Gazetari anglez para 100 viteve për ndarjen klasore të shoqërisë shqiptare në qytet dhe fshat
Juristi dhe gazetari anglez Edward Frederick Knight (prill 1852-1925) ishte një udhëtar i jashtëzakonshëm në tre kontinente – Europe, Azi, Afrikë. Ai është autor i njëzet librave, disa prej të cilave janë udhëpërshkrime dhe disa të tjera përshkrime të përvojës së tij si korrespondent lufte në Japoni, Trinidad, Brazil, Sudan, Rodezi, etj. Ai lindi në Angli më 23 prill 1852 dhe e kaloi fëmijërinë në Indi. Studjoi për drejtësi në Kolegjin Caius të Universitetit të Kembrixhit. Ndonëse u diplomua si avokat i gjykatës së lartë më 1879, ai iu përkushtua karrierës gazetareske, kryesisht si korrespondent lufte. Shkroi shumë artikuj për gazetat londineze “Morning Post” dhe “The Times”.
Më 1879, pikërisht në kohën kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit po luftonte për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga vendimet e padrejta të fuqive të mëdha në Traktatin e Shën Stefanit dhe Kongresin e Berlinit, Edward F. Knight-i së bashku me tre shokë të tij vendosën të vizitonin Shqipërinë, për të cilën deri atëherë ai nuk dinte thuajse asgjë. Qëllimi i tyre ishte që të vinin me rrugë detare deri në Gjirin e Kotorrit, të shihnin Kotorrin, Cetinën, të zbrisnin në fshatin Rijeka në breg të Liqenit të Shkodrës dhe me lundër nëpër liqen të arrinin në Shkodër. Nga Shkodra ata donin të udhtonin nëpër territorin e Këlmendit dhe të vizitonin Gucinë, të cilën ende nuk e kishin marrë malazezët dhe mbrohej nga Ali Pashë Gucia. Ata kishin planifikuar që të vazhdonin udhëtimin pastaj drejt Shqipërisë së Jugut: nga Prizreni në Ohër, Manastir, Janinë e deri në Prevezë. Mirëpo projekti nuk u realizua, siç thotë ai vetë, për mungesë fondesh e sidomos për arësye të motit të ftohtë, reshjeve të dendura të dëborës.
Pas këtij udhëtimi Knight-i u kthye në Londër dhe me përshtypje të freskëta nga udhëtimi në Shqipëri shkroi librin e tij të parë “Albania: A narrative of recent travel” (“Shqipëria: Një përshkrim i një udhëtimi të kohëve të fundit”), me 18 kapituj dhe 278 faqe, të cilin e botoi në Londër më 1880. Kjo vepër ka rëndësi jo vetëm për ne shqiptarët si një vepër studimore e një udhëtari anglez, por pati rëndësi të veçantë për vetë Knight-in, jo thjeshtë se ishte sprova e tij e parë si autor, por sepse vendosi të hiqte dorë përfundimisht nga karriera juridike dhe t’i kushtohej gazetarisë dhe udhëtimeve, si dhe hapi serinë e botimeve të 20 librave të tij.
Gjatë viteve 1890-të Knight-i vizitoi Kashmirin, Tibetin dhe udhëtoi drejt Himalajës për të mbledhur material për librin e tij “Where Three Empires Meet” (“Atje ku takohen tri perandoritë”) (1893). Pastaj mbuloi për gazetën “The Times” ekspeditën ushtarake britanike në Sudan, Luftën Amerikano-Spanjolle në Kubë, ekspeditën franceze kundër Madagaskarit dhe Luftën Anglo-Boere në Afrikën e Jugut, ku dhe u plagos rëndë dhe humbi krahun e djathtë. Më 1904-1905 at mbuloi Luftën Ruso-Japoneze i angazhuar si korrespondent lufte pranë ushtrisë perandorake japoneze. Më 29 qershor 1904 gazeta “The New York Times” botoi një nekrologji të gabuar ku raportohej se “korrespondenti i shquar E. F. Knight i gazetës Morning Post ishte vrarë në Waffang Tien.”[1] Në fakt, Edward F. Knight jetoi edhe 21 vite të tjera dhe vazhdoi të shkruante artikuj e të botonte libra deri në fund të jetës, si “Zgjimi i Turqisë. Një histori e Revolucionit Turk” (1909), “Nyje dhe përpjekje për zgjidhje” 1910), “Forcat detare të Haruiçit – Roli i tyre në Luftën e Madhe” (1919), veprën e tij të fundit“Kujtime: Endjet e një ‘jahtmeni’ dhe korrespondenti lufte” (1923), etj. Knight-i vdiq në moshën 73-vjeçare, pas një periudhe të gjatë në pension, më 7 mars 1925.
Pas librit të tij të parë, Edward Knight-i do t’i kthehej mbresave për Shqipërinë e shqiptarët edhe në dy vepra të tjera. Në veprën “Zgjimi i Turqisë” (1909) ai thekson se “në vjeshtën dhe dimrin e 1879-ës unë po endesha nëpër krahinën më të egër të gjithë Europës, në Shqipërinë Veriore” (Kapitulli VI, f. 71). Këtu, pas 30 vitesh ende kujton gjendjen e vështirë të shqiptarëve në atë kohë, organizimin e tyre në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve shqiptare pas vendimeve të Kogresit të Berlinit, dhe tregon rolin e tyre aktiv e të rëndësishëm në Revolucionin Xhonturk. Kurse vepra e tretë që i referohet udhëtimit të tij në Shkodër dhe malësitë e Kelmendit është libri i tij i fundit “Reminiscences: The Wanderings of a Yachtsman and War Correspondent”, botuar më 1923. Kjo vepër, siç e thotë vetë titulli “Kujtime”, është një përmbledhje e jetës së autorit dhe e udhëtimeve të tij. Libri ka 28 kapituj dhe 320 faqe. Kapitujt e parë rikujtojnë fëmijërinë e tij, arsimimin në Dotheboys Hall, Westminster School dhe Cambridge University. Kapitujt 4 dhe 5 janë me interes të veçantë për ne sepse autori, tashmë 71-vjeçar, i rikthehet kujtimeve rreth vizitës së tij në Shqipëri 45 vite më parë, me të njëjtat mendime vlerësuese për shqiptarët, bile tashmë shumë më të pjekura e të kristalizuara.
