Nga: Dashnor Kaloçi
Në Arkivin Qendror të Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ndodhet një relacion me siglën “Tepër sekret”, që i përket muajit gushtit të vitit 1968, ku zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Rexhep Kolli – që mbante edhe postin e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit – informon Sekretarin e Komitetit Qendror të PPSh-së, Ramiz Alia, lidhur me ardhjen në Shqipëri të tre funksionarëve drejtues të shtypit të Kosovës, si: Gjon Shiroka, drejtor i gazetës “Rilindja”, Ramiz Kelmendi, drejtor i Shtëpisë Botuese “Rilindja” dhe Idriz Rexha, Drejtor i Entit të Botimeve të Teksteve Shkollore, të cilët do të lidhnin një marrëveshje me Arteksportin për blerjen e literaturës artistike, kulturore dhe arsimore. Relacioni i plotë e Sigurimit të Shtetit për tre zyrtarët nga Kosova, ku gjatë përgjimeve që u ishin bërë atyre, ndërmjet të tjerash ata ishin shprehur: “Puna jonë në Kosovë po vështirësohet nga sulmet shumë të rënda që drejtoni kundër Titos. Në konjukturën e krijuar në Jugosllavi, ku Tito mbahet në sajë të ushtrisë, është i detyruar që të mbështetë kërkesat tona, prandaj ne duke kapërcyer çdo organ, i drejtohemi atij direkt, dhe ai i plotëson ato çka kërkojmë ne. Mirëpo, kur ju e kritikoni, puna jonë në Kosovë bëhet e vështirë. Më ka porositur Fadil Hoxha, Veli Deva, Rrezak Shala etj., që t’ua transmetojmë këtë gjë”.
Reklama
“Gjendjen aktuale në Kosovë, Gjon Shiroka dhe Idriz Rexha e paraqitën mjaft të mirë dhe pozitive për shqiptarët, ndërsa Ramiz Kelmendi pohoi të kundërtën. Ai tha: Kam qenë i gabuar kur kam menduar se mbas Brionit, Kosova e fitoi lirinë. Menjëherë mbas Pleniumit të 14 të L. K. të Kosovës, gjendja në Kosovë nuk është më ajo e para. Shihet qartë presioni për masa frenuese ndaj shqiptarëve. Udhëheqja e sotme kosovare nuk është pozitive. Edhe në qoftë se kanë bërë diçka në favor të shqiptarëve, kjo u është detyruar nga presioni i masës. Të gjithë këta udhëheqës kanë qenë ata që në vitin 1956 kanë pasur poste të rëndësishme, prandaj duart e tyre janë të lyera me gjakun e pafajshëm të kosovarëve patriotë”.
Dokumenti është si më poshtë:
***
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISË
TEPËR SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDESHME
DREJTORIA E PARË
Tiranë, më 6/8/1968
Nr.1426 Prot.
Lënda: Mbi grupin përfaqësues të entit të botimeve të Kosovës
SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PP SË SHQIPËRISË
SHOKUT RAMIZ ALIA
Nga data 21/7/1968 deri më datën 27/7/1968, erdhën dhe qëndruan në vendin tonë: Gjon Shiroka, drejtor i gazetës “Rilindja”, Ramiz Kelmendi, drejtor i Shtëpisë Botuese “Rilindja” dhe Idriz Rexha, Drejtor i Entit të Botimeve të teksteve shkollore: për të përfunduar me Arteksportin një marrëveshje për blerjen e një literature artistike kulturore dhe arsimore.
Gjatë takimeve dhe bisedave me ta mundëm të mësojmë si vijon:
Lidhur me polemikën e hapur që zhvillon Partia jonë në drejtim të klikës revizioniste jugosllave, Gjon Shiroka dhe Idriz Rexha kishin pothuaj pikpamje të barabarta, ndërsa Ramiz Kelmendi, kishte pikëpamje të kundërta me ta. Gjon Shiroka tha se: Lufta që ju bëni kundër Jugosllavisë, që kohët e fundit është ashpërsuar shumë, dëmton përpjekjet tona për të siguruar autonominë e Kosovës. Eksperienca ka treguar se sa herë që ashpërsohen marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, aq më e vështirë është bërë gjendja e shqiptarëve në Jugosllavi.
