fbpx
Lajme

Familjarët e dy policëve: Mblodhëm 300 mijë euro për t’i dhënë ryshfet për gjyqtarin e EULEX-it

Raportim i vitit 2014: https://balkaninsight.com/sq/2014/11/07/skandal-dhe-dyshim-n%C3%AB-misionin-e-be-s%C3%AB-n%C3%AB-kosov%C3%AB/?fbclid=IwAR11f9xPzN7BF2i9QQnVFmVOXM6lBO4CQzs8jX4oUJYQwIcNpOOpoD1trdw

Është e qartë se të qenët qendra e skandalit më të keq në historinë gjashtë-vjeçare të EULEX ka ndikuar te Maria Bamieh. E ulur në kolltukun e shtëpisë së saj pranë bazës “Film City” të KFOR në Prishtinë, prokurorja britanike 55-vjeçare foli me ndërprerje, me zërin e lodhur të një personi që me shumë gjasa nuk ka fjetur mirë për javë të tëra.

“Dua vetëm që kushdo të kuptojë se nuk jam një bushtër e tmerrshme mosmirënjohëse,” tha Bamieh, duke marrë një cigare.

Gjatë dy javëve të fundit, ajo ka dalë si akuzuesja kryesore e EULEX në një skandal korrupsioni që ka habitur Kosovën dhe ka jehuar në korridoret e pushtetit në Bruksel. Sipas prokurores, ajo është thjesht një bilbilfryrëse që nuk është marrë seriozisht, dhe më pas u pushua nga puna se i kërkoi me forcë misionit të BE të sundimit të ligjit që të hetonte siç duhet pretendimet e korrupsionit në radhët e veta.

Nga ana tjetër, EULEX, edhe pse në heshtje, e ka bërë Bamieh të duket si një punonjëse e pakënaqur e cila zemërimin për humbjen e punës e ka shfryrë duke vënë në siklet misionin duke nxjerrë dokumente të ndjeshme te gazeta Koha Ditore. (Bamieh e mohon këtë).

Dhjetëra faqe të dokumenteve të brendshme të EULEX, që BIRN i ka, paraqesin një imazh më të errët dhe të paqartë. Prova e korrupsionit është rrethanore – bazuar në përgjimet dhe dëshmi që kanë besueshmëri të dyshimtë. Por njëkohësisht, duket se një ankesë fillestare nga Bamieh nuk çoi në hetim zyrtar. Misioni veproi vetëm kur njësia e tij e inteligjencës doli me prova, duke filluar një hetim të brendshëm në maj 2013, rreth një vit pasi Bamieh bëri një ankesë, sipas një përmbledhje konfidenciale të hetimit të brendshëm.

Sipas Bamieh ajo u kaloi një konspiracion që donte të prishte çështjen e korrupsionit të saj duke përdorur ryshfet në 2012. Bisedat e regjistruara me autorizim të gjykatës përfshinë ndërmjetësin e të pandehurit Ilir Totaj, një zyrtar të ministrisë së Shëndetit, ku diskutojnë kontakte me gjykatësin e EULEX në atë kohë, Francesco Florit. “I thashë, thuaji nëse ai është dakord dhe garanton se puna do kryhet, ai duhet të na thotë, si dhe çfarë mund të bëjmë për të,” thotë një burrë në një bisedë të regjistruar në 31 maj 2012.

Gjithashtu shqetësuese, sipas Bamieh, ishte se ndërmjetësit e Tolajt po merrnin informacion nga zyra e Jaroslava Novotna, kryeprokurores së EULEX, që duket se po konspironin që ta largonin atë nga çështja. Novotna nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

“Isha e tronditur nga ato që po dëgjoja në përgjime,” kujtoi Bamieh. “U ndjeva si të isha në mes të një romani të John Grisham”.

Ankesat e shpërfillura

Çështja e korrupsionit Tolaj përfshiu akuza politike dhe u ndërlikua. Në të pati akuza se zyrtarët e Ministrisë së Shëndetit kishin marrë ryshfete si shpërblim për kontratat e shëndetit. Teksa Bamieh punonte me çështjen në pranverën dhe verën e 2012, oficerët e policisë së Kosovës monitoronin telefonat e Tolaj, që ishte burgosur dhe të ortakëve të tij.

