fbpx
Lajme

Gazeta serbe e lidhur me UDB-në në 1996: Si u arrestua Besim Rama e Avni Nura, bombën provoi ta aktivizojë njëri

Bedri Islami – ish Kryetar i LPK-së kishte treguar se si ndodhi njëri nga arrestimet e para që e nervozuan dhe mllefosën edhe komandantin legjendar Adem Jashari. Aty ishte mësuar se UDB kishte zbuluar një pjesë të UÇK-së.

“Rënia e Besim Ramës ishte një goditje e rëndë për ne. Rrethanat ishin të paqarta. Në atë kohë kam menduar se tashmë UDB-ja ka informacione të sakta për një pjesë të njerëzve të UÇK-së, derisa arriti të arrestojë një anëtar të saj. Kuptohet se kemi punuar, por edhe UDB- ja me njerëzit e saj. Kolaboracionistët e kanë ndihmuar për të na kapur. Pas rënies së Besimit, Adem Jashari ka qenë mjaft i mllefosur…”.

Besim Rama, pjesëtar i grupit të Drenicës dhe njëri nga bashkëpunëtorët më të afërm të Adem Jasharit, është kidnapuar më 16 shtator të vitit 1996, ndërsa ishte duke kryer një punë krejt të zakonshme, rutinë. Janë të gjitha të dhënat e besueshme se, në momentin e kidnapimit, ai ka qenë nën veprimin e elementëve që kanë dobësuar vëmendjen dhe energjitë e tij. Pra, si të thuash, ai ka pasur një gjendje jo aktive, çka i ka bërë veprimet e tij jo të realizueshme dhe kapjen e tij të lehtë. Nëse nuk do të ishte kështu, për vetë karakterin e tij, ai do të kishte rezistuar, gjë që është lehtësisht e besueshme po të përfytyrohet ajo që kishte dëshmuar deri atëherë. Si duket, në bashkëpunim me dikë të njohurtë tij, ndoshta edhe të afërm, është vepruar paraprakisht për ngjarjen që do të ndodhte.

Ai është kidnapuar së bashku me Avni Nurën dhe menjëherë, që asaj nate, janë akuzuar, jo publikisht, nga Shërbimi Informativ i Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe shtypi beogradas, si pjesëtarë të lëvizjes terroriste në Kosovë. Menjëherë pas kësaj, një pjesë e Shtabit Operativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 23 shtator 1996, bën takim urgjent në Prishtinë. Takimi bëhet në bazën e Shtabit Operativ, ku banonte Nait Hasani, dhe morën pjesë Rexhep Selimi, Zahir Pajaziti, Sokol Bashota, Lahi Brahimaj, Bislim Zogaj dhe Naiti. Megjithëse edhe më parë është ditur, edhe nga përvojat e mëhershme të goditjeve ndaj lëvizjeve ilegale, se UDB-ja mund të infiltronte në radhët e organizuara, tashmë kjo mundësi ishte shumë e lartë dhe se UDB-ja mund të kishte informacione të sakta për rrjedhën e ngjarjeve dhe për njerëzit që i mbartnin ato.
Duhet mbajtur mend: kidnapimi i Besim Ramës ndodhi në mesin e shtatorit 1996.

Përsëri, sipas gazetës “Nedelnji Telegraf”, e lidhur ngushtë me qarqet e larta të shërbimit informativ serb: “Besim Rama dhe Avni Nura janë kidnapuar ndërsa po udhëtonin me traktor. Në një pusi të organizuar nga njësitë e policisë serbe, të cilët ishin të maskuar dhe po pritnin të veshur me rroba civile, u zunë këta persona, të cilët ishin të armatosur, madje, njëri prej tyre kishte provuar të aktivizojë bombën e dorës, e cila iu hoq me anë të intervenimit të policëve serbë”.
Pas kësaj, Besim Rama dhe Avni Nura janë kidnapuar dhe për ta nuk dihej asgjë. Njoftimi i parë zyrtar për arrestimin e tyre u dha më 1 tetor, ndërsa më dy tetor ata iu dorëzuan për hetime të mëtejshme gjykatëses hetuese Danica Markoviq. Marrja e tyre në pyetje, sipas komunikatës zyrtare serbe, është bërë në orën 18 e 30 minuta, 17 ditë pas arrestimit. Për më shumë se dy javë me radhë, ata u ndodhën në hetime intensive, të fshehta, të dhunshme, pa praninë e asnjë avokati, nën një shantazh të gjithanshëm.

Kjo ishte goditja e parë ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që bëhej në befasi dhe shenja e parë se, pavarësisht nga rrethanat, mund të priteshin edhe goditje të tjera. Deri në shtatorin e vitit 1996, në radhët e UÇK-së, megjithëse vepronte prej disa vitesh dhe kishte organizuar shumë aksione, nuk kishte pasur goditje.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close