Libri i tij i parë “SHQIPËRIA” është shkruar me vërtetësi, nganjëherë me një sense të hollë humori, me përshkrime të sakta të mjedisit të prapambetur dhe kushteve të vështira të malësorëve. Ndonëse autori nuk kishte thuajse fare njohuri për Shqipërinë kur ndërmori udhëtimin e tij në vjeshtën e vitit 1879, ai e njihte mirë historinë bashkëkohore të Europës– “krizën lindore”, zhvillimet politike e ushtarake dhe interesat e fuqive të mëdha në Ballkan, etj. Trembëdhjetë kapituj të librit, nga VI – XVIII, i kushtohen vizitës së tij në Shqipëri.
Siç tregon në fillim të Kapitullit I, vizita e tij ishte thjeshtë rastësore. “Për t’i rënë shkurt, u prezantova me Braunin, Xhounsin e Robinsonin, siç do t’i quaj bashkudhëtarët e mi në këtë libër; pa e zgjatur shumë vendosa të bashkohesha me ta në një udhëtim që premtonte të ishte shumë tërheqës. Miqtë e mi ishin piktorë dhe e kishin zgjedhur këtë vend thuajse të panjohur për turneun e tyre veror, sepse ishte një minierë e paeksploruar për penelat e tyre, si për sa i takon madhështisë së peisazheve ashtu dhe bukurisë së kostumeve.”
Është interesant se këtu edhe Knight-i, si shumë udhëtarë anglezë paraardhës, do t’i drejtohet veprës së Lord Bajronit për të mësuar diçka për Shqipërinë e shqiptarët, megjithëse kishin kaluar më shumë se 60 vjet nga vizita e Bajronit në Shqipëri dhe nga botimi i “Shtegtimeve të Çajld Haroldit”: “Unë vetë nuk dija asgjë për Shqipërinë përpara nisjes, me përjashtim të atyre grimcave që kisha mbledhur nga ‘Çajld Haroldi’. Më erdhën ndërmend vargjet që thur poeti ‘Shqipëri! O nënë e ashpër e burrave të rreptë’, kështu që e ula Bajronin nga rafti i librave të mi dhe lexova gjithshka që ai kishte për të thënë për ‘Shqiptarin e egër me fustanellë deri te gjuri,/ Me kokën e mbështjellë me shall, dhe pushkën e zbukuruar,/Dhe rrobat e qëndisura me ar – sa bukur!’ Informacioni ishte i pamjaftueshëm (i pakët, i mangët), por mjaftonte për të më treguar se nuk do të kishte qenë e mundur për të zgjedhur vend më interesant për ekspeditën tonë. Unë synoj që në këtë libër të jap një përshkrim të endjeve tona në Mal të Zi dhe Shqipërinë Veriore.”(I, 1-2)
Më 18 shtator 1879 Knight-i dhe Brauni u nisën për udhëtim nga Londra dhe pas 62 orësh arritën në Venecie. Atje hipën në një avullore dhe pas 12 orësh arritën në Trieste. (Me Xhounsin dhe Robinsonin ata do të takoheshin më vonë në ndonjë port dalmat ose malazez.) Gjatë udhëtimit nga Trieste për në Split ata njihen me një officer të xhandërmarisë turke që ishte shqiptar i krishter, banor i Shkodrës, i cili “mund të fliste e të shkruante turqisht, frëngjisht, italisht, shqip dhe sllavisht” dhe i premtuan se do t’i bënin vizitë në Shkodër. Pasi shëtitën gjatë bregdetit dalmat dhe vizituan Zarën, Splitin, Dubrovnikun e Kotorrin, autori thotë se “herët në mëngjes të 9 tetorit ne e nisëm udhëtimin tonë seriozisht” dhe u nisën me kuaj nëpër male drejt Cetinës, “kryeqytetit të vendit të gurëve[2]” (kap. V, f. 61)
Gjatë qëndrimit në Mal të Zi dhe vizitës në Cetinë, autori shpreh mendimet e veta për karkterin e malazezëve (veçanërisht duke i krahasuar me shqiptarët) dhe për karakterin e vetë Nikitës, siç e quan Knight-i krajl Nikollën, si dhe i referohet shpesh ngjarjeve historike të kohës, veçanërisht përfitimeve që pati principata e vogël e Malit të Zi nga vendimet e fuqive të mëdha në Kongresin e Berlinit. Për këtë në kapitullin V ai shkruan: “Përfaqësuesit e Fuqive, në Kongresin e Berlinit, duke marrë parasysh se guximi dhe suksesi i ushtrive të saj meritonte njëfarë kompensimi, i dorëzuan nën dorë një copë të madhe të territorit turk (në fakt ato ishin territore shqipfolëse, R.K.), duke i dhënë asaj atë që ajo kishte lakmuar për një kohë të gjatë, një port detar—Tivarin. Me qenë se jam duke u shprehur për këtë çështje, mund të them se burrat e mençur në Berlin bënë një gabim serioz, kur ata hoqën një vijë në hartë që përfaqësonte kufirin e ri. Para të gjithash, ndërsa do të kishte qenë e lehtë t’i dorëzoheshin Malit të Zi toka që janë të banuara nga njerëz që kanë të njëjtën fe me ta, të cilët do t’i kishin mirëpritur padronët e tyr të rinj, u mendua si më e përshtatshme që t’i jepeshin krahina dhe fshatra të banuara nga muhamedanët më fanatikë të Shqipërisë. Kushdo që e njeh vendin do të kishte parashikuar se kjo do të sillte gjakderdhje dhe trazira në të ardhmen. Unë do të kem shumë më tepër për të thënë për këtë çështje kur të arrij në Shqipëri. Është fakt se nuk ka hartë të besueshme për këtë vend, kështu që përfaqësuesit në Berlin kanë punuar në errësirë, të çoroditur (të bërë lëmsh në kokë) nga dy përshkrime krejtësisht kontradiktore të rajonit që jepnin përfaqësuesit turq dhe malazezë.”(k. V, f. 68-69).
