(Botuar me 15 shtator 1999 në KOHA JONE)
Nga Fieri, Pandi Gjata
Në Komunën e Cakranit dhe në qytetin e Fierit, Nano ka akuzuar dje Majkon si njeriun e Berishës në PS dhe si personin që ricikloi këtë të fundit në politikë. Ish-kryeministri deklaroi se Majko e ka penguar UÇK-në dhe ka ndihmuar njerëzit e Bukoshit, për të cilin ka informacione të hollësishme, si pjesëmarrës në trazirat e 14 shtatorit. Nano dje rrëfeu gjithçka nga dita e parë si kryeministër nga pas 29 qershori ’97 deri në 14 shtator ’98.
Analiza: 29 qershor ’97 -14 shtator ‘98
“14 shtatori ndodhi në një periudhë kur qeveria kishte gati skemën dhe një formulë të përgjegjshme për të qeverisur. Qeverisje dhe tërheqje e të gjithë faktorëve aktivë në politikën shqiptare në qeverisjen e vendit”. Kështu e nisi dje rrëfimin e tij për grushtin e shtetit që ndodhi 365 ditë më parë ish-kryeministri Fatos Nano. Kjo skemë sipas tij, synonte krijimin e një koalicioni forcash progresiste të së majtës e të qendrës të përfaqësuar prej 5 partive, ndarje përgjegjësish institucionale me opozitën. Kjo skemë kishte dy kolona themelore. “Së pari, drejtuesit e partive të koalicionit që nënshkruan marrjen përsipër të përgjegjësive të qeverisjes duhet të merrnin përgjegjësi kyçe në drejtimin e shtetit të ri”- tha Nano.
Kështu Gjinushi u zgjodh me konsensusin e maxhorancës në pushtet drejtuesi i parlamentit. Ceka në funksionin e Ministrit të Brendshëm, Xhuveli në postin e Ministrit të Bujqësisë dhe PBDNJ mori Ministrinë e Shëndetësisë. Kolona e dytë ishte tërheqja e hapur me një ftesë publike e drejtuesve të opozitës kryesore në bashkëqeverisje, në marrje përgjegjësish për krijimin e shtetit, deri në dhënien e drejtimit të institucioneve siç ishte Kontrolli i Lartë Shtetit. “Kjo e mbështetur me një strukturë të përfaqësimit parlamentar të opozitës, ku kryesimi i 1/3 të komisioneve të Parlamentit të ishin nën drejtimin e opozitës. Në të gjitha komisionet u ndërtua ndarja e përgjegjësive mes mazhorancës dhe opozitës. Skema ishte e ndershme, e hapur por edhe sfiduese për të shfaqur gjithsecili përgjegjësitë, ose aftësitë përballë elektoratit e komunitetit ndërkombëtar, që ishte në Shqipëri për të mbështetur daljen nga kriza dhe mospërsëritjen më të krizave”- theksoi Nano. Sipas tij, kur u pa që qeverisja ishte shumë serioze, nisën edhe mesazhet e mbështetjes politike edhe programet e financuara për rindërtimin e Shqipërisë. Nano kujton se pjesa e vjetër e vjetër e PD-së, që ngeli rreth e rrotull Berishës, nuk reagoi për asnjë çast pozitivisht ndaj kësaj kthese për të ndarë përgjegjësitë e qeverisjes. “Kështu preferoi rrugën e qëndrimin destruktiv, preferoi sërish aleancën me krimin e organizuar, goditjen e shtetit të ri që po ndërtohej me shumë vështirësi, me gurë, armë e revolta. Kjo kaloi në periferi të vëmendjes, apo të përkrahjes publike. Turmat e Berishës u rekrutuan nga disa mijëra në disa qindra. Për pasojë skema funksionoi”- tregoi ish-kryeministri. Filloi lëvrimi i 600 milionë dollarëve dy muaj pas qeverisjes. U sigurua rivendosja e të gjitha marrëdhënieve politike dhe shtetërore me të gjitha me FMN, BB, NATO, BE, SHBA e një varg organizatash, që riaktivizuan programet e ndërtimit të shtetit. “Në këtë moment kur këto përpjekje ishin në momentin e kurorëzimit të tyre, sepse ndodheshin përballë konferencës së dytë ndërkombëtare të donatorëve për Shqipërinë dhe momentit përfundimtar të miratimit të kushtetutës, ndodhi 14 shtatori”- tha Nano.