Lojtarët kyç në skandalin e EULEXMaria Bamieh – Prokurore e EULEX Bamieh pretendon se EULEX i shpërfilli raportimet e saj për korrupsion brenda misionit. Përkundrazi, ajo u përball me hakmarrje. Misioni e ka pezulluar atë për dyshime të rrjedhjes së dokumenteve të ndjeshme te shtypi. Ajo e mohon këtë.Francesco Florit – Ish-kryetar gjyqi në EULEX Florit akuzohet se ka pranuar një ryshfet për të liruar një të pandehur për vrasje dhe se ka kërkuar një ryshfet në çështjen Tolaj të korrupsionit. Florit, aktualisht një gjykatës në Itali, i quan akuza të pabaza.Jaroslava Novotna – Kryeprokurore e EULEX Bamieh ka akuzuar Novotnan për bashkëpunim në përpjekjet për të prishur çështjen Tolaj.Ilir Tolaj – Ish-sekretar i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë Tolaj u dënua për mashtrim me teksat dhe për abuzim me pushtetin në një çështje korrupsioni në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës. Bamieh ishte hetoi çështjen dhe zbuloi përgjime që sugjeronin ndërmjetësime të Tolaj për të ndikuar çështjen përmes Florit dhe kryeprokurores së EULEX.
 

Sipas emaileve që ajo i tregoi BIRN, Bamieh filloi të çonte mesazhet në fjalë në maj, mbi dijeninë për bisedat e përgjuara që sugjeronin se kishte një përpjekje për të korruptuar Florit, dhe për bashkëpunimin e Novotnas.

Bamieh gjithashtu lajmëroi Signe Justesen, kreun e Zyrës Speciale të Prokurorisë së Kosovës, dhe e çoi ankesën te Silvio Bonfigli, që në atë kohë ishte kreu i autoritetit ekzekutiv të EULEX. Sipas Bamieh, Bonfihli e siguroi atë se pretendimet e saj do të hetoheshin.

Emailet e Bamieh sugjerojnë se Bonfigli po përgatitej ta drejtonte ankimin e saj te njësia e hetimeve të brendshme, por duket se kjo nuk ndodhi. Bonfigli, i cili e la misionin që atëherë dhe punon si një prokuror në vendlindjen e tij Itali, nuk iu përgjigj mesazheve nga BIRN.

Justesen, që e la postin e saj në janar 2013, vendosi të mos diskutonte se çfarë ndodhi gjatë mandatit të saj, por ofroi vlerësim për Bamieh. “Mund t’ju them se e konsideroja Marian si një prokurore shumë të ndershme dhe të dedikuar e cila gjithnjë bënte çfarë mendonte se ishte më e mira për zbulim e së vërtetës dhe luftimin e krimit,” shkroi Justesen në një email.

Privatisht, zyrtarët e EULEX kanë sugjeruar se Bamieh mund të jetë duke e ekzagjeruar nivelin e ankimeve të saj. Ata përmendin mënyrën sesi ajo shkroi një pjesë të aktakuzës së Tolaj, që tingëllon shpërfillëse e provave për ndonjë sjellje të papërshtatshme.

Kur ajo nxorri aktakuzën e saj për çështjen më 4 korrik 2012, Bamieh shkroi: “Nuk sugjerohet se Florit apo Novotna janë përfshirë në përpjekje për të kompromentuar drejtësinë. Me shumë gjasa individët e përfshirë po japin informacion të rremë për Tolaj për interesa personale.”

Nga ana tjetë, Bamieh tha se ajo po përpiqej të gjente balancën mes detyrimeve të saj për të zbuluar provat në çështjen kriminale dhe të ruante çdo hetim të brendshëm në EULEX.

“Ndoshtja nuk e thashë në mënyrën më të mirë të mundshme,” tha Bamieh për aktakuzën. “Por isha në pengesë kohore, dhe Signe [Justesen] dhe unë ramë dakord se do t’i përfshinim ato pretendime në aktakuzë. Ne do ta përfshinim përgjimin, por do e bënim në atë mënyrë që nuk do të ndikonte te hetimi i brendshëm që besonim se po kryhej në atë kohë.”

