarit të MI-së, Betim Reçica, dhe zyrtarëve të ministrisë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

Hetimi i Prokurorisë kishte rezultuar me ngritje të aktakuzës nën dyshimin për korrupsion ndaj katër zyrtarëve dhe tashmë gjykimi ndaj tyre është në proces e sipër. /Mentor Buzhala -PERISKOPI/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close