Vëllai i dy heronjve të Kosovës, Fahri e Bahri Fazliut, jeton ende në banesën ku që nga viti 1982, kishte shërbyer për takime në bazë ilegale të shumë veprimtarëve të cilët shërbyen në luftën çlirimtare të Kosovës.
Në këtë banesë Fadil Fazliu kujton që vinin shpesh edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të dy këta si shokë të kamotshëm, që sipas aktakuzës dyshohet se janë përgjegjës për krime lufte.
“Një bazë e cila i ka shërbyer prej vitit 82’ e deri gjatë luftës ilegalëve, njerëzve të organizuar për çlirimin e Kosovës. Këtu ka qenë Fadil Vataj, ka qenë Afrim Zhitia, ka qenë Fahri Fazliu, Çeta e Llapit që i kemi thënë ne, ka qenë edhe Hashim Thaçi që po akuzohet sot dhe Kadri Veseli. Kanë qenë shpesh në takime, sidomos me Bahriun. Në këtë shtëpi kanë qenë edhe Hashimi edhe Kadriu. Gjithë ky aktivitet i shumë njerëzve çlirimtare, e sot të akuzohesh për një veprimtari të tillë që se kemi bërë nga Gjykata Speciale, është e padrejtë”, tregon Fazliu.
Fadili thotë se akuza të tilla janë të rënda për gjithë dëshmorët e veprimtarët, për çka shton se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë me ideale të larta.
“Qysh në vitin 89’ jemi njohur me ta edhe e kemi bërë një rrugë të gjatë me ta. Arsyeja pse jemi njohur me ta ka qenë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, të cilët kanë pasur raporte me ta dhe i kanë njohur. Akuza e ngritur nga Gjykata Speciale i vlerësojmë si jo të mira, sidomos për familjarët e dëshmorëve, por edhe për veprimtarët tonë që kemi qenë. Është një akuzë e padrejtë. Të akuzosh veprimtarët të cilët veprojnë, luftojnë për çlirimin e vendit, e mos të akuzosh të pushtuarit të cilët na kanë pushtuar me vjet të tëra, një ndër ta edhe gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, e cila ka qenë luftë me ideale të larta”, tregon ai.