fbpx
Lajme

Gashi: Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Adem Jashari janë pjesë e historisë e Kurti jo

Thonë se miku-mikut i ngjan me vite para se të takohen. Por, ndodh që edhe armiqtë të jenë kopje e njëri-tjetrit. 

Dardan Gashi

Jo rrallë në histori ka ndodhur që armiq të përbetuar, në emër të ideologjive e parimeve të ndryshme kanë sakrifikuar miliona jeta njerëzish, në realitet të jenë si binjakë në brendësinë e tyre. 

Për shembull Albini e Aleksandri, që të dy ishn zëdhënës gjatë kohës së luftës në Kosovë. 

Njëri zëdhënës i një ushtrie guerile, veteranët e së cilës sot i tallë,  përçmon e ofendon. Një guerile, të cilën ky e braktisi në mes të rrugës dhe që prej atëherë filloi me nje luftë të pashoqe kundër të gjitë udhëheqësve politikë e ushtarakë të rezistencës shqiptare dhe kundër çdo gjëje që është ndërtuar e arritur prej 1998 deri më 2019. Çdo gjë që është ndërtuar pa Albinin është e pavlerë, përfshirë këtu edhe luftën e shtetin e Kosovës!

Tjetri ishte Ministër për Informim i Milosevicit dhe ushtrisë së tij kriminale, të cilën ky me zell e rritë dhe e armatosë çdo ditë.

Njësoj sikur kolegu i tij në Prishtinë, Aleksandri karrierën e filloi me ideologji të mëdha, partia e tij radikale e Serbisë për qëllim primar kishte krijimin e Serbisë së Madhe. Njësoj sikurse Albini, ky nuk luftoi asnjë ditë me armë  për këtë kauzë përveç luftës së njohur e të shëmtuar kundër gazetarëve e mediumeve gjatë kohës sa ishte ministër i Milosevicit.

Që të dy, fillimet e viteve 2000 i kaluan duke agjituar e nxitur qytetarët e vendeve të tyre kundër Perëndimit. Aleksandri ishte në ballë të luftës kundër integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian dhe afrimit me Rusinë, në kohën kur Albini villte vnerë kundër Ahtisaarit, BE-së e ShBA-së dhe kërkonte bashkim me Shqipërinë.

Në vitin 2010 që të dy bëjnë kthesa të mëdha: Nacionalsti i madh serb, Aleksandri e thotë të pabesueshmen: thotë se turpërohet për krimet serbe në Srebrenicë dhe për punën e tij si zëdhënës i Milosevicit! Albini po ashtu befason duke pranuar institucionet e shtetit të Kosovës kundër të cilave vite me radhë kishte ushtruar dhunë e fushata denigruese, por për dallim, ky nuk turpërohet fare as atëbotë e as sot për dhunën e dramat e tij absurde!

Si Aleksandri edhe Albini që nga ky moment fillojnë gradualisht t’i zëvendësojnë temat e ”mëdha”  – të cilat e kishin humbur interesimin nga qytetarët e të dy vendeve – me luftën për kapjen e pushtetit!

Për vetëm pak vite, që të dy ngritën shpejt dhe paralelisht. Kur Aleksandri më 2014 arrin majat e pushtetit në Serbi, duke u bërë Kryeministër, partia e Albinit tashmë është fuqi serioze politike në vend. Kur më 2017 Aleksandri arrin maksimumin duke u bërë president i Serbise, partia e Albinit arrin të pabesueshmen duke dyfishuar votat dhe bëhet de-facto partia e parë në vend. Kur Albini përfundimisht fiton zgjedhjet dhe bëhet kryeministër Aleksandri tashmë është i plotfuqishëm dhe i pakontestueshëm në Serbi!

Rastësi apo jo, sikur të bashkëudhëhequr nga një dorë magjike, rrugëtimi i të dyve është si të ishte i vendosur në të njëjtën binarë treni, që nga zëdhëniet e dështuara më 1998 deri ne triumfet aktuale, ku njëri mori 51 e tjetri 58 për qind!!

