Epilogu

Gazeta italiane: Thaçi lider i pakompromis i UÇK-së, ja çfarë mendonte për Fehmi Aganin

Zëri i tij vjen nga një pjesë e territorit të Kosovës, përmes një telefoni satelitor. Hashim Thaçi, 32-vjeç, kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës dhe lider i pakompromis i UÇK-së, që e themeloi atë në 1993-tën, zgjodhi një telefonatë 25-minutëshe që ta ndante me neve. Nacionale sjell intervistën e ish-presidentit për Aganin në përvjetorin e këtij të fundit.

Thaçi, ish-student i degës së historisë në Universitetin e Prishtinës, në fillim të intervistës na tregoi për atë që së voni e ka lënduar më së shumti. “Masakrat e reja nga serbët. Pastaj edhe vdekja e ish-profesorit tim të vjetër, Fehmi Agani. Një krim që nuk do të mund të ketë efekte negative rreth negociatave që janë në proces.”

Corriere Della Sera:

Autoritetet serbe hedhin akuza mbi UÇK-në që ka dhënë urdhër për vrasjen e Fehmi Aganit?

Hashim Thaçi:

Sipas informatave tona, profesori im i gjorë Agani ishte peng i policisë serbe. Skenarin e tyre e njohim mirë: na akuzojnë neve për vrasje, sepse dëshirojnë ta polarizojnë skenën tonë politike, duke krijuar ndasi dhe qëllimi është të na izolojnë.

Corriere Della Sera:

Çfarë domethënie i jepni vdekjes së tij?

Hashim Thaçi:

E vlerësoj si një atentat ndaj politikës kosovare. Është një mesazh kundër delegacionit shqiptar që nënshkruajti marrëveshjen në Ramboillet. Agani në Ramboillet kishte një rol shumë të rëndësishëm 


Corriere Della Sera:


Por, Agani ishte krahu i djathtë i Rugovës?

Hashim Thaçi:

Pozicionet e tyre ishin të ndryshme. Kam pasur gjithmonë respekt për Aganin, sepse gjithnjë është përpjekur që ta afrojë UÇK-në në konceptin politik të cilit i takon.
Rugova nuk e ka treguar asnjëherë këtë vullnet.

Corriere Della Sera:

Çfarë mendoni për paramarrëveshjen e arritur nga G-8?

Hashim Thaçi:

Janë lënë pas dore pikëpamjet tona, të cilat janë më të rëndësishmet. Duhet të rikthehemi në Ramboillet, edhe pse ato marrëveshje duhet të jenë vetëm pikënisje e një diskutimi.

Corriere Della Sera:

A keni kontakte me qeveritë e vendeve të NATO-s?

Hashim Thaçi:

Po, vazhdimisht. Jemi në kontakt me Washingtonin dhe Londrën.

Corriere Della Sera:

Si është situata në Kosovë?

Hashim Thaçi:

UÇK-ja e ka moralin e lartë, por posedon pak armatim. Për ta fituar luftën duhet ndërhyrja tokësore e NATO-s.

(Intervistë e realizuar nga gazetari Marco Immariso)

Exit mobile version