Idriz Rexha për këtë tha: Puna jonë në Kosovë po vështirësohet nga sulmet shumë të rënda që drejtoni kundër Titos. Në konjukturën e krijuar në Jugosllavi, ku Tito mbahet në sajë të ushtrisë, është i detyruar që të mbështetë kërkesat tona, prandaj ne duke kapërcyer çdo organ, i drejtohemi atij direkt, dhe ai i plotëson ato çka kërkojmë ne. Mirpo kur ju e kritikoni, puna jonë në Kosovë bëhet e vështirë. Më ka porositur Fadil Hoxha, Veli Deva, Rezak Shala (Prokuror i krahinës) etj., që t’ua trasmetojmë këtë gjë.
Do të mjaftonte që ju të kritikoni vetëm Lidhjen e Komunistëve pa përmendur Titon. Ndërsa Ramiz Kelmendi tha se: Polemika e hapur kundër regjimit titist që zhvillohet në shtyp dhe në radio nga ana e Shqipërisë është pozitive. Megjithatë ka mendime që kjo gjë duhet të ndërpritet për hir të afrimit me Kosovën. Po të ndodhë kjo do të qe më e vështirë për Kosovën dhe do t’i jepej mundësia udhëheqjes serbo-kosovare për të marrë masa karshi shqiptarëve, ndoshta dhe më të përgjakshme se ato të vitit 1956, prandaj kjo polemikë duhet të vazhdojë.
Mbi gjendjen aktuale në Kosovë, Gjon Shiroka dhe Idriz Rexha e paraqitën mjaft të mirë dhe pozitive për shqiptarët, ndërsa Ramiz Kelmendi pohoi të kundërtën. Ai tha: Kam qenë i gabuar kur kam menduar se mbas Brionit, Kosova fitoj lirinë. Menjëherë mbas Pleniumit të 14 të L.K. të Kosovës, gjendja në Kosovë nuk është më ajo e para. Shihet qartë presioni për masa frenuese ndaj shqiptarëve. Udhëheqja e sotme kosovare nuk është pozitive. Edhe në qoftë se kanë bërë diçka në favor të shqiptarëve, kjo u është detyruar nga presioni i masës. Të gjithë këta udhëheqsa kanë qenë ata që në vitin 1956 kanë pasur poste të rëndësishme, prandaj duart e tyre janë të lyera me gjakun e pafajshëm të kosovarëve patriotë.
Përsa i përket lëshimeve në fushën politike që duhet të bëjë udhëheqja federative për këtë krahinë autonome që 28 Nëntori të jetë festë zyrtare, që të lejohet ngritja e flamurit, që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare e detyruar etj., që të tre shpreheshin optimistë dhe thoshin se të gjitha këto i duhen realizuar. Merita sipas tyre, i takon përpjekjeve që ka bërë Fadil Hoxha dhe disa udhëheqës të tjerë kosovarë që e pasojnë.
Idriz Hoxha duke folur për patriotizmin e disa udhëheqësve kosovarë tha: Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës që gëzojnë një farë autoriteti, kanë një farë alergjie karshi udhëheqjes shqiptare dhe kjo lidhet me postet e tyre. Me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ata mendojnë se humbin postet që kanë, prandaj kërkojnë një farë garancie. Kjo vërehet edhe tek intelektualët që kanë poste të rëndësishme.
