Epilogu

Emaili, Bllaca i thotë prokurorit serb “të kam shërbyer 7 vjet, ma transfero familjen në Zvicër”

Ata që kanë pasur dyshime nëse Nazim Bllaca kishte kryer punë për shërbime sekrete, më s’do të kenë. Ishte agjent i shërbimit sekret serb nga viti 1997 dhe nuk ishte asnjëherë pjesë e SHIK-ut.

Megjithëse deklaratat e tij ishin shpeshherë edhe kontradiktore me njëra-tjetrën dhe pa rrjedhje të qartë  logjike, nuk shkoj shumë gjatë dhe EULEX-i nisi procese gjyqësore serike me Nazim Bllacën si dëshmitar kryesor, përmes të cilit edhe dënoi shumë persona.

Por, pas Nazim Bllacës fshihen edhe shumë prapaskena, për të cilat opinioni publik në Kosovë nuk di asgjë.

Republika.info sjell fakte ekskluzive, që dëshmojnë bashkëpunimin e Nazim Bllacës me zëvendësprokurorin për krime lufte në Serbi, Dragoljub Stankoviq, i cili në Beograd njihet si shumë i afërt me shërbimin sekret serb (BIA). Stankoviq dyshohet se edhe e ka përgatitur Nazim Bllacën për ta destabilizuar opinionin publik në Kosovë, gjatë dy viteve sa Bllaca thuhet se kishte jetuar në Serbi.

Menjëherë sapo ishte rishfaqur në Kosovë, pas dy viteve tërësisht i zhdukur, ai menjëherë kishte dalë në publik me deklaratat e tij se ka bërë vrasje në emër të SHIK-ut, duke ndërlidhur si urdhërdhënës figura të ndryshme të UÇK-së.

Në disa prej e-maileve që ka siguruar Republika.info, përmes të cilave Nazim Bllaca i kishte raportuar Dragoljub Stankoviqit, ai edhe vetë konfirmon shërbimin 7 vjeçar për Stankoviqin dhe Serbinë.

Në e-mailin që mban datën 9 tetor 2014, në orën 2:53 të natës, përmes e-mailit personal, Bllaca i kishte shkruar në e-mailin zyrtar zëvendësprokurorit serb për krime lufte, Dragoljub Stankoviqit, se prokurorët e EULEX-it e kanë humbur rrugën e tyre dhe po i mashtrojnë, sepse asgjë nuk ka lidhur me profilin e lartë të komandantëve të njohur të UÇK-së.

Në këtë e-mail, Bllaca i tregon Stankoviqit sesi më 9 shtator 2014, prokurorja e EULEX-it, Diana Willson, i kishte thënë që ta parashtronte kërkesën për lirim me kusht, sepse EULEX-i, sipas e-mailit të Nazim Bllacës, do të intervenonte tek paneli, i cili përbëhej tërësisht nga vendorët për ta realizuar këtë. “Sot me daten 9 tetor 2014 paneli per lirim me kusht e ka refuzu kerkesen time dhe me ka ardh konfirmimi. Une kerkoj nga ti z. Stankovic te rregulloni pune me shefin tuaj dhe te me ndihmoni ne transferin e familjes nga Ju per ne Lozan te Zvicrres per arsye se familja ime po frigohen dhe jane duke u ruajtur shum pak nga policia e Kosovës”, thuhet në e-mailin e Nazim Bllacës, dërguar zëvendësprokurorit serb për krime lufte, Dragoljub Stankoviq.

Në këtë e-mail dërguar Stankoviqit, të cilin Bllaca e kishte nisur si kërkesë për transferimin e familjes së tij nga Serbia në Zvicër, ai thotë se e ka kuptuar që pa u themeluar Gjykata Speciale në Hagë, nuk ka asgjë nga EULEX-i dhe ia shpreh gatishmërinë Stankoviqit për të bashkëpunuar më të dhe Gjykatën Speciale në Hagë. “Une kerkoj nga ti te me tregoni kur me i dergu familjen andej kah ju dhe prej juve familjen do ta dergoj ne Lozan sepse kam nje mik i cili e mbikqyr familjen time atje dhe do te kerkojn azil politik dhe kan dokumentacion per kete ceshtje. Te lutem me tregoni brenda pak kohe per arsye se eshte ne pyetje familja ime gruaj dhe tre femijet dhe kunata”, shkruan Bllaca në e-mailin e tij dërguar Stankoviqit, më 9 tetor 2014, transmeton Republika.info.

Në fund të këtij e-maili, dëshmitari i mbrojtur i EULEX-it, Nazim Bllaca, i thotë zëvendësprokurorit serb për krime lufte që beson se ai dhe shefi i tij janë të kënaqur me kontributin e Bllacës për 7 vite dhe do të jenë edhe në të ardhmen. “Ne besojm qe Ju dhe shefi juaj jeni te knaqur me kontributin tim per 7 vite edhe do te jeni ne te ardhmen”, kishte shkruar Bllaca, duke i kërkuar Dragoljub Stankoviqit, që ta njoftonte sa më shpejt lidhur me çështjen e transferimit të familjes së tij.

Ndërkaq, në një e-mail tjetër dërguar më 19 shtator 2014, si dëshmitar i privilegjuar me pajisje teknologjike në qelinë e tij, Bllaca si duket nga burgu ia kishte dërguar Dragoljub Stankoviqit edhe fotografitë e shtratit të qelisë, bashkë me artikullin “Nazim Bllaca në burg, shokët në liri”, duke i treguar se ku kishte përfunduar.

Zëvendësprokurori serb për krime lufte, Dragoljub Stankoviq, që nga 1 janari i vitit 2010 është personi kryesor në Serbi, i cili merret me të ashtuquajturat krime lufte të shqiptarëve në Kosovë.

Shumica e korrespodencës së Nazim Bllacës me Stankoviqin, që ka siguruar Republika.info është në gjuhën shqipe, sepse siç shihet në e-mailin e mëposhtëm të tij të shkruar një ditë më pas në gjuhën serbe, më 20 shtator 2014, Bllaca nuk di të shkruajë qartë serbisht.

Përmes këtij e-maili të shkruar shumë keq në gjuhën serbe, Bllaca ia dërgon edhe një dokument të bashkëngjitur Stankoviqit, duke i thënë shikoje thirrjen se çfarë thotë kryetari shqiptar i gjykatës. “Bllaca duhet të shkojë me autobus në Dubravë. Kurse unë tani jetoj i rrethuar nga 15 policë dhe për këtë i jam lajmëruar EULEX-it 10 ditë dhe asnjë përgjigje nuk kam marrë. Mua më mashtruan zyrtarët brenda EULEX-it”, i kishte shkruar Nazim Bllaca më 20 shtator 2014, zëvendësprokurorit serb për krime lufte, Dragoljub Stankoviq. /Republika.info/

Exit mobile version