Gjatë kalimit nëpër Mal të Zi Knight-i takohet me oficerë madhorë malazezë, bile shkon deri në Cetinë me letër rekomandimi për të takuar krajl Nikitën. Ai krijon përshtypjen e tij për malazezët, të cilët nuk rezervohen në shprehjen e mendimeve të tyre, por edhe Knight-i ua thotë pa dorashka ato që mendon. Ai tregon se kur biseda kthehet rreth çështjeve politike, “zoti Gladstoun, natyrisht, ishte heroi i tyre dhe shpesh citonin fjalët e tij. Të gjithë ishin të njohur mirë me pamfletin e tij, i cili ishte përkthyer në gjuhën e tyre. Urrejtja që ata shprehën për Lord Beaconsfield-in ishte shumë e madhe.” (ibid, f.74) [Këtu është fjala për pamfletin e mirënjohur të Uilljam Gladstounit “Tmerret e Bullgarisë dhe Çështja e Lindjes”, botuar më 5 shtator 1876 në 32 faqe të ngjeshura, ku sulmon qeverinë e kundërshtarit të tij politik Benjamin Dizraelit (Lord Beaconsfield-it) për indiferencën ndaj shtypjes së dhunëshme të Kryengritjes Bullgare të Prillit 1876 nga Perandoria Osmane. Këtu Gladstouni kërkon me forcë “shporrjen” e plotë të Turqisë nga tokat bullgare dhe bën thirrje për angazhimin e të gjitha strukturave të shtetit britanik dhe të diplomacisë britanike për të mbështetur punën e madhe që po bënte e vetme, me përkushtim, bamirësja e madhe Lady Strangford për të lehtësuar dhimbjet e vuajtjet e popullit bullgar. Sot Sofja dhe 4 qytete të tjera kryesore të Bullgarisë kanë rrugë që mbajnë emrin e Uilljam Gladstounit. R.K.] Në vazhdim Knight-i thekson se malazezët “nuk ishin fare të rezervuar në shprehjen e urrejtjes së tyre. Ishte një gjë që e ngacmonte habinë e tyre në një shkallë të madhe. ‘Ju anglezët,’ tha njëri, ‘të krishterë, të qytetëruar, një popull i madh! Si ka mundësi që e lejoni një çifut t’ju qeverisë?’”(Në atë kohë kryeministër i Anglisë ishte Dizraeli, i cili ishte me origjinë hebraike.)
Në fillim të Kapitullit VI Knight-i, si një vizitor i paanshëm që krijon një përshtypje nga ato që sheh, ka bërë një sintezë të katakterit të malazezve duke spikatur dy tipare: fodullëkun dhe dembelizmin: “Na bëri përshtypje, siç i bën përshtypje shumicës së udhëtarëve në këtë vend, se profesioni/puna e malazezit në kohë paqeje është të kapardiset andej-këndej si pallua në vende të dukshme ku ka të ngjarë ta shohin të tjerët, mburravec për veshjen e bukur dhe armët e shkëlqyera, të cilat i ngjesh për t’u dukur në brezin prej mëndafshi. Gratë punojnë shumë këtu, por nuk kam parë kurrë ndonjë malazez të seksit më të fortë që ta ulë veten për të bërë ndonjë punë. Ata hiqen të gjithë si zotërinj, në kuptimin e vjetër e të mirë të fjalës. Ata nuk mund të bëjnë asnjë punë, dhe nuk do të bënin edhe po të mundnin. Nuk ka asnjë punë prodhuese të asnjë lloji në këtë vend. Rrobat e tyre të qëndisura, punimet prej metali, takëmet e kalit, me shalë e gjithshka, vijnë nga Shqipëria, ose punohen këtu nga emigrantë që vijnë nga ajo provincë. Malësorët e Zinj kanë shumë virtyte, por, të na falë zoti Gladstoun, sa për punë nuk ia thonë fare.” (kap. VI, f. 78-79).
Më tej, gazetari anglez vazhdon të ironizojë: “Ne nuk bëmë intervistë me Nikitën, ndonëse kishim letra rekomandimi për të. Me qenë se në atë kohë ai po argëtonte Dukën e Madh të Austrisë, menduam se për momentin ai kishte mjaftueshëm të huaj të shquar në duar…. Druaj se ai dhe populli i tij janë vlerësuar njëçikë si tepër këto kohët e fundit. Disa duan të na mbushin mendjen se malazezët janë populli më i përsosur në Europë – një racë Gjysëm-perëndishë. Paragjykimi i përhapur për ‘turkun shumë të keq’ nuk është më pak absurd se ai që i stërmadhon virtytet e malazezit fisnik. Ata janë luftëtarë trima. Janë aq dinakë sa të kuptojnë që opinioni i Europës së qytetëruar është i vlefshëm. Ata janë jashtëzakonisht të vetkënaqur. Ata e urrejnë turkun dhe shqiptarin. Ata mburren aq shumë për cilësitë e tyre luftarake sa që nuk e ulin hundën për të punuar; dhe, sipas opinionit tim modest, ata nuk do të jenë më tepër se ç’janë tani – tërheqës, malësorë të varfër, shumë inferiorë në kapacitetin e tyre mendor në krahasim me fqinjët e tyre shqiptarë, qofshin të krishterë apo muslimanë, dhe me mentalitet jo më pak të egër e mizor në luftë. Por Shqipëria ka emër të keq ndër ata që nuk e njohin. Ajo është ‘delja e zezë’ e Adriatikut Lindor—shkaku i të gjitha trazirave rretherrotull, kështu thonë. Mali i Zi, nga ana tjetër, gëzon reputacion të lartë. Kjo është e natyrshme. E subvensionuar ose e korruptuar me ryshfete nga dy Fuqitë e Mëdha, e përkëdhelur nga të njëjtët, Mali i Zi e luan mirë lojën dhe inkurajon paragjykimin se është më i virtytshëm dhe më i qytetëruar se fqinji i tij, territorin e të cilit e lakmon fuqishëm….Shqiptari (Arnauti) fatkeq nuk ka Princ Nikitë, grabitet nga e ashtuquajtura qeveri e Turqisë kur është aq i fortë sa për ta kundërshtuar, nuk ka miq, por është i rrethuar nga amiq dinakë, të uritur për të gllabëruar tokat e tij.”(Kap. VI, f. 83, 84, 85). Këtu autori bën thirrje dhe fton këdo që dëshiron t’i vizitojë këto dy vende fqinje dhe ta bëjë vetë krahasimin: “Çdo person i painteresuar (asnjanës) le të udhëtojë ndër malazezët dhe shqiptarët dhe unë mendoj që do të rrijë në përfundimin, siç më ndodhi mua, se këta të fundit janë po aq luftëtarë trima, janë më punëtorë, më me tru, në çdo drejtim nga një racë më fisnike dhe më e përsosur sesa armiku i tij tradicional që lavdërohet kaq shumë.” (ibid. f. 85)
Në fund të Kapitullit VI Knight-i thotë se “Me qenë se Shqipëria dhe jo Mali i Zi ishte objekti i ekspeditës sonë, ne vendosëm të kalonim kufirin për në Shkodër, kryeqendrën e Shqipërisë Veriore, ku kishin rezidencën një konsull anglez dhe disa konsuj të tjerë, të cilët mund të na jepnin informacion të vlefshëm. (ibid, f. 89).
