Epilogu

EKSKLUZIVE: Rashit Qalaj kërkonte urdhër që ta arrestonte me forcë Sami Lushtakun në QKUK

Rashit Qalaj si shef i Operativës së Policisë së Kosovës kishte kërkuar urdhër për të arrestuar me forcë Sami Lushtakun në majin e vitit 2014, kur ish-kreu i Komunës së Skenderajt ishte arratisur nga QKUK-ja teksa ndodhej në paraburgim për rastin “Drenica”.

Rashit Qalaj ishte shef i Operativës në Policinë e Kosovës kur Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari më 20 maj të vitit 2014 u transferuan nga burgu i Dubravës për të marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Lushtaku dhe dy të tjerët po mbaheshin në paraburgim lidhur me akuzat që rëndonin mbi ta për krime lufte.

Me vendim të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Lushtaku, Haxha dhe Jashari u vendosën në një dhomë të repartit kardiologjik të QKUK-së më 20 maj. Në këtë qendër u krijua një situatë konfuze. Një grumbull njerëzish bllokuan hyrjen e repartit të kardiologjisë në QKUK.

Këtë situatë e kishin shfrytëzuar Lushtaku dhe dy të akuzuarit e tjerë në rastin “Drenica”, për t’iu arratisur Policisë së Kosovës për tri ditë rresht.

E, arratisja e tre të akuzuarve shkaktoi përplasje dhe kontradikta ndërmjet EULEX-it, që kishte ngritur aktakuzën ndaj tyre, ShKK-së dhe Departamentit të Operativës në Policinë e Kosovës – që atëherë udhëhiqej nga Rashit Qalaj.

Asokohe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale në Kosovë nga EULEX ishte Jonathan Ratel, një prokuror kanadez që punonte me Misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ai dyshohet se mori rolin e ndërmjetësuesit për ta bindur Lushtakun që të dorëzohej në Polici dhe të rikthehej në paraburgim.

Mirëpo, Policia e Kosovës ndodhej në kërkim të Lushtakut që prej transferimit të tij nga burgu i Dubravës drejt QKUK-së. Operacionin e Policisë e udhëhiqte Rashit Qalaj, aktualisht drejtor i këtij institucioni.

Sipas një dëshmie të Jonathan Ratel, ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale në Kosovës, Rashit Qalaj kërkonte urdhër nga Prokuroria Speciale që të arrestonte me dhunë Lushtakun, Jasharin dhe Haxhën brenda QKUK-së më 20 maj të 2014-s.

Policia e Kosovës, sipas dëshmisë së Ratel, ka pasur informata se Lushtaku dhe dy të tjerët ishin arratisur nga QKUK-ja.

“Kishte informata kontradiktore sipas të cilave një apo më shumë të dyshuar mund të kishin ikur, pastaj kishte informacione se nuk kishin ikur dhe se SHKK-ja i kishte mbyllur në një dhomë në repartin kardiologjik të QKUK-së dhe se ata gjendeshin aty. Pastaj nga Policia kishte informata kontradiktore, sipas të cilave ata nuk gjendeshin aty”, kishte deklaruar Ratel në dëshminë e tij para prokurorit të EULEX-it, Romelu Mateus, më 2016.


Jonathan Ratel, ish-Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale në Kosovë

Në dëshminë e tij, të cilën e ka siguruar ekskluzivisht Gazeta Online Insajderi, Ratel përshkruante në hollësi incidentin që kishte shkaktuar përplasjen ndërmjet tri institucioneve shtetërore.

I pyetur nëse kishte vërejtur kundërshtime ndërmjet SHKK-së dhe Policisë së Kosovës, ish-Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale në Kosovë deklaronte se “situata ishte më keq se kaq”.

“Policia e Kosovës donte të futej me forcë në repartin kardiologjik të QKUK-së. Atë kohë kishte raportime se aty kishin shkuar një grumbull familjarësh dhe përfaqësuesish ligjor të cilët e kishin bllokuar hyrjen në repartin kardiologjik të spitalit. Në një moment të caktuar, Policia kishte kërkuar urdhrin për lejimin e futjes me forcë [në QKUK, v.j]”, dëshmonte Ratel.

Ratel i dha përgjigje negative kërkesës së Qalajt për t’u futur me forcë në ambientet e raprtit të Kardiologjisë në QKUK.

“Por, unë u thashë jo”, shprehej ish-Kryeprokurori i PRSK-së. “Ata kërkonin nga kjo Zyrë një urdhër verbal për t’u futur me forcë. Ajo që ishte e qartë se unë nuk do jepja kurrfarë urdhri verbal që do të lejonte Policinë të futej me forcë në repartin kardiologjik të QKUK-së”.

I pyetur nëse atë ditë ka zhvilluar një telefonatë me Rashit Qalajn, Ratel deklaronte se “kjo ishte e mundur”.

“Ka pasur informacione kundërthënëse – kjo ka qenë një pjesë e informatës por ka pasur informacione se Policia e Kosovës ka pasur një pikë shikimi jashtë spitalit prej së cilës kishte arritur të shikonte brenda dhomës dhe ajo informatë ishte se ata nuk po i shihnin ata brenda në dhomë por nuk kishte asnjë informacion se prej ku dhe kur ishte bërë vëzhgimi”, shprehej Ratel.

Ish-Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, në këtë dëshmi të tij, mohoi të ketë ndërmjetësuar për dorëzimin në Polici të Lushtakut dhe dy të tjerëve.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”. Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Ndërkaq, Mërgim Lushtaku, djali i Sami Lushtakut, si dhe Dardan Geci e Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Gjykimi ndaj tyre ka filluar në vitin 2017, raporton Insajderi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romulo Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë./Insajderi.com

Exit mobile version