“Ja si ndodhi 14 shtatori”
Ish-kryeministri, 14 shtatorin e një viti më parë nuk e shikon si një ditë të veçantë, apo të shkëputur nga procesi politik. “Ishte kurorëzimi i një skenari destabilizues i Shqipërisë që kishte vepruar gjatë gjithë muajve të qeverisjes sonë”- tha ai. Nano përmend ngjarjet e Shkodrës dhe shkatërrimin e institucioneve atje, bllokimin e rrugëve dhe sulmin ndaj forcave të rendit, vrasjen e përfaqësuesve të rendit dhe një varg veprimesh jashtë kontrollit të qeverisë që tentuan dhe arritën të ashpërsonin klimën e marrëdhënieve midis shtetit dhe opozitës, që nga arrestimi i të gjatëve e deri tek vrasja terroriste e Azem Hajdarit. “Kujt i interesonte kjo gjë. Nëse do të kishte një njeri që ishte krejt i painteresuar për 14 shtatorin, vrasjen e Hajdarit dhe për destabilitet, ky njeri ishte Fatos Nano. Nëse kishte njeri që personalisht dhe politikisht në drejtim të forcës kryesore të votuar nga shqiptarët dhe qeverisë së saj, do të dëmtohej nga kjo gjë, ky ishte Fatos Nano.
Prandaj akuza ende nervoze, apo e qëllimshme që Fatos Nano braktisi shtetin dhe e la në duart e terroristëve, apo Nano ka gisht në vrasjen e Hajdarit, apo që Nano na futi në këtë rrugë kur s’i shtypi dot kokën Berishës, është qorre, ose e qëllimshme. Ose është shtegu më i saktë që gjithë ky proces i kulmuar në 14 shtator kishte për qëllim të largonte Nanon nga Partia Socialiste dhe nga drejtimi shtetit”, tregoi ish-kryeministri. Duke vazhduar analizën e një viti më parë, Nano tha se nuk mund të mos kërkojmë përgjegjësi edhe tek vetja. “Por nuk mund të mos ndaj me ju shqetësimin që në procesin politik që u kulmua në 14 shtator, nuk kishim vetë ne përgjegjësi dhe nuk kishte një ortakëri të pashpallur midis segmenteve të caktuara të PS, të koalicionit qeverisës, të qeverisë së tij, me opozitën, që sulmoi institucionet me dhunë” deklaroi Nano pas një viti nga dita e grushtit të shtetit. “Një pjesë e rëndësishme e zhvillimeve të pas 14 shtatorit nxori në pah që kjo aleancë e fshehtë dhe e heshtur ka ekzistuar dhe vazhdon të kërcënojë seriozisht mandatin tonë politik dhe elektoral, kredibilitetin politik edhe programit tonë”- shtoi ai. Kryeministri kishte sinjale për atë që do ndodhte në 14 shtator. Masat u morën në maksimum. “Kërkohej koka ime. Kishte një javë që sulmohej shtëpia ime, familjarët e mi janë nxjerrë 2 minuta para shpërthimit të granatave. Duhej koka ime, por unë nuk ua dhashë banditëve, por jam këtu për t’ua dhënë juve”, iu drejtua Nano socialistëve të Cakranit. Pasi ishte shkatërruar zyra e tij në kryeministri, mbi tavolinë në një kuti druri i ishte vendosur një plumb, që në gjuhën e kanunit do të thotë “ke gjak për të dhënë”. “Dhe po të shkoja në Presidencë ata do të vinin vetëm për kokën time”, tha Nano.
“Majko, njeri i PD-së në PS”
Pas 14 shtatorit qeveria pas informacioneve që dispononte, të mbledhura edhe nga shërbimet e specializuara bëri vlerësimin e ngjarjeve të kësaj dite si tentativë për grusht shteti, duke shpallur organizator dhe iniciator të tyre Berishën dhe njerëzit e tij. Këtë qëndrim e mbështeti edhe Parlamenti që zhveshi Berishën nga imuniteti. “Ky proces mbeti i bllokuar aty për shkak të takimit Majko-Berisha në 20 dhjetor, deri në të cilin edhe komuniteti ndërkombëtar ishte distancuar dhe kishte shpallur bojkotimin politik të Berishës dhe të pushtetit të tij dhunshëm. Jo vetëm publikisht, por edhe me vendimin për të mos kontaktuar më me të”- tha Nano. Atëherë komuniteti ndërkombëtar, gjykoi se politika shqiptare vendosi të riciklojë faktorin Berishë, i cili duhet të sqarohej nëse ishte i implikuar me krimin ose jo. “Por komuniteti ndërkombëtar kur pa se opinioni i brendshëm kishte vendosur riciklimin e Berishës, vendosi të ritakonte sërish”- shtoi Nano.
Ai renditi edhe një sërë ngjarjesh të pas 14 shtatorit, që kanë rrokullisur shumë gjëra deri në largimin e njerëzve të tjerë nga qeveria. “Një rast është Petro Koçi”- tha Nano për socialistin që e kishte në krah. Raste të tjera sipas tij janë aktive në kërkesat gjithmonë jo vetëm absurde, por edhe arbitrare të Berishës, që nga kryeparlamentari Gjinushi; kryeprokurori Rakipi, kryetari i SHIK-ut Klosi, Presidenti Meidani etj. Ai foli për seancën e fundit parlamentare, ku Berisha i kërkoi llogari kryeministrit Majko përse nuk i kishte qëndruar angazhimeve të marra në dy takimet që kishin pasur, për bllokimin e UÇK-së për gjoja kontrabandë armësh, dhe denoncimin e krerëve të SHIK-ut që ndihmonin UÇK-në për t’u marrë me kontrabandë armësh, droge, etj.
“I erdhi momenti i padurimit Berishës, dhe kur ai bëhet i paduruar zbulon të vërteta që nuk i di opinioni. I kërkon llogari Majkos, mirë ato gjëra që i ke bërë, po ato që nuk i ke bërë pse heziton akoma”- shtoi Nano, që pyeti e tregoi njëkohësisht çka bërë Majko. Së pari, ricikloi Berishën. Së dyti, nisi të zbatojë një varg kërkesash të Berishës që goditën Partinë Socialiste. “Konflikti në pamje të parë duket shumë banal, por shumë i thellë. Edhe konflikti me Petro Koçin, por se ky i fundit u largua vetë nga qeveria”, vazhdoi ai. “Majko ka bllokuar UÇK-në, ka ndihmuar Bukoshin”. “Drejtuesit e UÇK-së e dinë shumë mirë që qeveria Majko nuk i ka ndihmuar, por i ka bllokuar në ushtrimin e detyrave dhe detyrimeve të tyre nga territori shqiptar për çlirimin e Kosovës në bashkëpunim me NATO. Krahas këtij bllokimi që nuk mund ta bënte Berisha, qeveria Majko ka ndihmuar strukturat e Bukoshit në Shqipëri për armatosje, stërvitje në bazat e territorit shqiptar dhe për të krijuar një influencë të Bukoshit në Kosovë”. Kështu ka deklaruar dje Nano për atë pjesë që i takon marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën. Sipas tij, Bukoshi është identifikuar nga shërbimet e fshehta shqiptare dhe ato të UÇK-së, që strukturat dhe njerëzit e tij kanë marrë pjesë në 14 shtatorin e shkuar për të rrëzuar qeverinë Nano. “Në 14 shtator kërkohej koka e Fatos Nanos, Natyrisht Nano që pranoi të bëjë burg me vullnet politik, nuk mund të largohet nga frika, aq më tepër një njeri që e mori vetë me dëshirë dhe me kërkesën e partisë detyrën më të vështirë të shtetit të ri”, vazhdoi ai. “Ka nga ata që më thonë të mbyll gojën, por jo. Nuk e mbylla dhe nuk e hapa për interesa të mia, por që në mocionin e ’96 shtrova kërkesën për të organizuar më mirë partinë, për të qenë të përgjegjshëm ndaj njëri-tjetrit, pasi zgjedhjet po vinin dhe nuk ishim gati”,- shtoi Nano.
Si kryeministër ai kishte informacione që njerëzit Bukoshit ishin në veri të Shqipërisë. Ai tha se ka një dokument që vërteton se Berisha i ka kërkuar forca Bukoshit. Ato nuk ishin aq shumë të organizuara, ndërkohë që UÇK-ja vepronte në veri dhe ndihmonte qeverinë për të vendosur rendin. “Bukoshi ishte kryeministër në mërgim. Kishte mbledhur para në popull dhe nuk i kishte përdorur në momentin kur kosovarët donin të mbroheshin nga serbët. Filloi të shqetësohej se kush do të ishte nesër pas çlirimit në krye të Kosovës dhe dërgoi në Shqipëri njerëz me pjesë të parave për të blerë një sasi armësh”- tregoi Nano. Sipas tij, kalimi me armë përtej kufirit ishte i vështirë. “Kështu mashtroi fshatarë kosovarë që i dërgoi të merrnin armë në anën e këtejme të kufirit. Kur ata ktheheshin m armë për në Kosovë vriteshin nga minat ose mitralozët. Është fakt ekzekutimi i 50 burrave në kufi”- tha ish-kryeministri. Kjo situatë e pasigurt çoi në bashkëpunimin e Bukoshit në organizimin e 14 shtatorit.