Gjykatësi që është akuzuar

ProvaPërgjime: Ato sugjerojnë se pati një përpjekje për të penguar çështjen Tolaj, pjesërisht nëpërmjet ryshfetit. E meta është se ato tregojnë vetëm palë të treta të bisedojnë rreth tyre dhe nuk ka prova se ryshfeti u dha me sukses.Dëshmia: Anëtarët e familjes së dy prej tre oficerëve të policisë të përfshirë në bombardimin e 2007 dhe në vrasjen e trefishtë kanë raportuar se mblodhën para për t’i dhënë ryshfet Florit, rreth 300,000 euro, që ata të liroheshin, por vetëm njëri u lirua. Oficeri u lirua në të dyja çështjet dhe avokatët e tij kanë mohuar të kenë dhënë ryshfet. Familjet kërkojnë një rigjykim për vrasjen e trefishtë, që Florit thotë se është një motiv i mirë për të shpikur historinë e ryshfetit. 

Dy javët e fundit nuk kanë qenë të mira as për Francesco Florit, po ashtu. Ish-kreu i gjatësve të EULEX, që tani shërben në Udine, Itali, e kishte përballuar në heshtje një hetim të brendshëm të EULEX që prej vitit 2013 për pretendimet e ryshfetit, derisa Koha Ditore e bëri atë publik, dhe Bamieh e akuzoi atë haptazi në intervista.

Gjykatësi italian ra dakord të diskutonte haptazi pretendimet, madje edhe u përball me Bamieh gjatë një debati në stacionin televiziv të Kosovës, Kohavision.

Florit, që e mohon me vendosmëri të ketë marrë ryshfet apo të ketë kërkuar para, tha se EULEX po humbiste kohën.

“Misioni duhet ta marrë ashtu siç është, një akuzë e pakuptimtë që nuk meriton vëmendje dhe as humbje të mëtejshme kohe dhe që duhet të arkivohet,” tha ai.

Edhe nëse hetimet e mëtejshme do e nxjerrin të larë, Florit pretendon se karriera e tij është shkatërruar. “Kush do të promovonte apo do rekrutonte një gjykatës që është dyshuar se ‘shet vendime’?” pyeti ai.

Akuza më e fortë kundër Florit është se ai mori 300,000 euro në 2009 për të siguruar lirimin e një të pandehuri për vrasje. Kjo akuzë, gjithashtu, u zbulua nga Bamieh në 2013 teksa hetonte bombardimin e një klubi në 2007, në bulevardin Bill Clinton në Prishtinë, ku u vranë dy persona.

Çështja përfshinte tre të pandehur, të gjithë ish-anëtarë të një njësie speciale të policisë së Kosovës. Në 2009, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi u dënuan, ndërsa Nusret Cena u lirua në një gjyq ku Florit ishte gjykatësi kryesor i panelit me tre anëtarë. Të tre burrat u gjykuan gjithashtu për një vrasje të trefishtë që ndodhi pranë Kacanikut dhe në atë çështje, Cena ishte po ashtu i vetmi person që u lirua, ndonëse Florit nuk u përfshi në atë gjyq.

Anëtarët e familjes së Hasanit dhe Qerimit pretendojnë se kishin bërë një përpjekje të përbashkët për të siguruar para për lirimin e të tre burrave, dhe se një ryshfet iu pagua Florit në 2009 në Durrës, Shqipëri.

Sipas versionit të ngjarje të familjarëve, paratë e grumbulluara nuk ishin të mjaftueshme që Florit të lironte të gjithë të pandehurit, ndaj Cena ishte i vetmi i liruar. Cena dhe avokatët e tij e kanë mohuar këtë gjë, ashtu si Florit.

Flurim Asani, vëllai i Besnik Hasanit, tha për hetuesit e EULEX në 2013 dhe për BIRN këtë muaj se ai ishte në Durrës për një takim mes Florit dhe një avokati për të diskutuar marrëveshjen. Asani tha se ai e pa Florit nga larg, por nuk mori pjesë në takim.

Florit, nga ana e tij e ka mohuar të ketë qenë ndonjëherë në Shqipëri në 2009 dhe tregon se historia është një përpjekje për të siguruar një rigjykim – për të cilën familja po nxit në çështjen Kacanik të vrasjes.

Bamieh e pranoi se mundësia e historisë së ryshfetit mund të ketë qenë e trilluar. Por ajo tha se kishte një arsye të fortë për të pasur dyshime rreth Florit, veçanërisht duke marrë parasysh përgjimet në çështjen Tolaj.

“Nuk kam thënë kurrë se ai është fajtor. Kam thënë se ka diçka këtu që kundërmon. Dhe kundërmon shumë,” tha Bamieh.

