Gani Geci / Lufta pa maska
Në Heilbron, gjatë një takimi me bashkatdhetarë, në dhjetor 1995, mori pjesë edhe Adem Demaçi, i cili në atë kohë insistonte për formimin e bashkësisë shqiptare. E pranishme ishte edhe një anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Prishtina, që kishte ardhur për të vizituar djalin që e kishte në Gjermani. Në takim merrnin pjesë edhe Rahim Beka, nga Kllodernica e Skënderajt, Begzat Gashi, aktivist i LPK-së, Mehdi Bytyçi, si dhe shumë të tjerë. Nga ana e Lëvizjes Popullore të Kosovës, konkretisht nga Begzat Gashi kritikohej rëndë Sali Berisha dhe Qeveria e Shqipërisë.
Më kujtohet shumë mirë kur iu drejtua Adem Demaçi me këto fjalë: – Partia Socialiste e Shqipërisë është bërllogu i Shqipërisë!- Po më vjen keq, se kam pasur respekt për Ju baca Adem! ia ktheu Begzati.- Mos e shani Qeverinë Demokratike të Shqipërisë, se e shani veten! shtoi Baci Adem.
Disa individë të Lëvizjes Popullore të Kosovës kërkonin «luftë», mirëpo kur unë kërkova vullnetarë për të shkuar dhe për t’iu bashkëngjitur luftës e u tregova se atje në Kosovë kishte luftëtarë, të cilët prej vitesh qëndrojnë në mal, pa e përmendur emrin e Komandantit Legjendar, ata u tërhoqën menjëherë dhe filluan t’i akuzojnë të tjerët si titista. Sërish m’u desh t’u tregoj se «tek ne në Drenicë, titistët i kemi vrarë, kurse marksist-leninistëve shqiptarë ua kemi prerë vetëm veshtë», fjala ishte për Mehmet Gradicën në 45-tën. Ky tubim përfundoi pa kurrfarë suksesi. Për këtë takim ekziston edhe inqizimi me kamerë, që është bërë në shtëpinë e Sadik Ukës nga Gjakova. Në fund të vitit 1996 shkova në Shqipëri, e prej aty në Kosovë, në mënyrë ilegale. Para se të shkoja në Kosovë u takova me Rifat Jasharin në Gjermani, i cili m’i dha 1000 DM, të cilat ia kam kthyer më vonë, sepse atëherë isha i pa punë dhe nuk kisha të holla. Para se të nisesha u takova edhe me Ilaz Kodrën dhe Ramiz Lladrovcin, të cilëve u premtova se luftëtarëve të Lirisë do t’ua çoj dy qingja të pjekur në mal dhe do ti hanim së bashku me Ademin dhe shokët. Ata më përcollën deri në aeroportin e München-it dhe fluturova në Tiranë. Prej meje kërkohej dërgimi i armatimit nga Perëndimi në Shqipëri. Këtë detyrë e pranova dhe isha i gatshëm të pranoja çdo detyrë që do të më jepej për çlirimin e Kosovës. Kur mbërrita në shtëpi, erdhën Adem e Hamëz Jashari, Zenun e Fadil Kodra dhe Nuradin Lushtaku, i sapo kyçur në luftë. Së bashku shkuam te Osman Geci, i cili vetëm sa e kishte ndërtuar odën e re me ndihmën edhe të nipit të tij Hamëz Jashari. Atë natë e mobiluam odën dhe hymë për herë të parë në të. E mbajta fjalën që kisha dhënë për qingjat. U thashë se kishin shumë të fala nga Gjermania, prej Samiut e prej të tjerëve dhe se ata qenë të interesuar të dërgonin disa armë-snajper, përmes Shqipërisë. Edhe unë, si një mundësi tjetër zgjidhjeje, u propozova transportin e armëve një mikun tim nga Turqia, i cili kalonte mallra tranzit nëpër Kosovë. Kjo ishte një rrugë shumë e mirë.
Mbeti të merremi vesh me Sami Lushtakun, Ilaz Kodrën dhe ata të tjerët se kur e qysh, pasi ata i kishin mjetet në vende të caktuara ku mund t’i merrnin. Ishte viti 1996. Unë për komandant njihja vetëm Adem Jasharin, nuk njihja të tjerët. Me Ademin u takuam te Daja, ose te personi, i cili tash kishte blerë kallashnikov duke shitur tokë. Disa herë e takova aty Hamzën, i cili i ndihmonte Dajës për ta ndrequr odën e burrave. Kemi ngrënë dhe kemi pirë deri rreth orës 03.00. Unë ua poqa dy qingja, kurse Osmani i kishte përgatitur dy qurana. Aty gjendeshin: Adem Jashari, Hamëz Jashari, Osman Geci – Daja, Fadil Kodra, Zenun Kodra, Nuradin Lushtaku, Rrustem Geci dhe Xhevahir
Geci. Biseduam se çka duhej bërë në të ardhmen. Ademi më tha të shkoj në Gjermani dhe në qoftë se do të kishte mundësi t’i sillja armët që m’i kishin premtuar Ilaz Kodra dhe Ramiz Lladrovci. – Do t’i gjejmë mënyrat t’i sjellim nga Shqipëria në Kosovë, më thanë ata.Pas disa ditësh policia erdhi menjëherë të kërkonte Fadilin (vëllaun tim) dhe mua. Fadili u ndal në Kosovë, ndërsa unë kalova ilegalisht, sërish, në Shqipëri dhe prej andej në Gjermani, kjo ishte në vitin 1996. Sami Lushtakut dhe Ilaz Kodrës u tregova se kam kontaktuar me Ademin, i cili kërkonte ndihmë, në çfarëdo mënyre, si financiare ashtu edhe ushtarake.U thash të më njoftojnë kurdo që të niseshin për Kosovë, sepse qeshë i gatshëm për çdo aksion.