Partia Demokratike e Kosovës, ka ditë që ka nisur një fushatë politike me mesazhe të vazhdueshme për ruajtjen dhe forcimin e lidhjes në mes të Kosovës dhe Amerikës.
Fushatën e Veselit kundër korrupsionit dhe nepotizmit, të cilën e kishte nisur menjëherë pas kthimit nga një vizitë zyrtare në Uashington, shumë analistë po e interpretojnë edhe si të nxitur nga amerikanët, të cilët kundërkorrupsion e kanë në top prioritetet e agjendës së tyre në nivel global, ku po investojnë miliona euro.
Kjo lidhje që deri më tani dukej vetëm si shfrytëzim nga ana e PDK-së, e cila ka ditë që është “veshur” me flamuj amerikanë, mësohet se së shpejti do të konkretizohet, pasi në Kosovë pritet të vjen një njeri shumë i rëndësishëm i presidentit Trump në Kosovë për ta përkrahur Kadri Veselin.
Nga burime brenda PDK-së, IndeksOnline ka mësuar se ardhja e një njeriu të rëndësishëm të presidentit amerikan Donald Trump në Kosovë për ta përkrahur Kadri Veselin, tashmë është çështje e kryer.
“Natyrisht që lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit është e koordinuar me partnerët tanë. Po ashtu, as hyrja e Kadri Veselit në këto zgjedhje me top-prioritet këtë çështje nuk është e rastësishme”, ka thënë një deputet i PDK-së, i cili nuk pranojë që të flas për këtë çështje zyrtarisht, duke sugjeruar që të kontaktohet Shtabi i PDK-së.
Dje edhe vetë Veseli në një tubim me qytetarë në Lipjan kishte thënë se platforma e tij kundër korrupsionit dhe nepotizmit është pjesë e luftës globale që ka nisur Amerika dhe Presidenti Trump. /IndeksOnline/