Disa media ia kanë veshur epitetin e ekspertit për siguri dhe para disa vitesh ishte marrë në pyetje edhe nga Prokuroria e Shtetit.
ORAinfo ka siguruar disa e-maile ekskluzive të Miftarit dërguar Visho Likës, kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë. Naim Miftari ishte përjashtuar nga policia e Kosovës me urdhër të UNMIK-ut. Ai ishte i përfshirë edhe në manipulime të ndryshe me naftë.
Në këto e-maile, Miftari akuzon rëndë për vrasjen e aktivistëve të LDK-së, përkatësisht për vrasjen e Smajl Hajdarit dhe Tahir Zemajt, disa figura të luftës së UÇK-së në Kosovë.
Për këto dhe akuza të tjera publike, Miftari mësohet se edhe ishte marrë në pyetje nga Prokuroria e Shtetit.
Përveç tjerash, në njërin prej e-maileve, i vetëdeklaruar ish-agjent i SHIK-ut, pas një mori letrash me të cilat ishte munduar t’ia zgjoj interesimin dhe ta fitoj besimin e kreut të SHISH-it për ta angazhuar si agjent të shërbimit informativ shqiptar, Miftari ia kishte dërguar edhe CV-në e tij Visho Likës.
Aty shihet se Miftari ka të kryer edhe shkollën e milicisë në Vushtrri dhe Vojvodinë në vitet e ’80-ta.
Edhe vërtetësia e e-mailit që ka përdorur Miftari me kryespiunin shqiptar konfirmohet në CV-në e dërguar, shkruan ORAinfo.
Pas deklaratave të Imer Imerit, vëllait të Haki Imerit, i cili denoncoi edhe publikisht të dyshuarit për vrasjen e vëllait të tij, duke përmendur Agron Sylejmanin, Naim Kadriun dhe Avni Fetën, Miftari komentoi duke thënë se këta janë të vdekur.
Mirëpo, në njërin prej e-maileve të tij dërguar kreut të shërbimit informativ shqiptar, Visho Likës, më 22 janar 2014, edhe vetë Miftari ia kishte atribuuar disa vrasje po këtij Agron Sylejmanit.
Miftari e kishte përshkruar atë si vrasës me pagesë të Smajl Hajdarit dhe Tahir Zemajt.
Në një e-mail tjetër, Miftari ia shpreh shqetësimet e tij Visho Likës për sulmet politike, që sipas tij, po i bëheshin SHISH-it shqiptar.
“Nëse ju largojnë ju dhe kuadrot profesionale nga SHISH, unë nuk do të pranojë të jem mik i SHISH-ve partiak edhe po të me lutshin të jem edhe drejtor”, i shkruan Miftari, duke i bërë lajka Visho Likës.Ndërsa, në një e-mail tjetër, i cili lë të nënkuptohet se ishte përgjigje në e-mailin e kreut të SHISH-it, Miftari madje e komenton edhe refuzimin e qeverisë shqiptare për asgjësimin e armëve kimike, duke thënë se ka qenë gabim trashanik dhe se do të ishte i gatshëm edhe vetë t’i shkatërronte, duke e ditur se nuk do të jetonte më asnjë çast, vetëm e vetëm që t’iu ndihmonte amerikanëve.
Më 9 gusht 2012, presidenti Bujar Nishani e kishte emëruar Visho Likën në postin e kreut të Shërbimit Informativ të Shqipërisë, i cili mësohet se Miftarin e kishte shfrytëzuar një kohë si informator në Kosovë.
Pas rreth një viti, kreu i SHISH-it dhe agjenti i vetëshpallur i SHIK-ut, Naim Miftari, kishin ndërprerë korrespodencën.
Por, i nxitur shumë nga mënyrat e funksionimit të shërbimeve sekrete, Miftari mësohet se shumë shpejt kishte gjetur prehje në krahët e Maksim Ferrës, një ish-punëtori tjetër të ish-sigurimit të Shqipërisë.
Siç e kishte pranuar edhe vetë për mediat e Kosovës, Ferra ka të punësuar një numër relativisht të madh personash në Kosovë të cilët mbledhin informacione të ndryshme për llogari të qendrës së tij, e cila quhet “Qendra e Studimit të Luftës Kundër Terrorizimit dhe Krimit të Organizuar”, në kuadër të së cilës funksionon edhe Agjencia e Kërkimit dhe Investigimit (AKI).
Akronimi i kësaj agjencie është i njëjtë me atë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).
Mirëpo, filiala e kësaj agjencie është regjistruar si OJQ në Kosovë më 16 tetor 2008, me numër të regjistrimit 630004846.
Sipas informacioneve që posedon ORAinfo, të gjitha informacionet e mbledhura nga filialet e kësaj agjencie përmes agjentëve të saj në terren, si në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe diasporë, përfundojnë në arkivin e kësaj agjencie private në Tiranë.
Para disa vitesh, Ferra kishte bërë propagandë me dokumente false të Serbisë edhe kundër Ali Ahmetit në Maqedoni./ORAinfo/