Ngjashmëritë mes tyre nuk janë vetëm biografike: Opozita dhe komentatorët e të dy vendeve, ndaras që të dy i karakterizojnë kryesisht si autoritarë dhe demagogë, me prirje narcisoide. Profesori Bojan Pajtic për Aleksandrin thotë kshtu: “… ne krye të vendit kemi njeriun i cili vazhdimisht prodhon kriza, ngrit tensione dhe krijon atmosfera kataklizme… që pastaj kinse t’i zgjidh ato si një lloj Supermeni”. Ky definicion vlen fatkeqësisht edhe për Albinin tonë!

Tani kur të dy kanë arritur majat e pushtetit, të dyve po u kruhen duart të luajnë me zjarr. 

Të dy kanë shtrënguar boritë e luftës dhe po tentojnë të shtinë frikën në palcën e qytetarëve te rraskapitur nga pandemia e nga krizat e njëpasnjëshme ekonomike!

Albini ynë p.sh, si mjeshtër i sajimit të krizave të panevojshme qysh si opozitar, tani për afër dy vjet qeverisje ka arritur të nxis përçarje mes qytetarëve, pikërisht aty ku qeveria ka rol diametralisht tjetër: Është në luftë të hapur me të gjitha sindikatat e vendit; hapi luftë të padinjitetshme kundër veteranëve, inskenoi drama me kodin civil duke dirigjuar një pjesë të deputetëve që kinse luajnë opozitën dhe, së fundmi, duke orkestruar me deputetët e tij islamistë, hapi fushatën e shamive për të lansuar edhe një problem tjetër të paqenë, por me potencial të rrezikshëm konflikti qytetar. Përcjellëse e pandashme e betejës së tij përçarëse, është edhe lufta permanente kundër mediave te lira në vend dhe natyrisht lufta inatqore kundër Kryeministrit Rama!

Të gjitha këto mbase i inskenon për të mbuluar mossukseset rekorde të qeverisë së tij. Por, mbase zëdhënësi i dështuar i luftës ka një hall tjetër: Si secilin lider ballkanik, posaçërisht Albinin, e mundon ideja se ku do t’i bëhet vendi në librat e historisë. Pavarësisht fitores elektorale dhe hallakamave që inskenonte rrugëve të Prishtines, për të historia ende ka vend vetëm si një fusnotë, Albini ende nuk ka ndonjë vepër që të meritoj të përmendet edhe pas të themi 300 apo 500 vjetëve! Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Adem Jashari po. Albini Kurti, duke qenë i bindur se është një dhuratë hyjnore për njerëzimin, nuk mund të gëlltit faktin që Rugova e Thaçi të përjetësohen, e ky jo! Prandaj ka filluar të flasë e sillet si një Gjeneral qe do ta udhëheqë betejën e fundit dhe vendimtare, që do ta ketë edhe ky luftën e tij për ta mposhtur përfundimisht Rugovën e Thaçin dhe të marrë vendin e merituar në analet e historisë. Për këtë në ndihmë i del bashkerrugëtari i tij i vjetër, Aleksandri, i cili poashtu vuan nga i njëjti kompleks i madhështisë. Për këtë teatër absurd edhe rolet i kanë të ndara; njëri është Putini e tjetri Zelenski.

Të gjithë ata që kanë menduar se Albini është futur në politikë e qeveri për ta përmirësuar shëndetësinë, arsimin, ekonominë… mashtrohen. Albini në politikë ka hyrë për të futur në histori pavarësisht çmimit që e kanë paguar dhe do ta paguajnë të tjerët për të. 

Në ëndrrën e tij, një ditë qytetarët do të shkojnë te përmendorja e Gjergjit, pranë së cilës kalon çdo ditë për të shkuar në zyrë, dhe do ta largojnë atë duke vendosur shtatoren e Albinit si të shqiptarit më të madh të të gjitha kohërave. Ëndërr kjo qe e kanë edhe disa deputetë e partiakë të tij eurofobë, neootomanë e islamistë, qe atë përmendore ta copëtojnë, shkrijnë, e me bronzin e saj, të mbulojnë kulme minaresh!

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close