Epilogu

Ekskluzive: Shumica e KP të LDK-së votoi për shkarkimin e Vjosa Osmanit

Burime të gazetës Objektiv, konfirmuan të shtunën se pjesa dërmuese e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tashmë kanë votuar pro propozimit të kryetarit Isa Mustafa, për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së LDK-së.

“Deri më tani shumica e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së kanë votuar për shkarkimin e Vjosa Osmanit. Një numër i papërfillshëm i tyre kanë votuar kundër ose kanë abstenuar. Ka kohë për votim deri në ora 19:00, po tashmë gjithçka dihet, Vjosa Osmani është e shkarkuar”, ka thënë burimi i gazetës Objektiv, i afërt me Kryesinë e LDK-së.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nëpërmes votimit elektronik ka kërkuar të shtunën nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, që ta shkarkoi Vjosa Osmanin nga dy pozita të rëndësishme në parti pasi që ka shpërfillur në vazhdimësi vendimet e partisë.

Mustafa ka propozuar që në vend të Osmanit, pozitën e nënkryetarit të partisë ta zë kryeministri aktual, Avdullah Hoti.

Kreu i LDK-së, në letrën drejtuar KP të LDK-së, ka shkruar se arsye për inicimin e kësaj procedure është qëndrimi i saj kundër vendimit të partisë për votimin e kryeministrit Avdullah Hoti dhe qeverisë së drejtuar nga LDK-ja.

Në letrën dërguar Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Mustafa tha se në seancën në të cilën u votua mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, Vjosa Osmani, në kundërshtim me qëndrimin e LDK-së, anëtare e së cilës është, bëri apel të hapur të mos votohet mocioni i mosbesimit.

“Vazhdoi publikisht me kundërshtimin e koalicionit me AAK-në, Nisma dhe komunitetet joshumicë dhe të z. Hoti për kryeministër, përkundër vendimit të Këshillit të Përgjithshëm, anëtare e së cilës është, dhe faktit se ky organ e ka zgjedhur anëtare të Kryesisë dhe nënkryetare të LDK-së, me propozimin e kryetarit të partisë”, ka shkruar Mustafa në letrën drejtuar Këshillit të Përgjithshëm.

Mustafa tha se Osmani iku nga përgjegjësia për ta drejtuar seancën e Kuvendit në ditën kur u votua qeveria Hoti, edhe pse pozitën e kryetares së Kuvendit ia siguroi LDK-ja, në marrëveshje me Vetëvendosjen.

Ndonëse nuk ua ka përmendur emrin, Mustafa ka paralajmëruar masa edhe ndaj deputetëve të tjerë të LDK-së, Haxhi Avdyli dhe Fatmir Rexhepi, të cilët nuk votuan për Qeverinë e drejtuar nga LDK-ja. Ai ka thënë se në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit, do të vendoset edhe ndaj anëtarëve të tjerë të Këshillit të Përgjithshëm që votuan kundër qëndrimeve të partisë. /Objektiv/

Exit mobile version