Epilogu

Eksluzive: Tronditet Universiteti “Kadri Zeka”, nuk i akreditohen programet kryesore

Universiteti “Kadri Zeka” ka mbetur tani pa programet kryesore të saj.

Zyrtarja për media në këtë Universitet, Minire Haziri Rexhepi, konfirmoi gjatë ditës së sotme për Periskopin se Agjencia e Akreditimit e ka hequr akreditimin për programet: Drejtim Juridik i Përgjithshëm BA, Drejtimi i Edukimit me 2 programet (Fillor dhe Parafillor) BA dhe drejtimi E-Qeverisja MA.

Ndërkohë, kjo Agjenci ia ka akredituar katër programe këtij Universiteti, si: Programi i Ekonomikut (Banka, Financa dhe Kontabilitet si dhe Menaxhment) BA, Shkenca Kompjuterike BA, Fakultetin e Shkencave Aplikative – Programi Matematikë Arsimor BA dhe Qeverisje lokale dhe Shoqëri Demokratike MA – raporton Periskopi.

Haziri Rexhepi ka thënë tutje për Periskopin se bazuar në Udhëzimin Administrativ të MAShT’it, nr.15, viti 2019, neni 21, pika 2, thotë se “AKA mund të  rishqyrtojë  akreditimin e dhënë në çfarëdo kohe, më pas të tërheq vendimin e saj për akreditim, nëse kushtet e dhëna me rastin e akreditimit janë shkelur”, por UKZ nuk ka shkelur asnjë  kusht.

Këto programe në Universitetin “Kadri Zeka” janë vetëm  disa prej programeve të cilave ua ka hequr akreditimin Agjencia e Akreditimit të Kosovës.

Pas këtij vendimi, rektorët e gjashtë universiteteve publike të Kosovës kërkuan që të shkarkohen anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për shkak të pezullimit të 42 programeve studimore.

Për këtë reagoi vetë Këshilli.

Ata thanë se legjitimitetin si Këshill e kanë nga Kuvendi dhe vetëm nga ai mund t’i merret.

Sa i përket vendimit për pezullim të 42 programeve studimore, ky këshill ka thënë se i merr vendimet në bazë të kornizës ligjore dhe se pa aplikuar Standardet dhe Udhëzuesit për Sigurimin e Cilësisë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë nuk mund të bëhet anëtarësimi në ENQA dhe EQAR./

Gjithashtu edhe organizata për ngritjen e cilësisë në arsim ORCA, i ka dhënë mbështetje Këshillit të Cilësisë. PERISKOPI

Exit mobile version