Të nesërmen, një mëngjes të bukur e të freskët tetori, Knight-i dhe Brown-i, pas 3 ditë qëndrimi në kryeqytetin e principatës së vogël të krajl Nikollës, zbresin nga Cetina, shkojnë në fshatin e vogël Rijeka në breg të Liqenit të Shkodrës dhe me varkë arrijnë në Shkodër në skajin tjetër të liqenit. Knight-i thekson se “Miqtë tanë malazezë nuk ishin të kënaqur kur morën vesh se ne po shkonim në Shqipëri. ‘Qëndroni këtu tek ne,’ thanë ata, ‘udhëtoni nëpër vendin tonë. Këtu ka më shumë gjëra për të parë se në Turqi. Ju do të na pëlqeni ne. Ata kafshët shqiptarë do t’ju presin fytin me siguri, ata djaj, ja të tillë janë.” Por ne donim të dëgjonim anën tjetër të çështjes, dhe me gjithë paralajmërimet e miqve tanë, ne ishim të vendosur t’i vizitonim ‘kafshët’ dhe ‘djajtë’ dhe të krijonim opinionin tonë për ta.” (Kap. VII, f. 91)
[Pazari i peshkut në Shkodër, 1879 (Marrë nga libri i Knight-it)]
Vizita e udhëtarëve anglezë në Shkodër dhe në malësitë e Kelmendit
Në dhjetë kapitujt e fundit (IX-XVIII) të librit të tij “Shqipëria – Një përshkrim i një udhëtimi të kohëve të fundit” gazetari i shquar anglez E. F. Knight është marrë ekskluzivisht me Shqipërinë e shqiptarët, ka bërë përshkrimin e atyre trojeve shqiptare që vizitoi dhe ka shpalosur përshtypjet e tij për vendin dhe njerëzit ashtu siç i gjeti dhe i la në vjeshtën e vitit 1879. Ishte koha kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftonte që t’i shpëtonte nga gllabërimi irredentist i fqinjëve krahinat shqipfolëse, të cilat nuk kishin kufij të qartë kombëtarë dhe konsideroheshin si ‘provinca turke’, pjesë të Perandorisë Osmane, e cila kishte kohë që kishte filluar tatëpjetën e dekompozimin e saj. Ishte periudhë kaosi nga e cila përfituan vendet e krishtera të Ballkanit, si Bullgaria, Serbia, Rumania e Mali i Zi, të cilat arritën të shkëputen e të dalin të pavarura, duke pasur mbështetjen e Fuqive të Mëdha, sidomos të Rusisë.
Në fillim të Kapitullit IX autori përshkruan gjendjen shoqërore, ekonomike e politike të Shqipërisë së Veriut, “të kësaj province thuajse të panjohur të Turqisë”: “Gjëja e parë që të bie në sy është paligjshmëria e plotë e njerëzve. Turqit nuk i kanë asimiluar kurrë posedimet e tyre më të largëta. Nuk është në karakterin e tyre që të bëjnë kështu. Ata duken, edhe pas kaq shumë shekujsh, sikur janë instaluar përkohësisht në Shqipëri. Ata kanë pashallarë e garnizone, por vendasit gëzojnë një shkallë të habitshme pavarësie dhe lejohen të bëjnë si të duan. Vërtet që qeveria është shumë e dobët këtu, as nuk e kanë frikë, as nuk e respektojnë—thjesht e tolerojnë. Fiset malësore janë thuajse aq pak nën sundimin e Turqisë, sa ç’ishin vetë malazezët, të cilët, deri në traktatin e Berlinit, Porta e Lartë pretendonte se i kishte vasalë….Në periudhën e vizitës sonë, Shqipëria ishte në gjendje të një anarkie positive—xhandërmaria në grevë, ushtarët nuk pranonin t’i përshëndesnin oficerët e tyre, asnjëra palë nuk kishte marrë rrogë prej muajsh , ndërsa vendasit mbanin mbledhje kryengritëse haptazi, dhe të patrazuar, nëpër xhamiat e qyteteve me fortifikata, në të cilat rebelimi kundër Portës shprehej pa frikë. Askund nuk ishte më e dukshme se këtu gjendja e kalbur dhe pazotësia totale e Portës.” (IX, f. 116-117)
Pastaj udhëtari anglez jep përshtypjen e tij vetjake për ndarjen klasore të shoqërisë në qytet dhe në fshat, e cila, sipas tij, shfaqej në besim, karakter, sjellje e veshje: “Vendasit, ndonëse të një race, mund të ndahen në tri klasa që ndryshojnë shumë në sjellje dhe karakter. Së pari, kemi muhamedanin shqiptar. Ky është ‘shqiptari i egër me fustanellë deri te gjuri’—në Shqipërinë e Veriut, i cili gjëndet kryesisht në qytete. Ai është aristokrati, ndoshta pronar i tokave në malësi, të cilat ua jep me qira qiramarrësve arnautë dhe jeton me qiratë që mbledh. Ai është shumë krenar për kastën e tij dhe i përçmon bashkëqytetarët e tij të krishterë. I sjellshëm, xhentil, jo shumë strikt në ndjekjen e besimit të tij, ai e pi rakinë pa u trazuar dhe me ndërgjegje të qetë. Ai ecën me hap të rëndë gjithë fodullëk. Me jelekun e qëndisur me ar, brezin e ndritshëm – ku kishte ngjeshur përpara në këllëf prej lëkure dy kobure dhe jataganin me doreza prej floriri e të zbukuruara me gurë të çmuar, me fustanellën me shumë pala të bardhë si bora, që i lëkundej nga njëra anë në tjetrën kur ecte duke u krekosur – ai është vërtet një figurë me pamje madhështore.
