Mbrëmë në KTV ndodhi një nga përplasjet më të ashpra të këtij viti. Gjatë debatit, ku protagonistë ishte analisti dhe ish-moderatori jo fort i suksesshëm, Rron Gjinovci dhe gazetarja Dafina Demaku, u tha shumëçka. Gjinovci, por edhe Nexhmedin Spahiu, u treguan absolutisht johumanë me historinë personale të Demakut, e cila është vajzë e dëshmorit.
Duke u thirur në procesin e Hagës, Gjinovci në një moment flet sikur të ishte zëdhënës i Zyrës së Prokrorit të Specializuar. Natyrisht, Gjinovci foli edhe për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe procesin në Hagë.
“Ti po m’kallxon për UÇK-në. Ti s’ke çka m’kallxon kurgjo. Unë e di për UÇK-në, e kam marr vesh në Hagë. Hashim Thaçi ka thënë s’jam kanë në Kosovë, Kadri Veseli ka kërcy prej helikopteri. Këto i kam marr vesh prej juve. Përjcellne procesin në Hagë. Gjergj Dedaj nuk u kanë normal. Qekjo është e vërteta e juaj. Mbi 100 viktima shqiptare nga njerëzit që akuzohen dhe janë sot në Hagë. Qekjo është e vërteta e UÇK-së dhe e jotja” – akuzon Gjinovci.
Megjithatë, duket se Gjinovci nuk e di saktë dosjen e Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Në fakt, në procesin në Gjykatën Speciale, Thaçi dhe të tjerët akuzohen për mbi 100 viktima të etnive të ndryshme, përfshirë shqiptarë, serbë dhe romë.
Kujtojmë që procesi ende nuk ka përfunduar dhe siç e do rregulli juridik, Thaçi dhe të tjerët janë të pafajshëm, deri në momentin kur vërtetohet e kundërta.
Por si nisi përplasja?
Debati nisi pas rrëfimit të Demakut, e cila e përmendi edhe babain e saj dëshmor të UÇK-së. Duke e kundërshtuar interpretimin e Gjinovcit dhe Spahiut, Demaku deklaroi se historia ekziston edhe para vitit 1989.
Ky shpjegim i Demakut, nuk i pëlqeu Gjinovcit.
“Ti s’ke aftësi me kuptu çka po flas” – deklaroi Rron Gjinovci.
“Qyre shkruje ti naj status, edhe ti bomi matjet” – ia ktheu Demaku.
“Unë kam faj që kam që kam pranu me ardhë me një njeri me inteligjencë kaq të ultë sa ti” – e sulmon verbalisht Gjinovci Demakun.
“Ani qe ku e ke derën zotni, krej çel kokan” – ia kthen me qetësi Demaku.
Përtej sulmeve absolutisht të papranueshme e dehumanizuese, Gjinovci lëshohet edhe në komente mbi luftën e viteve 1998-199. Madje, e komenton edhe pas luftën në Prishtinë.
“Oj ti çikë, unë jam kanë refugjat, unë nuk e kam pa asnjë ushtar të UÇK-së në jetën teme, kurrë. Unë i kam pa pas luftës njerëz, që kanë ardhë kanë thanë “jemi UÇK”, se nuk e di a janë kanë të UÇK-së, që kanë ardhë me uzurpu banesa. Këtë e di. Edhe e di që kojshiket e mia serbe plaka, të pafajshme, i kanë mytë njerëzit që janë thirrë në emër të UÇK-së. Unë ushtar të UÇK-së sa jam kanë refugjat, nuk kam pa. Unë kur kanë ardh me më nxjerr ushtarët serbë prej banesave, bashkë prej familjes tem prej shtëpisë në Prishtinë, asnjë ushtar të UÇK-së nuk e kam pa.” – deklaroi Gjinovci.
“Nuk lejoj këtu me u ofendu ushtari i UÇK-së” – ia tërhjek vërejtjen Demaku, Gjinovcit.
“Kërkush nuk është ka e ofendon ushtarin e UÇK-së” – deklaroi ai.
Ndërsa për historinë personale të Demakut, babai i sëcilës, Vesel Demaku, ra dëshmor në radhët e UÇK-së në luftën e fundit, e cilësoi si “degjenerim të publikut”. Historia e një vajze të dëshmorit, pra e gazetares Demaku, sipas Gjinovcit, e degjeneron publikun dhe duhet të jetë vetëm histori brenda katër mureve! Pra krejtësisht private.
“Ti s’je kërkushi, historia jote, ti mësoje në shtëpinë tënde, me fëmijët e tu. Në televizion ku unë jam, ku flitet publikisht, nuk ke me degjeneru publikun. Hiç nuk ke me degjeneru publikun. Ti je një prapambeturinë e regjimit të kaluar. Ti je një mbeturinë e regjimit të kaluar. Qekaq” – deklaroi Gjinovci.
E pas pak sekondave (ndoshta një minuti), Gjinovci e ndryshon qëndrimin e tij për historinë personale të Demakut. Pasi ia mohoi të drejtën për të folur për historinë e saj personale, duke ia reduktuar në vetëm “mësime për fëmijtë e saj”, Gjinovci i deklaron se ajo duhet të flas për historinë e saj, ndërsa ai për të veten.
“Unë kam lindë në vitin 1989, unë jam rritë në Prishtinë, unë e kam përjetu si në Prishtinë. Ti e ke përjetu si në vendin tënd. Ti fol për historinë tëndë kur ke lindë ti, unë flas për historinë teme.” – deklaroi Gjinovci.