Sa për çështjen Tolaj, Florit u shpreh se përgjimet në atë çështje tregojnë vetëm se njerëzit po flasin për të – dhe se ai nuk mund të mbajë përgjegjësi për ato që thonë të tjerët – dhe se i pandehuri kryesor u shpall së fundmi fajtor.

Florit e pranon se ai takoi – pesë ose gjashtë herë – një nga ndërmjetësit e Tolaj, një profesor. Gjykatësi, megjithatë këmbëngul se takimet ishin shumë pa të keq. Profesori kishte gjëra dashamirëse për të thënë, si një ftesë në leksion në Universitetin e Prishtinës, tha Florit. Por në vizitën e fundit, profesori foli për çështjen Tolaj, për të cilën Florit tha se ai e përzuri burrin dhe dorëzoi një raport te Bamieh të nesërmen.

Florit çoi një kopje të deklaratës te BIRN, që bie dakord me versionin e tij të ngjarjeve. Por Bamieh thotë se Florit e dorëzoi atë vetëm pasi u përball me gjykatësin rreth përmendjen së emrit të tij në përgjime. Florit thotë se ai e bëri me nismën e tij.

Çfarë EULEX bëri dhe nuk bëri

Reagimi i EULEX për akuzatFillim i ngadaltë: Kur Bamieh filloi të bënte ankime rreth përgjimeve Tolaj në maj 2012 dhe duket se ka çuar një memo te kreu i ekzekutivit të EULEX, nuk u morën veprime direkte. EULEX filloi një hetim të brendshëm në maj 2013 pasi njësia e vet e inteligjencës mblodhi prova që sugjeronin për korrupsion të mundshëm të Florit dhe të një prokurori.Hetimi i brendshëm: Një hetim i brendshëm i EULEX nuk gjeti prova se Florit apo prokurori kishin pranuar ryshfetin, por nuk e përjashtoi mundësinë. Theksoi se përgjimet tregonin një përpjekje për t’i dhënë atyre ryshfet, por sugjeroi se mund të ishte një skemë për t’i marrë para klientëve – ose një përpjekje për të çorientuar hetuesit. Hetimi tha se ankimi fillestar i Bamieh ishte zhdukur nga arkivat e EULEX. Rekomandoi që të caktohej një prokuror i pavarur për të hetuar pretendimet.Hetimi i pavarur: Dy prokurorë (një ndërkombëtar dhe një vendas) raportohet se kanë drejtuar një hetim për akuzat e korrupsionit brenda EULEX. Nuk është e qartë se sa zgjati dhe për shtrirjen e tij.
 

Sipas një raporti të brendshëm që BIRN siguroi, EULEX filloi t’i merrte akuzat për korrupsion seriozisht vetëm në maj 2013 pasi njësia e inteligjencës së misionit siguroi prova se Florit dhe një prokuror kishin pranuar ryshfete. BIRN nuk po e jep emrin e prokurorit, me të cilin nuk arrit të kontakojë për t’i dhënë mundësinë që t’i përgjigjej direkt akuzave.

Raportet e njësisë së inteligjencës nxitën një hetim të brendshëm formal. Ai hetim arriti në përfundimin se kishte shumë mundësi të ishte bërë një përpjekje për të korruptuar Florit dhe prokurorin, por nuk zbuloi prova se këto përpjekje ia kishin dalë, duke sugjeruar se përgjimet e dyshuara mund të shpjegoheshin si një përpjekje e avokatëve për të mashtruar klientët ose si përpjekje për të çorientuar hetuesit.

Hetuesit kontrolluan edhe në llogaritë bankare të Florit dhe nuk gjetën transaksione të pazakonta, por theksuan se kjo mund të hetohej më mirë nga një prokuror në një hetim kriminal”.

“Nuk ka bazë për dyshime të ryshfetit në stafin e EULEX,” shkruan hetuesit.

Megjithatë, hetimi i brendshëm nuk e përjashtoi mundësinë e një ryshfeti të mundshëm dhe këshilloi që një prokuror i pavarur të caktohej për të hetuar më tej akuzat – gjë që EULEX thotë se e ka bërë.