Së dyti, kemi qytetarin e krishterë të Kishës Latine – sa i ndryshëm në çdo drejtim! Ai mban në kokë fesin, vesh xhaketë turke, poture të gjëra të lidhura te gjuri, ku vazhdojnë çorape të bardha dhe këpucë europjane me qafa me anë elastike. Si i krishterë e ka të ndaluar të mbaj armë me vete. Ka një pamje të trembur, të shtirur, prej servili që është aq karakteristike për të shtypurit. Këta të krishterë janë të gjithë tregtarë ose zanatçinj, shumë nga ata të pasur, por që nuk guxojnë të mburren shumë sepse jetojnë me frikë e ndrojtje nga fqinjët e tyre të paskrupullt të besimit tjetër, të cilët më shumë se një herë e kanë plaçkitur lagjen e krishterë. Pozita e tyre është pak a shumë siç ishte ajo e hebrejve në europën mesjetare.
Pastaj vjen klasa e tretë e popullsisë, më interesantja e të gjithave, e banorëve të fshatit, apo më mirë, e malësorëve, sepse në Shqipërinë Veriore ka thuajse vetëm male. Këta janë ‘arnautët’, ‘skipitars’ (shqiptarët), siç e quajnë ata veten—një racë e fortë, e ashpër, thuajse e egër, e pavarur, e panënshtruar nga turqit. Këta janë të krishterët latinë (katolikët), por sa të ndryshëm nga bashkëfetarët e tyre në qytet! Tiparet e tyre janë tregues të mendjeve që nuk durojnë skllavëri. Ata ecin rëndë-rëndë me krenari nëpër rrugët e qyteteve, të armatosur deri në dhëmbë, pavarësisht nga ligjet që ia ndalojnë të krishterëve të veprojnë kështu. Këta fise luftarake janë aq të fortë sa që nuk i marrin parasysh rregullat e qeverisë së dobët. Veshja e tyre është e thjeshtë, por shumë burrërore dhe e përshtatshme për punë krahu. Ata janë të veshur kokë e këmbë me stofë të bardhë të endur në shtëpi. Në kokë mbajnë një kapuç (qeleshe) të bardhë; nganjëherë ata mbështjellin një rubë (facoletë, shall) rreth kokës dhe nën mjekër, shumë të ngjashme me stilin e beduinëve – kjo është “koka e mbështjellë me shall” për të cilën e ka fjalën Bajroni.
Shumica e malësorëve ende hedhin mbi supe gunën e vogël të çuditshme me ngjyrë të zezë, e cila u përdor për të mbajtur zi për vdekjen e heroit të madh shqiptar Skënderbeut, bëmat heroike të të cilit ende këndohen pranë zjarrit të dimrit nga shumë rapsodë malësorë, me shoqërimin melankolik të mandolinës (lahutës). Nuk ka shqiptar që nuk e di historinë e tij.” (Kap. IX, f. 117-121)
Pastaj autori tregon historinë e Skënderbeut thjeshtë e shkurt për lexuesin anglez:
“Shqipëria ishte dikur një vend i pavarur i krishterë, ndonëse i paguante haraç Portës. Gjon Kastrioti ishte Princi i fortesës së Krujës dhe i vendit për rreth. Më 1404 i lindi një djalë, i cili u pagëzua Gjergj. Ky ishte heroi i ardhshëm dhe çliruesi i Shqipërisë.
Princ Gjergj Kastrioti ishte padyshim njeri i jashtëzakonshëm. Emri i Skënderbeut (=Aleksandër) iu dha atij nga turqit si admirim ndaj trimërisë së tij. Të thuash se turqit i kanë nënshtruar arnautët nuk është pikërisht e saktë. Pozicioni i tyre është pak aa shumë si ai i francezëve në krahinat më të largëta të Algjerisë. Ata mbajnë disa qytete, kurse tokat e ndërmjetme janë të zëna nga fise të pavarura që vetqeverisen sipas ligjeve të tyre.” (Kap. IX, f. 121-123)
Në këtë kapitull Knight-i ka shprehur edhe disa mendime për origjinën e shqiptarëve, karakterin dhe gjuhën e tyre. “Disa mendojnë se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve të lashtë dhe prej një race më të pastër se ç’janë grekët e sotëm. Nga tiparet klasike në mënyrë uniforme të popullit unë do të isha i prirur ta pranoja këtë pikëpamje. Burrat kanë kafka të shkëlyera, ballë të gjërë me vetulla të ngritura dhe tipare të vogla të formuara me finesë. Gratë janë më të bukurat e Europës Lindore. Fëmijët janë bukuroshë. Ata kanë sy të mëdhenj solemnë dhe gojë të mrekullueshme—kjo përbën tiparin më të dukshëm—pak të kthyer poshtë në të dy anët, e cila u jep një shprehje mendimtare dhe veçanërisht të ëmbël. Njeriut nuk i duhet të jetojë gjatë midis arnautëve që të kuptojë se ata janë dukshëm prej një race të lashtë e fisnike, me të cilët malazezët dhe racat e tjera sllave as që mund të krahasohen. Mirësjellja e respekti, delikatesa e perceptimit dhe takti i këtyre malësorëve përndryshe të egër, janë shumë të këndshme. Të ashpër e të egër me armikun, kokëshkretë për jetën, megjithatë ata janë miq të shkëlqyer; besnikë—që nuk dijnë ç’është tradhëtia—të vërtetë/të sinqertë, të virtytshëm; mikpritës, shoqërues gazmorë, të matur (të përkorë, të kursyer) si rregull, megjithatë nuk e shmangin shoqërinë në raste të veçanta dhe e përcjellin lirisht dorë më dorë rakinë me dolli (një pije alkolike që nxirret nga lëkurat e rrushit pasi bëhet vera) dhe mastikën që i ngjan absinthit.” (Kap. IX, f. 124)
