Njeriu i cili prej vitesh ka pushtet të madh në Byronë Kosovare të Sigurimeve, Gani Thaçi, vëllai i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, do të pensionohet të premten.
Nga e premtja, Gani Thaçi nuk do të ushtrojë asnjë pozitë në byronë ku kishte shërbyer si drejtor ekzekutiv e pastaj edhe si koordinator.
Nga një email i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, të cilin e ka siguruar Insajderi, është mësuar se të punonjësit e kësaj byroje kanë organizuar një drekë lamtumirëse për nderë të pensionimit të Gani Thaçin.
“Me rastin e pensionimit të parakohshëm të Koordinatorit z. Gani Thaçi ftoheni të gjithë te premten me datë 28.06 ditë e Premte ora 12:00 që të merrni pjesë në një drekë lamtumirëse që kemi organizuar për nder të bashkpunimit disa vjeçar”, thuhet në e-mailin e BKS-së.
Zyrtarët e BKS-së kanë përgatitur edhe një befasi për Thaçin në ditën e pensionimit të tij.
“Iu lutem nëse shihni se dikush nga stafi mungon ose që kam harruar ta përfshijë në e-mail e njoftoni. Gjithashtu jemi interesuar ta blejmë një dhuratë me vetfinancim secili sipas mundesisë në kontribut”, thuhet në e-mail.
E, pensionimi i Gani Thaçit nga Byroja Kosovare e Sigurimit përbën lajm të gëzueshëm për diasporën kosovare.
Është pikërisht Gani Thaçi, njeriu me shumë ndër vite në BKS, i cili ka udhëhequr politikat e kësaj byroje, e të cilat kanë dëmtuar financiarisht diasporën e Kosovës përmes polisës ndërkombëtare të sigurimeve kufitare për shtetet e Evropës, që njihet si Kartoni i Gjelbër.
Qindra miliona euro kanë përfituar kompanitë e sigurimeve në Kosovë me arsyetimin se vendi nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër.