I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.
Gjatë këtij diskutimi ai foli edhe për situatën në rajon dhe përsëriti qëndrimin se “nuk do të ketë luftë në Bosnjë e Hercegovinë”, shkruan Demokracia.com.
“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.
Në këtë bashkëbisedim Escobar është pyetur rreth deklaratës së presidentes Vjosa Osmani se vazhdimisht e sjell Rusinë si një faktor që ndihmon Serbinë, të cilën ajo e quan si përfaqësuese të Rusisë në rajon, për të destabilizuar rajonin – kryesisht Kosovën, por edhe Bosnjën. A ndani ju shqetësimet e saj? A keni ndonjë indikacion se Rusia po luan ndonjë rol në ngjarjet e fundit, kryesisht në atë që ndodhi me barrikadat dhe të shtënat me armë në veri të Kosovës më 31 korrik?
Escobar është përgjigjur kështu: Do të thoshim se me shumë pak përjashtime, ajo që po ndodh në Ballkan është rezultat i faktorëve që po ndodhin në Ballkan. Unë do të thosha se – ajo që po ndodh në veri të Kosovës është në të vërtetë një çështje midis Serbisë dhe Kosovës, dhe për këtë arsye është urgjente që të dy liderët – liderët e të dy vendeve të takohen në Bruksel nën kujdesin e ndërmjetësimit të BE-së. Dialogoni dhe zgjidhni dallimet në veri. Dhe kjo do të përfshijë një zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme për çështjen e targave. Ai do të përfshijë zbatimin e një udhërrëfyesi për energjinë, përfundimin e një marrëveshjeje për personat e zhdukur dhe një diskutim mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Dhe ne duhet të fokusohemi në problemet që mund të zgjidhen në Ballkanin Perëndimor me diplomaci dhe me dialog konstruktiv.
Tani, Rusia përpiqet të luajë një rol, por ai rol nuk është aq i rëndësishëm sa faktori destabilizues i disa politikanëve dhe disa aktorëve që veprojnë brenda vetë Ballkanit Perëndimor. /Demokracia.com/