Fshehja e shpenzimeve të Prindon Sadriut përmendet në raportin e Këshillit të Evropës
Fshehja e shpenzimeve të bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriut, për udhëtimet dhe shpenzimet për medikamente është raportuar nga Byroja e Parlamentit Evropian drejtuar Sekretarit të Këshillit të Evropës.
Në raport thuhet se ndër problemet e raportuara nga komisioneri janë mangësitë në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.
Aty thuhet se për gazetarët që punojnë në gjuhën serbe ka probleme në qasjen në dokumente në gjuhën serbe, përkundër nenit 5 të Kushtetutës që njeh shqipen dhe serbishten si gjuhë zyrtare, si dhe sipas informacioneve të marra nga shoqëria civile dhe gazetarët.
“IAP ka dhënë një rekomandim për një rast lidhur me qasjen në dokumente pas një ankese kundër Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës nga një kompani mediatike, Insajder, në vitin 2022. Ombudspersoni konstatoi se dështimi për të ndërmarrë veprime nga ministria, përkundër vendimeve të nxjerra nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, tregon për mungesë qasje në anën e ministrisë”, thuhet në pikën 127 të raportit.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u dënua me 13 mijë euro për fshehjen e faturave të shpenzimeve të Prindon Sadriut, që është edhe burri i presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Edhe një institucion tjetër konstatoi shkeljen e ligjit nga kryediplomatja kosovare. Avokati i Popullit, pas shqyrtimit të ankesës së Gazetës Insajderi, ka kërkuar nga MPJ që t`ia sigurojë gazetës faturat e kërkuara.
Avokati i Popullit ka konstatuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla, ka shkelur Ligjin për Qasje në Dokumente, pasi nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së një mediumi lidhur me faturat e shpenzimeve të Prindon Sadriut.
Kjo erdhi pas ankesës që ishte dorëzuar në këtë institucion, i cili pas shqyrtimit të rastit ka konstatuar shkeljet nga Gërvalla. Rrjedhimisht, ka përpiluar edhe raportin duke i rekomanduar Gërvallës t`ia ofrojë gazetës faturat e kërkuara për shpenzimet e Prindon Sadriut.
“Avokati i Popullit konstaton se në rastin e ankueses MPJD-ja ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve lidhur me mundësimin, përkatësisht lejimin për qasje në dokumentet publike në përputhje me kërkesën e parashtruar të ankueses, e drejtë kjo e garantuar me akte vendore dhe me instrumente ndërkombëtare”, thuhet në dokumentin e Avokatit të Popullit.
“Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës: T`i ofrojë qasje në dokumentet e kërkuar, në pajtim me Ligjin nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi”, thuhet më dokumentin që Avokati i Popullit i ka dorëzuar ministres Donika Gërvalla.