Epilogu

Gani Geci: Më shkoi mendja t’i vras tre serbë sepse ishin të armatosur, por në fund e ndëgjova Besim Dajakun

Gani Geci / Lufta pa maska

Njësiti i parë ushtarak që ka hyrë në Mitrovicë ka qenë njësiti që e kam drejtuar unë. Aty isha me Besim Dajakun dhe disa të tjerë. Populli na i ka marrë duart dhe na i ka puthur duke qarë. Me atë rast Besimi pati thënë me dhimbje: – Shyqyr që nuk e dinë njerëzit se në çfarë gjendje na kanë çuar ne!Megjithatë ne ishim pa maska dhe të gjithë me uniformë. Kjo gjë u bënte përshtypje pozitive njerëzve. Në fshatin e Vërnicës jemi takuar me tre civilë serbë. Në Jeep e kisha një murtajë, u ktheva nga njësiti dhe u thashë: – Këta qenkan shkije!, ua pashë gazetën e tyre dhe i ndala.- Prej nga jeni?, i pyeta. – Iz Vërnice!, (nga Vërnica) ma kthyen ata.- A keni armë? Më thanë që jo. 

Ne i zbritëm nga vetura dhe gjatë kontrollit ua gjetem tri revole, të cilat ua morëm. I pyeta se ku punonin, ata u përgjigjën se ishin punëtorë të Ujësjellësit. Një herë më shkoi mendja t’i vras, por ndërhyri Besim Dajaku dhe më tha: – Po i vramë këta tre shkije këtu, shkijet kanë mundësi në Shipol t’i vrasin treqind shqiptarë! Ato fjalë ma mbushën mendjen dhe i lëshova. Armët ua mora, një TT, një nëntshe dhe një shtatshe.

Ata shkuan. Të nesërmen janë larguar të gjithë shkijet e Vërnicës dhe kanë shkuar në Pantinë, aty ka qenë vetëm një shka, në fshatin Oshlan, në një shtëpi të vetmuar. Mora vesh se kishte marrë pjesë në luftë në Kroaci dhe se nuk kishte shka më të poshtër. I pyeta fshatarët, nuk isha prej atyre ushtarëve që bëja diçka pa i pyetur fshatarët se ç’farë mendimi kishin për të. Në qoftë se fshatarët do të mendonin se nuk duhej vrarë, megjithëse e dinin se ne qemë në luftë, mendoja se do të bëja më shumë keq se mirë. Ata më thanë: – Mos, se nuk jena të përgatitur për luftë, as për mbrojtje e as për tërhjekje! E lash atë shka, kishte qenë vetëm me një grua. Mandej kanë shkuar një grup tjetër, pas një kohe, por ai kishte pas fjetur në sanë, kur janë afruar ky grup, ai i ka gjuajtur prej sane, e mandej këta janë tërhequr. Aty kam pasur rast të shoh popullin se si është në gjendje të shkrihet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të japë edhe jetën e vet. Ishte hera e parë që pas njëqind vjetëve shihnin Ushtrinë e tyre, që fliste gjuhën shqipe. Ky ishte një ndryshim shumë i madh.

Propaganda ka qenë shumë e tmerrshme, jo ka, jo nuk ka Ushtri. Mirëpo, ata na kanë respektuar, na kanë ndihmuar, na kanë dhënë bukë. Por kanë kërkuar nga ne edhe disiplinë. Aty ku nuk kanë pasur mundësi të mbrohen, kanë kërkuar prej nesh që të mos i ngacmonim shkijet. Gjëra të logjikshme. Mos t’u jepnim pretekst shkijeve të shkaktonin tragjedi. Ne jemi kthyer në Llaushë, pastaj filloi Ofensiva e Parë, ne Likoc.

Exit mobile version