Epilogu

Emailat e Wikileaks: Ish ambasadori Dell në një moment ankohet ndaj Thaçit: në humorin e tij më të keq – emocional, impulsiv

2011: Në një kabllogram sekret të Ambasadës amerikane në Prishtinë, publikuar nga “WikiLeaks”, kryeministri Hashim Thaçi e kishte njoftuar Ambasadën amerikane për qëllimin e tij për prishjen e koalicionit qeveritar me LDK-në, menjëherë pas njoftimit se ishte arritur një marrëveshje parazgjedhore ndërmjet LDK-së dhe AAK-së në natën e 19 nëntorit.

Thaçi u kishte thënë zyrtarëve të Ambasadës amerikane se LDK-ja me këtë veprim kishte shkelur parimet e koalicionit qeveritar dhe se “synonte formimin e një Qeverie të re me partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Dardanisë të Nexhat Dacit dhe Aleancën për Kosovë të Re të Behgjet Pacollit”, transmeton “Koha Ditore”.

Por, kriza e koalicionit qeveritar ishte tejkaluar mëngjesin e 20 nëntorit pas një takimi të mbajtur ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe presidentit të atëhershëm, Fatmir Sejdiu.

Mesazhi sekret i Ambasadës amerikane më tej bën të ditur se pas spekulimeve se Thaçi kishte kërcënuar me shkarkimin e Sejdiut nga posti presidencial, Ambasada amerikane ishte nxitur “ta paralajmëronte Thaçin se nuk do ta mbështesnin ndonjë përpjekje ekstra-kushtetuese për ta detyruar Sejdiun të largohej nga zyra dhe se kjo do ta dëmtonte imazhin e Kosovës në mbarë botën dhe do t’i dënonte mundësitë e Kosovës në procedurat e ardhshme para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila do të shprehet për ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së vendit”.

“Sipas të gjitha llogarive, kryeministri Hashim Thaçi veproi me pamaturi natën e kaluar kur vendosi ta largonte LDK-në nga koalicioni vetëm një orë pasi mësoi për marrëveshjen ndërmjet LDK-së dhe AAK-së. Ai nuk ishte konsultuar as me LDD-në, e as me AKR-në, dhe do të kishte problem të siguronte votat për ruajtjen e qeverisjes. Në fakt, i tillë ishte Thaçi në humorin e tij më të keq – emocional, impulsiv dhe i ngutshëm”, thuhet në komentin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell, në fund të kabllogramit.

Ambasada amerikane kishte parë se kishte pak gjasa që koalicioni të vazhdonte mbijetesën pas fërkimeve ndërmjet LDK-së dhe PDK-së.

Në një kabllogram tjetër të publikuar në “WikiLeaks”, që mban titullin “Ambasadori takon liderin opozitar”, thuhet se Christopher Dell ishte takuar me liderin opozitar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, më 9 shtator të vitit 2009, i cili i kishte konfirmuar atij dallime dhe çarje të thella ndërmjet partive opozitare.

Haradinaj i kishte ofruar Dellit bashkëpunim të plotë, duke theksuar se “ambasadori amerikan ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në Prishtinë dhe se ‘ne presim prej jush të na prini neve’”.

Ish-kryeministri Haradinaj kishte diskutuar me Dellin marrëdhëniet me rivalët e tij politikë, duke i cilësuar “të varfra” me kryeministrin Thaçi, “korrekte” me ish-presidentin Sejdiu dhe “problematike” me liderët opozitarë të kohës, Behgjet Pacollin e AKR-së dhe Nexhat Dacin e LDD-së.

“Me Kosovën në një pikë delikate në marrëdhëniet e saj me Evropën, politikanët e Prishtinës duhet të punojnë bashkë për t’i shmangur grackat e Beogradit dhe paragjykimet evropiane me qëllim të avancimit të interesave të vendit”, kishte komentuar Dell në fund të kabllogramit, ku shpjegohet sesi ai i kishte rekomanduar Haradinajt të tregohej i matur edhe për protokollin e shumëpërfolur të EULEX-it me Serbinë.

Haradinaj kishte marrë mesazhin, sepse “refuzoi të përgjigjej për protokollin kur u pyet nga gazetarët”.

Delli për çështjen e protokollit të nënshkruar ndërmjet Serbisë dhe EULEX-it për fushën e drejtësisë kishte takuar edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Krasniqi i kishte premtuar Dellit “mbështetje për protokollin”, ani pse përmbajtja e tij kishte shkaktuar një reagim të madh të shumicës së politikanëve dhe opinionit publik të Kosovës.

EULEX-kishte draftuar në vitin 2009 edhe protokollet për dogana dhe polici, por u detyrua të hiqte dorë pas presionit të madh.

Në kabllogram thuhet se Krasniqi kishte mbrojtur marrëveshjen e protokollit si një marrëveshje të domosdoshme me EULEX-in për luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e sundimin e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të vendit. Në komentin e tij Dell shkruan se “Krasniqi ka mbajtur një qëndrim jopopullor” për opinionin kosovar, por ka demonstruar “bashkëpunim”.

Ambasadori Dell kishte zhvilluar një takim edhe me liderin e atëhershëm opozitar të Aleancës për Kosovë të Re, Behgjet Pacolli, lidhur me zhvillimet e fundit brenda Kosovës dhe aktivitetit privat të lobimit për njohjen e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës.

