Epilogu

Fatmir Haklaj: Nuk e njoh marrëveshjen mes FARK-ut dhe Qeverisë shqiptare, s’mund të kaloni

Speciale nga gazetari investigativ Artan Hoxha, Dosja ‘Tropoja’. Roli i Fatmir Haklajt në luftën e Kosovës. Pse u bllokua në Tropojë njësia (Brigada) ushtarake “Mërgimi” e Bujar Bukoshit. Si dhe nga u dërgua ngarkesa me armë në Kosovë dhe pse u largua nga Shqipëria komandanti i brigadës “Mërgimi” Koloneli Tahir Zemaj që u vra më pas. Misteri i vrasjes në Pejë të 6 pjesëtarëve të njësisë “Mërgimi” dhe akuzat për Ramush Haradinajn

Shkak i bllokimit të kalimit të ngarkesës me armë nga Tropoja në Kosovë, ishte fakti se ushtarët e Bukoshit akuzoheshin për grushtin e shtetit më 14 shtator në Tiranë. Pas këtij veprimi, 6 pjesëtarë të brigadës “Mërgimi” u rrëmbyen dhe u gjetën të vrarë në afërsi të Pejës. Kjo ngjarje përfundoi në gjykatën e Hagës dhe të dyshuar kryesorë u akuzuan Ramush Haradinaj dhe trupat e UÇK-së të drejtuara prej tij.

Vetëm pak ditë nga përfundimi i luftës së Kosovës Fatmir Haklaj u bë protagonist në një tjetër ngjarje. Këtë radhë ai dhe shefi i Rendit të Tropojës Jaho Mulosmani organizuan bllokimin dhe çarmatimin e njësisë ushtarake “Mërgimi”, e cila drejtohej nga Kolonel Tahir Zemaj. Kjo brigadë ishte pjesë e FARK-ut (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës), trupa të financuara nga qeveria në ekzil e kryeministrit Bujar Bukoshi. Kjo njësi ushtarake u tërhoq nga fronti i luftimeve në territorin e Kosovës në momentin që ushtria serbe nisi operacionin e koduar “Patkoi”. Më pas, pjesa më e madhe e trupave të Brigadës “Mërgimi” u vendosën në bazën kryesore të FARK-ut, pranë Mamurrasit. Shërbimi Informativ Shtetëror dhe qeveria Nano e akuzuan kryeministrin Bukoshi dhe drejtuesit e FARK-ut, se një pjesë të trupave që i kishin në Shqipëri, i përdorën gjatë trazirave të 14 shtatorit 1998 për të rrëzuar qeverinë e majtë dhe për të kthyer sërish në pushtet ish-presidentin Berisha.

KOLONELI

Disa ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë, më datë 19 qershor 1999, forcat speciale të policisë shqiptare shkuan në Mamurras dhe kërkuan nga drejtuesit e Brigadës “Mërgimi” që të largoheshin drejt Kosovës, duke lënë aty të gjitha armatimet e rënda, si raketat tokë-tokë dhe tokë-ajër, armë të artilerisë etj. Ish-komandanti i kësaj brigade, Koloneli i vrarë Tahir Zemaj në kujtimet e tij shkruan: “Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të palës serbe dhe forcave të NATO-s, brigada “Mërgimi” u nis për në Kosovë. Me Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë Luan Hajdaraga dhe me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes ramë dakord që një pjesë të armatimit t’ia linim në dispozicion Ushtrisë Shqiptare për çka, edhe ashtu u veprua, kurse pjesën tjetër kryesisht armët e lehta, t’i merrnim me vete”. Policia dhe Ushtria Shqiptare bën një marrëveshje me drejtuesit e FARK-ut që të shoqëronin me mjetet e tyre autokolonën e brigadës “Mërgimi” deri në kufi. Përpara se brigada të merrte rrugën e kthimit drejt Kosovës, më 20 qershor 1999, Tahir Zemaj e kishte nuhatur rrezikun që i kanosej dhe u nis drejt kryeqytetit të Maqedonisë, Shkup. Vendin e tij në krye të brigadës e zuri Fazli Rugova.

