Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka pohuar se në partinë e tij nuk e kishte deklaruar si donatore kompaninë që ia kishte shtypur kartëvizitat për fushatë zgjedhore. Durmishi nuk ka pranuar të tregojë emrin e asaj kompanie. Megjithatë, bëhet fjalë për Blendi O.P që figuron se ka fituar tender nga MMPHI.
Durmishi nuk ka pranuar të tregojë emrin e asaj kompanie, duke thëne se i duket e pa arsyeshme të përmend emrin kompanisë e cila ia ka shtypur vetëm 100 kartëvizita. Sipas tij, ajo kompani nuk ka lidhje me tenderet në ministri, shkruan Periskopi.
“Po mendoj më ka ndihmu dikush, m’i ka shtypë 100 vizitkarta. Asnjë (nuk ka marrë tender), që nuk kanë lidhje me punën e ndërtimit të rrugëve. Tash mos ta them publikisht, por janë kompani që merren me shtypje të vizitëkartave. Unë po them që asnjë nuk ka lidhje me pjesën e infrastrukturës rrugore. Nuk po më duket e arsyeshme tash me folë për një kompani që shtyp vizitkarta… Nuk po më duket e arsyeshme me ia përmend emrin në emision një kompanie që merret merret me kartëvizita”, ka thënë mbrëmë Durmishi në ‘Kallxo Pernime’.
Gjatë ditës së sotme, prokurimi i Ministrisë së Infrastrukturës ka bërë njoftim për dhënie të kontratës për tenderin “Furnizim me Letër A 4, Folldera”, në një vlerë prej rreth 9000 euro.
Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi O.P. rezulton të jetë një kompani nga e cila Lëvizja Vetëvendosje, gjatë zgjedhjeve lokale ka blerë shërbime prej saj, konkretisht, në një vlerë prej rreth 10 mijë eurove, LVV ka blerë “shtypje të materialit reklamues”.
Çështja është, nëse edhe Hysen Durmishi ka pranuar shërbime të njëjta nga komuna të cilën e kishte angazhuar partia. /PERISKOPI/