Sipas tij, “gjuha e shqiptarëve, siç e quajnë arnautët veten, është shumë e larmishme në krahina të ndryshme. Ilirishte e vjetër ndoshta në origjinë, ajo përmban fjalë greke, latine e sllave, në proporcion thuajse të barabartë; të paktën, kështu m’u duk mua, këtu në veri. Për shëmbull, të marrim trembëdhjetë numërorët e parë në shqip; të trija gjuhët që përmenda janë të gjurmueshme në këto: ‘gni’, ‘du’, ‘tre’, ‘kater’, ‘pens’, ‘giaset’, ‘sctat’, ‘téte’, ‘nand’, ‘deit’, ‘gnim-deit’, ‘dum-deit’, ‘trem-deit’. Shqiptarët nuk shkruajnë në karaktere sllave, siç bëjnë fqinjët e tyre të veriut, as në greqishte siç bëjnë fqinjët e tyre të jugut, por, ndryshe nga racat e tjera rretheqark, përdorin karaktere latine. Përveç njëzetekatër shkronjave tona, ata kanë edhe pesë të tjera; diçka si disa shkronja greke, ndonëse të ndryshme në formë e shqiptim prej tyre. Të tilllë janë banorët e këtij vendi – një vend po aq i egër sa ata vetë. Epo Bajroni kështu e ka quajtur Shqipërinë, ‘nënë e ashpër e burrave të rreptë’”. (ibid, 125) Autori shton se “historia e Shqipërisë do të ofronte shumë interes për këdo që do ta studionte. Dikur e përfshirë në mbretërinë e madhe bullgare, pastaj e ndarë në principata të vogla, Shqipëria më në fund u gëlltit, jo pa shumë gjakderdhje, nga dy fqinjët e saj të fuqishëm—Venediku në veri dhe Turqia në lindje. Gjithë trimëria e Princ Skënderbeut mundi vetëm ta vononte për një kohë sa një jetë njeriu nënshtrimin e vendit të tij të bukur.” (ibid, 129).
Knight-i dhe Brown-i qëndruan disa kohë në Shkodër. Shëtitën nëpër dy lagjet kryesore të qytetit: në lagjen muslimane dhe në atë katolike, të shoqëruar nga miku i tyre shkodran, oficeri i krishterë që kishin takuar në anije, i cili i mirëpriti në shtëpinë e tij. Pastaj vizituan edhe pazarin shumë-shekullor të qytetit me rrugë “të llustruara nga këmbët e shumë brezave”. Ndryshe nga përshkrimi i varfër i pazarit që kishte bërë Lady Strangfordi 16 vjet më përpara, më 1863, kur kishte qëndruar 3 ditë në Shkodër, përshkrimi që bën Knight-i është shumë më i hollësishëm dhe më i plotë, ku spikat larmia dhe bollëku i produkteve dhe ndarja sipas specialiteteve të zanatçijve.
Shkurtimisht ju mund të bleni gjithshka në pazar, nga kali deri te një grosh hallvasi. Është pikërisht gjëja e duhur të kesh një banak në pazar. Burrat e rangut më të lartë ulen prapa mallrave të tyre për disa orë në ditë, ndoshta pa iu interesuar shumë nëse shesin gjë ose jo; mirëpo ky pazar i mbushur me njerëz është vendi i zakonshëm për takime dhe i përgjigjet qëllimit të një klubi.
Kur ti çan udhën me vështirësi nëpër turmë, ndonjë mik do të të njohë dhe të fton me dorë që të ulesh pranë tij mbi banakun e tij, midis mallrave të lirë ‘Manchester’, dhe biseedoni për thashethemet e fundit duke pirë kafe e cigare. Ne shpejt kishim bërë kaq shumë miq, sa që një shëtitje nëpër pazar do të thoshte për ne që të gëlltisnim sasi të stërmëdha kafeje lindore të trashë, e cila, me që ra fjala, është më e mira e të gjithave, nëse bëhet si duhet.” (Kap. X, f. 132-135) Në vazhdim Knight-i prek plagën e vjetër të shoqërisë shqiptare – gjakmarrjen. “Nuk është aspak e pazakontë që një ditë pazari e juaja të trazohet nga shkëmbimi i armëve të zjarrit. Unë kam aluduar tashmë për gjakmarrjen, apo ‘vendetta’-n e Shqipërisë. Ajo këtu zbatohet në një shkallë krejt të panjohur në vendet e tjera. Me të vërtetë, misionarët françeskanë më thanë se është gjë shumë e rrallë të gjëndet një burrë vërtet plak në malësi, por është gjë e rëndomtë të dëgjosh për një burrë të njohur që e kanë vrarë herët a vonë në këto gjakmarrje të vazhdueshme.” (ibid, f. 135)
Por gazetari i shquar anglez bëhet dëshmitar edhe i tolerancës fetare të shqiptarëve. Atij i bën përshtypje që shqiptarët e të gjitha besimeve kremtojnë së bashku ditën e Shën Mërisë – Zojës së Shkodrës: “Mëngjesi i 18 tetorit (në fakt e diela e tretë e tetorit, R.K.) është festa e madhe e Shqipërisë së Veriut, dita e Zojës Sonë të Shkodrës. Shumë kohë më parë i gjithë ky vend ishte i krishterë….Malësori arnaut me sy të egër e kokë të rruar shtyhej/ngjeshej me të krishterin shkodran me pamje të butë dhe me muslimanin me fustanellë; sepse ata të besimit tjetër, për çudi, ofronin devocionet e tyre në këtë ditë për nënën e Krishtit të cilin ata e përbuznin. Vërtet, ndonëse gjysma e shqiptarëve e quajnë vetën të krishterë dhe gjysma tjetër pretendojnë se janë muhamedanë, ka shumë pak dallime midis tyre. .” (Kap. XI, f. 153) Këtu Knight-i tregon variantin e tij të gojëdhanës së njohur të zhdukjes së ikonës së Zojës së Shkodrës.