Pjesa më e diskutuar e hetimit, megjithatë është e lidhur me mënyrën sesi misioni u mor me ankimet fillestare të Bamieh, veçanërisht me një memo që ajo i çoi Silvio Bonfiglit, kreut të divizionit ekzekutiv. “Që nga kjo datë, memo nuk çoi në asnjë veprim brenda Misionit,” shkruan hetuesit, duke vënë re se Bamieh kishte lajmëruar gjithashtu zëvendës-kryetarin e atëhershëm të Misionit, Andy Sparks dhe Kreun e Misionit, Xavier Marnhac për dyshimet e saj.

Memoqë u zhduk në mënyrë të mistershme, gjë që hetuesit e panë si shqetësuese: “Fakti që një dokument i rëndësishëm mund të zhduket tregon nevojën për një hetim të hapur dhe transparent. Është e rëndësishme që Misioni të zgjidhë këtë çështje.”

Hetimi i brendshëm nuk arriti në përfundimi se kishte pasur një mbulim, siç pretendon Bamieh, por i jep besueshmëri pretendimit. “Fakti është, njerëzit nuk duan ta besojnë. Unë nuk doja ta besoja. E dija se njerëzit, edhe duke pasur përgjimet, do të thonin “Ho ho ho, kjo është stisur mirë.”

Pyetur për përgjigjen fillestare ndaj ankesave të Bamieh, EULEX tha se procesi thjesht mori kohë. “Hetimet nuk janë gjithnjë lineare. Është një çështje komplekse ku duhet të bashkoheshin elemente të ndryshme përpara se një hetim të hapej formalisht,” tha zëvendësja e EULEX Dragana Nikolic-Solomon.

 
Shefja e politikës së jashtme të BE Federica Mogherinikëtë javë lajmëroi një hetim të pavarur. 

Prokurorja ‘nuk kishte plan të turpëronte EULEX’

Kur EULEX pezulloi Bamieh më 23 tetor, prokurorja e kishte marrë me kohë atë rrugë dhe jo e kënaqur për këtë. Bamieh nuk iu ofrua një pozicion në misionin e BE të sundimit të ligjit të shkurtuar së fundmi dhe kundërshtimi i saj – se ishte vlerësuar padrejtësisht gjatë procesit të ripunësimit – u refuzua.

Bamieh tha se Novotna, rreth së cilës kishte ngritur dyshime në çështjen Tolaj, ishte pjesë e procesit të vlerësimit dhe e vlerësoi dobët. Provat për këtë janë pak të besueshme: një fletë vlerësimi që tregon se Bamieh u rendit e 21 nga 26 në një listë të prokurorëve por nuk tregohet se kush e bëri vlerësimin.

EULEX nuk ka thënë nëse Novotna ishte pjesë e procesit të vlerësimit, por theksoi se procesi i përzgjedhjes ishte konkurrues, me 17 kandidatë për katër pozicione.

Bamieh, nga ana e saj, e sheh vendimin e fundit të EULEX për të mos e ripunësuar atë dhe pezullimin e fundit si një kod hakmarrje që ajo pretendon se ndodhi pasi ajo bëri akuzat në 2012.

Vendimi për të folur, thotë Bamieh, çoi në izolimin në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në hetime të vogla për çështje si parkimi i gabuar apo të pasurit e një praktikanti. Ajo ka bërë gjithashtu akuza se u trajtua kështu, pjesërisht sepse ishte një grua dhe ishte nga një pakicë etnike.

Bamieh këmbënguli se pavarësisht ankesave të saj, ajo planifikoi të vepronte në heshtje, edhe pse ankesat e saj do të bëhen gradualisht një padi.

“Nuk e kisha planifikuar kurrë të turpëroja publikisht EULEX,” tha Bamieh. “E bëra vetëm sepse u pezullova.”

“Unë jam 55 vjeçe, nuk kam nevojë të punoj. Mund të largohem dhe të dal në pension e lumtur duke u kujdesur për kopshtin tim dhe duke qëndruar me familjen time. Por unë nuk do e lejoj që kjo të ndodhë padrejtësisht.”

https://www.theguardian.com/politics/2022/jul/03/foreign-office-to-pay-423000-lawyer-who-lost-job-maria-bamieh?CMP=Share_AndroidApp_Other&fbclid=IwAR1shNjO2gQ2AdA5rbhg2M21me5ZeUtnKGPfUyWzWlEJ4LNb1dHb7go9j3w

Raportime shtesë nga Valerie Hopkins.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close