Po fillon të bëhet e qartë se UDB-ja e sotme po fillon të ndjekë të njëjtën rrugë si UDB-ja e vjetër. Xhevdet Hamza, shefi i UDB-së për krahinën e Kosovës, ka kërkuar nga Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës që të merren masa për të frenuar situatën. Para disa javëve kur Grupi Artistik “Liman Kaba” i Dibrës së Madhe dha disa shfaqje në Kosovë me repertorin krejt shqiptar, e përmbajtje patriotike, Xhevdeti kërkoj që jo vetëm të ndaloheshin shfaqjet, por edhe të merreshin masa frenuese. Kombinati i Drurit që u dogj para disa kohëve në Obiliq dhe që u munduan ta përdornin si argument që të bindnin opinionin se Shqipëria ndërhyn në çështjet e brendshme të Jugosllavisë, jo vetëm që doli e qartë se djegja ishte kurdisur nga ish-UDB-ash të hequr, por edhe nga UDB-ash të rinj. Grupi i albanologëve shqiptarë që mori pjesë në simpoziumin e Prishtinës, gjatë gjithë kohës u mbajt nën një kontroll të fortë nga ana e UDB-së.
Shpërnguljet e shqiptarëve në Jugosllavi, nuk janë ndërprerë. Nga Kosova gjithmonë po largohen familje shqiptare për në Turqi. Edhe në Malin e Zi po vërehet largimi i shqiptarëve, ndërsa në Maqedoni ky fenomen është më i theksuar.
Emigracioni reaksionar shqiptar që ka banuar në Kosovë, në pjesën më të madhe është larguar jo vetëm nga Kosova, por dhe nga Jugosllavia. Në Kosovë kanë mbetur vetëm ata emigrantë që kanë lidhje të ngushtë me UDB-në. Këta janë persona pa kredi që populli i ka urryer. Edhe ardhja e Panajot Plakut në Kosovë nuk e përmirësoj gjendjen e tyre. Sipas Ramiz Kelmendit, mbas vdekjes së Panajotit, ky ishte takuar në Beograd me një person që e njihte atë dhe i kishte thënë se Panajoti tre herë kishte tentuar të vetëvritej. Mendimi i Ramiz Kelmendit ishte se vdekja e Panajot Plakut nuk ka qenë natyrale.
Mbi gjendjen në vendin tonë kishte mendime të ndryshme. Gjon Shiroka shprehu mendimin se propaganda në Shqipëri ka bërë që njerzit të humbasin individualitetin dhe të kthehen në automatë që flasin të gjithë njëlloj, ndërsa Ramiz Kelmendi e kundërshtonte këtë duke thënë: Kjo është gjëja më positive, sepse tregon se populli është i lidhur me Partinë, dhe kur njerëzit mendojnë të gjithë njëlloj, është më mirë se Shqipëria bëhet më e fortë dhe këtë koha e provojë.
Gjon Shiroka shprehu mendimin se në Shqipëri mungon liria e shtypit, artit dhe muzikës, liria në shkencat shoqërore dhe filozofike, ndërsa në Jugosllavi ekziston liri e plotë, edhe për këtë, Ramizi dhe Idriz Rexha nuk ishin dakord me Gjonin. Ata i thanë se: Në Jugosllavi ekziston vetëm anarshi e plotë.
Ata paraqitën edhe këto kërkesa:
Të hapet në Prishtinë një ekspozitë e librit shqiptar, të dërgohet një ansambël artistik, të këmbehen gazetarë, t’ju jepet mundësia për të vizituar redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit” ose “Bashkimi” për të parë organizimin e punës.
Të trajtohen me ngrohtësi kosovarët që vijnë në Shqipëri dhe të mos konsiderohen si përfaqësues zyrtar jugosllavë, por si shqiptarë.
Për përfundimin e kontratës, e sidomos për çmimin e blerjes së librave mbetën shumë të kënaqur, duke thënë se ky është një sukses i dyfishtë për ju dhe për Kosovën. Nga ana tjetër u bë mirë për ne si persona, mbasi po të mos e kishim përfunduar edhe kësaj here marrëveshjen, do të na akuzonin se ne nuk vijmë në Shqipëri për blerje librash, por nga dashuria për Atdheun. /Memorie/