Gjatë qëndrimit në Shkodër Knight-i dhe Brown-i bëjnë një vizitë në Podgoricë. Sipas Knight-it, “Podgorica është një qytet i konsiderueshëm, me një popullsi, do të thoja, prej 8000 banorësh të paktën. Është vendosur këndshëm në bregun lindor të Moraçës, një lumë i trazuar dhe një nga ushqyesit kryesorë të Liqenit të Shkodrës. Një pjesë e madhe e banorëve janë muslimanë. Traktati i Berlinit ia dorëzoi Malit të Zi këtë fortesë të rëndësishme shqiptare. Malësorët e Zinj e kishin pushtuar këtë vend vetëm pak kohë përpar arritjes sonë atje. Por dukej se gjithshka po vazhdonte paqësisht; banorët dukeshin se ishin pajtuar krejtësisht me qeverinë e tyre të re.” (Kap. XII, f. 177-178) Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Podgoricë udhëtarët anglezë u bënë dëshmitarë të përgatitjeve ushtarake që po bënin malazezët “për të pushtuar territorin shqiptar dhë për të marrë nën zotrim Gucinë” (f. 179) që ua kishin dhuruar Fuqitë e Mëdha. Pastaj anglezët u kthyen me lundër në Shkodër dhe “ia mbushën mendjen mikut të tyre shkodran, xhandarit, që t’i prezantonte me një nga kryetarët e Lidhjes Shqiptare, i cili ishte mik i tij”. (Kap. XIV, f. 200).
Knight-i përshkruan organzimin e intervistës dhe çështjet që diskutuan rreth qëllimeve dhe veprimtarisë së Lidhjes: “Pasdite shërbëtori mirditor i xhandarit na çoi në një dhomë Xhounsin dhe mua, ku, ulur këmbëkryq në qilim, duke pirë kafe, ishin miku ynë bashkë me një musliman shqiptar të moshuar mendjemprehtë, me fytyrë me linja të thella dhe me sy të shqetësuar e të mprehtë. Pas përshëndetjeve të zakonshme unë hyra në bisedë me të, duke pasur si zakonisht xhandarin si përkthyes. I thashë se anglezët donin të dinin se cilat ishin qëllimet e Lidhjes. ‘Qëllimi ynë është’, tha ai, ‘të mbrojmë tokat tona kundër armiqve që na rrethojnë. Qentë e Malit të Zi, derrat serbë e grekë, të gjithë duan të vjedhin një copë të Shqipërisë; por, shyqyr Zotit, ne jemi të fortë. Shqiptarët janë trima; pushkët dhe municionet nuk na mungojnë’. Ai u përpoq të më bënte të shprehesha për pikëpamjet e Anglisë, sepse mendonte se ky konflikt kufitar po përpinte gjithë vëmendjen e bashkatdhetarëve tanë. Ai tha: ‘Anglia është mikja jonë. Të gjithë thonë këtu se ajo e ka furnizuar Lidhjen me armë dhe para.’ Është e sigurtë që ndonjë fuqi—ka shumë të ngjarë Turqia—e ka mbështetur Lidhjen në këtë mënyrë. Por është e çuditshme që të gjithë shqiptarët që takova ishin të bindur se Anglia ishtë miku në lidhje me këtë çështje. Qeveria e Turqisë nuk shihej me sy të mirë nga shqiptarët. ‘Ah, ata turqit!’ thirri kryetari me zemërim, ‘çfarë bëjnë ata për ne? Na vënë taksa, na grabisin—kjo është e gjitha. Këta pashallarët e shburrnuar, këta tagrambledhësit e doganave nuk bëjnë asgjë për ne për të kompensuar ato që vjedhin. A munden të na mbrojnë? Të na mbështesin? Jo! Ata na kanë shitur te gjaurët e mallkuar të Karatagut. Po ju them se nuk do ta durojmë turkun më. Kryetarët e Lidhjes janë betuar për këtë. Pavarësia i është dhënë Malit të Zi, i është dhënë Bullgarisë. Shqipëria do ta fitojë pavarësinë e saj dhe fuqitë e mëdha do të na njohin. Në qoftë se jo, ne aq na bën. Na lini rehat; kaq na mjafton’. Ai ishte nxehur tani aq shumë sa gati mbeti pa frymë; kështu që ndaloi, piu pak sherbet, pastaj duke u kthyer nga unë papritmas më pyeti: ‘Çfarë mendoni ju anglezët për Mid’hat Pashën?’ [Bëhet fjalë për një nga shtetarët e shquar të periudhës së Tanzimatit, reformatorin democrat dhe hartuesin e kushtetuës së parë osmane, të cilin Sulltan Abdyl Hamidi e burgosi dhe e helmoi më 1883.] ‘Ai na pëlqen shumë’, u përgjigja unë. ‘Ai konsiderohet si një nga të paktët zyrtarë turq të ndershëm dhe me vlera’. Ai u duk shumë i kënaqur kur e dëgjoi këtë dhe tha: ‘Ajo që duam ne është të krijojmë një principatë shqiptare të pavarur, me këtë Mid’hat Pashë si Princin tonë—një principatë nën protektoratin e Anglisë. Do ta shikoni që do ta realizojmë’. [Në parantezë, në librin e tij të fundit Knight-i shkruan në lidhje me Mid’hat Pashën se ai ishte shqiptar – në fakt prejardhja e tij shqiptare nuk është shprehur gjëkundi. Por është e sigurtë se Mid’hati erdhi në Shqipëri për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit të gjakmarrjeve.]
Pastaj unë e pyeta nëse kjo Lidhje ishte thjesht një lëvizje patriotike, apo ishte lëvizje fetare e kufizuar vetëm me pjesëmarrjen e muslimanëve. ‘Ne po luftojmë për pavarësinë tonë’, u përgjigj ai. ‘Ka po aq të krishterë në Lidhje sa dhe muslimanë. Ju e dini se të krishterët këtu janë të Kishës Latine (katolikë), dhe i urrejnë të krishterët grekë pa aq sa ne muslimanët’. Ai më tha se një pjesë e Lidhjes nuk ishin kundër pushtimit të Shqipërisë nga ndonjë fuqi e madhe; jo nga Rusia, tha ai, as Italia, as Austria; por Anglia ose Franca. Sa për veten e tij, ai nuk e dëshironte këtë.
