Ekspertët ndërkombëtar të angazhuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim(AKA), për vlerësimin e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, rekomanduan që ky universitet publik të mos marrë akreditim institucional, për shkak të mos përmbushjes së standardeve!
Ekipi i Ekspertëve(EE) gjetën se UPZ nuk e kishte të qartë numrin e studentëve të regjistruar në këtë universitet dhe kjo pasi që u janë ofruar të dhëna të ndryshme sa i përket numrit të përgjithshëm.
“Në takimin e parë ishte përmendur se universiteti ka afërsisht 6 mijë studentë, në Raportin e Vetë-Vlerësimit thuhet se UPZ ka 17 mijë studentë dhe në të dhënat e ofruara nga sistemi elektronik, janë më shumë se 29 mijë studentë”, thuhet në raportin e ekspertëve.
Raporti i cili u miratua dhe u votua nga bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë(KSHC), ishte shkruar nga ekspertët Stephen Adam dhe Adrian Mihai Vileca.
Vlerësimi institucional nga ana e ekspertëve, është i rregulluar me Ligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë dhe me Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë.
Pas votimit të këtij raporti, Universiteti i Prizrenit nuk do të mund të regjistrojë studentë të rinj, në vitin e ardhshëm akademik 2019/2020.
Ekspertët deklaruan se shumica e dokumenteve në këtë universitet, nuk ishin të qasshme në gjuhën angleze dhe kjo sipas tyre, bëri që një numër i gjykimeve për përputhjen apo mospërputhjen e standardeve të jetë i pamundur.
Të gjitha dokumentet kyçe duhet të jenë të qasshme para vlerësimit të ekspertëve, si dhe duhet të jenë edhe në gjuhën angleze”, thuhet në raport.
Në anën tjetër, ekspertët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se Universiteti i Prizrenit gjendet mes forcave kundërshtuese dhe garuese, duke e përfshirë Ministrinë e Arsimit, Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe kërkesat e Bolonjës.
Ata gjithashtu rekomanduan modernizimin e programeve studimore dhe furnizimin e bibliotekës së universitetit, me tituj akademikë të cilët janë të nevojshëm për studentët.
“Universiteti i Prizrenit qartësisht gjendet në një situatë të vështirë sa i përket çështjes së financimit. Sidoqoftë, duhet që sa më shpejtë të zhvillojë sistemet dhe politikat e tij, në mënyrë që të modernizohet dhe të adaptohet në përputhje me Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe me standardet evropiane”, thuhet në raport.
Andaj si përfundim, ekipi i ekspertëve ka rekomanduar që të mos akreditohet ky institucion, duke thënë se Universiteti i Prizrenit, nuk përkon me standardet e përfshira në manualin e akreditimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim(AKA).