Në përmbledhjen e raportit të kabllogramit të 11 shtatorit të vitit 2009, Ambasada njofton se Delli kishte diskutuar me Pacollin edhe për “rëndësinë e frenimit të ndikimit ekstremist islamik” në prag të zgjedhjeve komunale. I pranishëm në takimin e Dellit me Pacollin ishte edhe Esad Pushkar, këshilltar i lartë i Pacollit.

Ambasadori amerikan ia kishte shprehur në sy Pacollit shqetësimin e tij për takimin me disa liderë të shteteve të botës së tretë, si ai i zhvilluar me tashmë diktatorin e rrëzuar libian, Muammar Gaddafi.

Më tej, citon “Zëri” një shënim të shtuar në këtë dokument, “thashetheme të pabazuara flasin se si Pacolli financon ndërtimin e xhamive në stil të vahabistëve në Kosovë”.

“Ambasadori ia ka bërë të qartë se ne nuk duam të shohim rritje të ndikimit ekstremist në mesin e popullatës së moderuar properëndimore të Kosovës”, thuhet në përmbledhje të kabllogramit.

Ndërkaq, në vlerësimet për LDK-në, një fakt interesant është parashikimi që bën Ambasada amerikane për kandidatin e LDK-së për Prishtinën, Isa Mustafën, si njeriun e mundshëm që do ta sfidojë Fatmir Sejdiun në krye të partisë.

“Partia ka nevojë edhe për një lider që e prezanton partinë në formën të cilën Sejdiu nuk mundet. Isa Mustafa mund ta luajë atë rol dhe është ironike që derisa ai e udhëheq rigjallërimin politik të LDK-së, ai mund të jetë gjithashtu duke krijuar kushtet për një përballje lidershipi që e vendos atë kundër presidentit Sejdiu.”, thuhet në vlerësimin e Ambasadës amerikane, të shkruar para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 15 shtatorit 2009.

Departamenti amerikan nëpërmjet një tjetër kabllogrami të Ambasadës amerikane ishte njoftuar në detaje edhe për zhvillimet pas deklaratës së ish-deputetëve Adem Salihaj dhe Gani Geci më 29 nëntor, kur njoftuan mediat se kishin një DVD me të dhëna për sulmet dhe vrasjet e drejtuesve të LDK-së ndërmjet periudhës 1999-2003, nga siç thanë ata, SHIK-u -, krah inteligjence i PDK-së së Thaçit. Geci e identifikoi operuesin e SHIK-ut, Nazim Bllaca, i cili në të njëjtën ditë doli para Kuvendit të Kosovës dhe tha se ishte i përfshirë në 16 raste të vrasjeve, rrahjeve, torturimeve, dhe akuzoi zyrtarë të lartë të PDK-së se urdhëruan kryerjen e tyre. Bllaca kishte deklaruar se kishte marrë urdhra direkt prej Azem Sylës, anëtar i Kryesisë së PDK-së, nëpërmjet Shpresim Ukës, nip i Sylës.

Bllaca, i cili e ka pranuar se edhe vetë e ka kryer një vrasje, në dëshminë e tij kishte implikuar edhe ministrin e atëhershëm të Transportit dhe të Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelilin dhe Xhavit Halilin, anëtar i Kryesisë së PDK-së dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Kabllogrami thotë se dëshmia e Bllacës u bë “në kohën kur kryeministri edhe ashtu kishte një pozicion të dobësuar” pas përplasjeve me LDK-në. EULEX-i ende është duke hetuar rastet që lidhen me “peshqit e mëdhenj”, si test për përkushtimin e tij për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Lutfi Haziri, kishte kërkuar krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e akuzave të Bllacës, por nuk mori mbështetjen në Kuvendin e dominuar nga PDK-ja, transmeton “Koha Ditore”.

Kabllogrami konfirmon se Thaçi kishte dështuar ta bindte ish-presidentin Sejdiu të dilnin në një konferencë të përbashkët shtypi më 30 nëntor për t’i dënuar akuzat e Bllacës.

Bashkësia ndërkombëtare i kishte bërë thirrje EULEX-it të tregohej i vendosur për zbardhjen e akuzave të Bllacës, por edhe i kishte kërkuar të tregonte “përgjegjësi politike” dhe ndjeshmëri për zhvillimet e brendshme në Kosovë.

“PDK-ja është e pamëshirshme dhe e përgatitur për të ushtruar dhunë për t’i arritur qëllimet e saj, dhe kjo nuk i ndihmon aspak PDK-së derisa ajo po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të 13 dhjetorit. Duke pasur parasysh këtë, kriza mund të jetë një mundësi për EULEX-in dhe Kosovën. Nëse EULEX-i heton akuzat e Bllacës kundër zyrtarëve të lartë të PDK-së ashtu si duhet, dhe nëse njerëzit e fuqishëm thirren të japin përgjegjësi për veprimet e tyre, ky incident mund ta ndihmojë Kosovën të merret me trashëgiminë e politikës së dhunshme të periudhës së paskonfliktit, sikurse edhe t’i bindë qytetarët e saj se ‘sundimi i rendit dhe ligjit’ është më shumë se një slogan”, thuhet në komentin e kabllogramit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell. /Telegrafi/

Exit mobile version