Epilogu

Emrat e policëve serb të vrarë, të cilët Serbia i ktheu në civilë dhe ua veshi UÇK-së

Serbia vazhdimisht kishte inskenuar raste dhe incidente të ndryshme për t’ia faturuar UÇK-së. Rastin Panda e kishte konfirmuar edhe Presidenti aktual i Serbisë Vuçiq. Bardhyl Mahmuti në librin “Mashtrimi i Madh” kishte prezantuar fakte të pakontestueshme për krimet serbe të cilat në fund, një pjesë të tyre ia faturuan UÇK-së.

Publicisti serb, Miroslav Filipović-it, kishte treguar se Serbia kishte formuar “eskadronët e përbërë nga serbë që sulmonin serbët dhe pronat e tyre në Kosovë me qëllim që të krijonin tensione ndëretnike”. (Ogledi Republika, Nr. 263, Miroslav Filipović, «Dugi marš ka istini o
zlocinima»

Në intervistën e titulluar “Milošević-i urdhëroi Radeta-n dhe Legia-n t’i vrasin fëmijët serbë” , Vuk Drašković-i i dha një mbështetje të fuqishme Aleksandar Vučić-it. Në këtë intervistë, ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Vuk Drašković-i, bëri publike mënyrën e organizimit, të funksionimit dhe të marrjes së vendimeve kriminale për të nxitur urrejtjen kundër shqiptarëve dhe për të stigmatizuar UÇK-në.

Ai sqaroi se “Milošević-i dhe Shtabi i tij strategjik kishin sjellë vendim që të kryheshin një varg krimesh kundër civilëve serbëve dhe shqiptarë në Kosovë.” Vrasja e civilëve serbë ishte më e besueshme t’u atribuohej “terroristëve” shqiptarë se sa vrasja e civilëve shqiptarë. Për këtë arsye, vrasja e civilëve shqiptarë shoqërohej me “sqarimin” se gjoja bëhej fjalë për “shqiptarë besnik ndaj regjimit të Beogradit”. Në krye të eskadronit të vdekjes, siç e quan Vuk Drašković-i strukturën që ishte ngarkuar t’i kryente këto krime, “ishte caktuar Milorad Ulemek-Legija, udhëheqësi i Njësisë për OperacioneSpeciale Legija, emër me të cilin njihet ky kriminel, i merrte urdhrat nga Radomir Marković-i, shefi i atëhershëm i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.”

E vërteta e plotë rreth këtyre ngjarjeve dihet: vrasja e civilëve në Kosovë ishte bërë me urdhër të Shtabit Strategjik të Slobodan Milošević-it për të stigmatizuar UÇK-në. Vetëm ata që janë të interesuar ta mbajnë gjallë propagandën e Milošević-it mundohen ta lënë në heshtje faktin se shumica e rasteve që figurojnë në listën zyrtare serbe u ndriçuan se ishin kryer nga «eskadroni i vdekjes» që komandohej nga Shefi i Shërbimit Sekret Serb.

Sikur t’i kishte interesuar e “vërteta e plotë”, Dick Marty do të interesohej, për shembull, të dinte se ku mbetën 44 policët të cilët figuronin në listën e 274 policëve të vrarë nga UÇK-ja në botimin zyrtar të Qeverisë së Serbisë, në vitin 2000. A u “ringjallën” sepse në listën e vitit 2001 nuk figuronin në listën e policëve të vrarë? Apo pse u hoqën emrat e Duško Dolašević-it, Djordje Balošević-it dhe Boban Matić-it nga “lista e policëve të rrëmbyer dhe të zhdukur”? Sikur të kishte qenë i interesuar, Dick Marty do të kishte zbuluar me lehtësi të madhe se policët e vrarë që ishin hequr nga lista e të vrarëve nuk ishin “ringjallur”, por ishin “transferuar” në listën e CIVILËVE të vrarë apo të zhdukur nga UÇK-ja! Përsëri po i kërkoj falje lexuesit që po e rëndoj analizën me detaje rreth këtyre listave. Por, përmes këtyre “detajeve” është munduar të fshihet “puna e dreqit”, siç do të thoshte Carla Del Ponte! Sikur t’u kishte hedhur një sy të vëmendshëm listave, Dick Marty do të kishte zbuluar se:

Milan Jovanović-i, i cili në botimin e vitit 2000 figuron në listën1 e policëve të vrarë, në numrin rendor 5, në botimin e vitit 2001 figuron në listën e civilëve të rrëmbyer pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë. Dhe ky person figuron si i rrëmbyer dy herë. Në numrin rendor 334 ai u rrëmbye më 18 qershor 1999 në fshatin Babush të Ferizajt, ndërsa në numrin rendor 335, i njëjti person u rrëmbye më 22 qershor 1999 në Ferizaj!1

Polici Srečko Majanović-i, sipas botimit të vitit 2000, numër rendor 48, f. 936, u plagos më 1 gusht 1998, u transferua në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd, ku vdiq më 4 gusht 1998. Në botimin e vitit 2001, ai figuron në listën e civilëve të vrarë me numër rendor 44. f. 26;

Polici Zoran Vasiljević-i, i cili në botimin e vitit 2000 figuron në listën2 e policëve të vrarë, në numrin rendor 81, në botimin e vitit 2001 figuron në numrin rendor 84, faqe 266, në listën e civilëve të rrëmbyer apo të zhdukur “pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”;  Polici Srdjan Stojković-i, i cili në botimin e vitit 2000 figuron në listën3 e policëve të vrarë, në numrin rendor 269, faqe 955, në botimin e vitit 2001 figuron në numrin rendor 872, faqe 338, në listën e civilëve të rrëmbyer apo të zhdukur “pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”; 

Polici Predrag Mitić-i, sipas botimit të vitit 2000, i vrarë më 15 maj 1999, në numër rendor 234, në botimin e vitit 2001, në numrin rendor 353, f. 170, shpallet si civil i vrarë në një “datë të papërcaktuar, pas ardhjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”! 

Polici Djordje Ristić-i, në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 235, shpallet i vrarë më 15 maj 1999, ndërsa në botimin e vitit 2001, në numrin rendor 493, f. 183, ky person figuron në listën e civilëve të vrarë, “në një datë që nuk dihet, pas vendosjes së KFOR-it në Kosovë”;

Polici Vasilije Stanković-i, në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 233, shpallet i vrarë më 15 maj 1999, ndërsa në botimin e vitit 2001, në numrin rendor 562, f. 189, figuron në listën e civilëve të vrarë, “në një datë që nuk dihet, pas vendosjes së KFOR-it në Kosovë”;

Mund të vazhdoj me fatin e policëve Sladjan Milosavljevićit, Predrag Milosavlević-it, Ljubiša Mitrović-it, Nebojsa Jeftić-it, Dragan Stanković-it dhe shumë policëve tjerë të vrarë që ishin hequr nga lista e punonjësve të vrarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe që ishin “transferuar” në listën e civilëve të vrarë apo të zhdukur nga UÇK-ja.

Çka mund të thuhet për autoritetet qeveritare të Serbisë të cilat nuk nguruan që emrat e policëve të publikuar si policë të vrarë t’i “transferojnë” në kategorinë e “civilëve të vrarë”. Kur nuk nguruan ta bëjnë një gjë të tillë, lexuesi mund të imagjinojë se çka u bë me ata.

Slavko Nikic, është kolonel i MUP-it serb dhe pjesëtar i shërbimeve sekrete serbe. Njihet edhe si mik i mirë i kriminelit Ratko Mladic. Ka jetuar në Prishtinë, kurse sot është një nga kozakët e rusëve në Ballkan.

Në një emision në Serbi, ai ka pranuar se ka qenë i maskuar me uniformën e UÇK-së në disa raste.

Ky emision u transmetua në Serbi derisa Nikic po e publikonte librin e tij me rrëfimet për luftën.

“Kanë menduar se kjo foto është montazh, por ua siguroj unë se uniforma është e vërtetë”, ka thënë ai.

“Kjo është uniforma që unë në një moment e kam veshur sepse ashtu më lehtë kam mundur ta kryej atë që ka qenë në interes të shtetit të Serbisë dhe mbrojtjes së të dobëtit serb në Kosovë”

Exit mobile version