BLLOKIMI

Autokolona u shoqërua nga mjetet e policisë dhe Ushtrisë Shqiptare deri në Qafën e Malit edhe pse marrëveshja ishte se duhej të shoqërohej deri në kufirin me Kosovën. Në Qafë Mali, brigada e FARK-ut u orientua të hynte në Kosovë, jo nga Kukësi, por nëpërmjet Tropojës. Pas një udhëtimi të lodhshëm nëpër një rrugë tepër të vështirë, autokolona e FARK-ut u ndal në hyrje të qytetit Bajram Currit, pranë varrezave të dëshmorëve. Komandanti i grupeve të gatshme të Tropojës Fatmir Haklaj, Shefi i Rendit Jaho Mulosmani dhe Feriz Kërnaja, u kërkuan trupave të FARK-ut të linin armët e rënda aty dhe të ktheheshin pas. Në të kundërt, do të kishin pasoja të mëdha. Brigada “Mërgimi” qëndroi për orë të tëra e bllokuar në hyrje të Bajram Currit. Drejtuesit e FARK-ut dhe qeverisë Bukoshi tentuan të negocionin me autoritetet shtetërore në Tiranë, por askush nuk merrte përsipër të urdhëronte Fatmir Haklajn të lejonte kalimin drejt Kosovës. Ai deklaroi se nuk e njihte marrëveshjen e bërë mes drejtuesve të FARK-ut dhe qeverisë shqiptare dhe se nuk merrte urdhra nga Tirana. Haklaj i cilësonte trupat e Tahir Zemajt si tradhtarë të Kosovës dhe deklaroi se nuk do të lejonte që 250 trupa të armatosura të kalonin nëpërmjet Tropojës për t’u dalë pas shpine trupave të UÇK-së që kishin derdhur gjak për çlirimin e Kosovës. Kontaktet nga Tirana nuk ia kthyen mendjen Haklajt, i cili këmbëngulte se çlirimtarët e Kosovës ishin trupat e UÇK-së dhe jo të FARK-ut.

PASOJAT

Përfundimisht autokolona e brigadës “Mërgimi” nuk u lejua të hynte në Kosovë nga Tropoja, por u kthye pas në drejtim të Kukësit, duke ndjekur një rrugë edhe më të vështirë se ajo e Qafë Malit. Këtë radhë itinerari ishte Bajram Curri-Qafë Luzhë-Kam-Krumë-Kukës. Ajo që ndodhi në Tropojë bëri që trupat e FARK-ut të mos hynin në Kosovë si çlirimtarë, por si një njësi e çarmatosur. Kolonel Tahir Zemaj dhe qeveria e Bukoshit e akuzuan Policinë dhe Ushtrinë Shqiptare se i kishin prerë në besë për të favorizuar UÇK-në. Sipas tyre, autokolona e brigadës “Mërgimi” ishte lënë qëllimisht e pashoqëruar në Qafë Mali, dhe ishte orientuar të hynte në Kosovë jo nëpërmjet Kukësit, por nga Tropoja në mënyrë që të ndalej dhe çarmatosej nga Fatmir Haklaj dhe njerëzit e armatosur që drejtoheshin prej tij. Nuk është sqaruar kurrë nëse Fatmir Haklaj e kreu këtë veprim me kokë të vetë apo kishte ndonjë orientim të posaçëm nga Tirana. Fakt është se pas këtij veprimi, 6 pjesëtarë të brigadës “Mërgimi” u rrëmbyen dhe u gjetën të vrarë në afërsi të Pejës. Hetimi për këtë ngjarje përfundoi në gjykatën e Hagës dhe të dyshuar kryesorë ishin Ramush Haradinaj dhe trupat e UÇK-së të drejtuara prej tij.

Exit mobile version