Fevziu: Thaçi dhe të tjerët nuk akuzohen për asnjë vrasje konkrete, në burg janë për linjën e komandimit të UÇK-së
Njëri nga gazetarët më të njohur të Shqipërisë Blendi Fevziu në një intervistë për televizionin Euro News Albania ka dhënë disa detaje pas takimit me krerët e UÇK-së në Hagë.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi nuk janë në burg për akuza konkrete, asnjëri prej tyre nuk akuzohet për një krim konkret ose për një vrasje konkrete, ata janë në burg sot për linjën e komandimit të UÇK-së që sipas gjykatës këta duhet të ishin përgjegjësitë për çdo llojë zhvillimi. Në fakt është krejtësisht jashtë kontekstit si një njeri që e ka ndjekur luftën e Kosovës dhe kam qenë ndër të parët që kam hy në Kosovë dhe e di shumë mirë që lufta e Kosovës nuk ka qenë luftë midis dy ushtrive, ka qenë një lufte guerile e një grupi i cili mundohej të strukturohej. Të kërkosh llogari tek ta për një ngjarje që mund të ketë ndodhur në Malishevë e Rahovec kur në ato momente ata mund të kenë qenë duke e kaluar kufirin Shqipëri – Kosovë të zhveshur nga çdo pajisje elektronike e cila mund t’i identifikonte dhe mund t’i jipte sinjal forcave të sigurisë serbe se ku ata ishin kjo është absurde. Po të flasim me këtë logjikë çfarë mund të ndodhë në mes të luftës së Rusisë dhe Ukrainës. Në këtë aspekt është një akuzë krejtësisht e pa mbështetur”, shtoi Blendi Fevziu.