Për sa i takon mbrojtjes së Gucisë, ai tha: ‘Ne kemi 35,000 burra këtu, të cilët do të luftojnë deri në vdekje. Malazezët nuk mund ta marrin Gucinë. Epo, ata kurrë nuk kanë luftuar me ne në fushë të hapur. Kafshët mund të luftojnë mjaft mirë prapa shkëmbijve të tyre, por ata janë frikacakë për të sulmuar. Kur shqiptarët lëshojnë thirrjen e luftës dhe sulmojnë me jataganë, karatagët trëmben, kthehen dhe ia mbathin. Pastaj ne i ndjekim, i kapim nga flokët e tyre të gjatë dhe me një të goditur me jatagan ua presim kokat kafshëve. Ah! Vetëm t’i shihje!’ Dhe duke u kthyer menjëherë nga unë, më tha: ‘Pse nuk shkoni në Guci t’i shikoni luftimet? Çdo natë nisen grupe nga Shkodra për në front. Unë do t’ju jap një letër për Ali Beun. Ai do t’ju mirëpresë si vëlla.’” (Kap. XIV, f. 201-204).
Kështu, katër udhëtarët anglezë vendosën të shkojnë në Guci, të shikojnë luftimet dhe të takohen me Ali Pashë Gucinë. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit Plava dhe Gucia kishin marrë rëndësi të jashtëzakonshme. Ndoshta për shkak të pozicionit strategjik që kishte kjo krahinë dhe mbrojtjes së vendosur që po i bënin vullnetarët e Lidhjes Shqiptare nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë, i cili ishte kryetar ushtarak i Lidhjes së Prizrenit.
Ali Pashë Gucia (1828-1888) (ulur majtas) dhe anëtarë të tjerë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Pasi kishin marrë të dhëna të mjaftueshme për vendin dhe situatën nga konsulli anglez dhe miqtë e tjerë në Shkodër dhe të pajisur me letra rekomandimi të nevojshme, Knight-i dhe tre shoket e tij u nisën “në një marshim tre-ditor nëpër malet e lartë të Kelmendit”, arrijnë në “një luginë të gjatë e të bukur që përshkon deri në thellësi vargmalin qëndror të Malit Scardus (Malit të Sharrit). Poshtë kësaj lugine rrjedh Drini i Bardhë, një lumë me rëndësi të konsiderueshme që derdhet në Adriatik, afër Alessios (Lezhës). Në këtë luginë gjënden Ipeku (Peja), Jakova (Gjakova) dhe Priserini (Prizreni), tre nga qytyetet më interesantë të Shqipërisë, të banuar nga një popullatë shumë e aftë në përpunimin e metaleve. Takëmet më të bukura për kuaj, punimet e filigranit, jataganët dhe koburet me doreza të zbukuruara me ar dhe gurë të çmuar punohen këtu nga një popull shumë punëtor.(f.215)… Në krye të luginës së lumit Lim, vendosur në qendër të një gjysëm-rrethi (ringu gjeologjik) të gjelbër e pjellor të rrethuar nga male madhështorë (Bjeshkët e Namuna, R.K.), gjëndet qyteti i vogël apo fshati i Gussinjes (Gucisë), një grumbull shtëpishë të vjetra prej druri. Ky është një vend me rëndësi të madhe strategjike, sepse pikërisht prapa saj në një kreshtë malesh të mëdhenj të mbuluar me pyje takohen Mali i Zi, Bosnja (mendoj, më saktë, Serbia, R.K.) dhe Shqipëria. Nga vendimet e traktatit të Berlinit, Gucia dhe rrethinat e saj iu dorëzuan Malësorëve të Zinj—prandaj ne e kishim të vështirë ta shikonim Gucinë. Si fitimtarë të luftës, duket e mjaftueshme që Malazezët të pretendonin për të marrë Tivarin nga ai traktat, një vend pa rëndësi strategjike, por që gjithësesi u jepte atyre atë për të cilën ata kishin pasur etje të madhe për një kohë aq të gjatë, një port detar. Por ishte absolutisht gabim që ta shtrinin territorin e Princ Nikitës përtej kreshtës malore, një kufi natyror që shkonte poshtë në luginën e Limit, duke i dhënë komandimin e saj—një kërënim i përhershëm për Turqinë dhe Bosnjën, një kockë për shumë pretendime të ardhshme. Gjithashtu duhet të kihet parasysh se banorët e krahinës që duhet të dorëzohet nuk janë sllavë as nga raca as nga gjuha—bile as nga feja e kishës greke, por janë muslimanë ose katolikë. Malazezët janë përkëdhëlur shumë kohët e fundit. Ata kujtojnë tani se janë një popull i madh dhe se kanë një mision të shenjtë për t’u zmadhuar në kurriz të Turqisë. Gucia është një vend i një lloji të çuditshëm dhe kurrë nuk ka gëzuar reputacion shumë të ëmbël. Si në të gjitha pjesët e tjera të Shqipërisë Veriore, populli në një shkallë të madhe bën si t’i dojë qejfi, dhe nuk e ndjejnë shumë zgjedhën e rëndë turke. Duke qenë i vendosur në kufi, është bërë qytet refugjatësh… Pikërisht në këtë qytet të Gucisë kryetarët e Lidhjes Shqiptare i kishin përqëndruar forcat e tyre, të vendosur për të luftuar deri në fund, pavarësisht se ishin të rrethuar nga trupat austriake në Bosnje në veri të tyre, forcat turke nga mbrapa, malazezët përpara mureve të tyre, shtuar këtu dhe neutralitetin e dyshimtë të arnautëve të krishterë…Na thanë se 35 mijë shqiptarë e mbronin Gucinë, në krye të të cilëve ishte Ali Bej. Ali Pasha, siç e quante ai veten, ishte një gucinjak i rangut të lartë, pronar tokash dhe shtëpishë në qytet dhe në krahinë, një burrë me inteligjencë të madhe dhe musliman i devotshëm”. (Kap. XV, f.217-218)
Në 2 kapitujt e parafundit (XVI-XVII) të librit të tij mbi Shqipërinë e Veriut dhe shqiptarët Knight-i ka përshkruar me hollësi udhëtimin e vështirë drejt Vermoshit e Gucisë. Pasi kaluan fushën e Mbishkodrës, pushuan pak në një han në Koplik, pastaj “lanë shtegun buzë liqenit dhe u kthyen djathtas, drejt vargmaleve të lartë e të shkretë” të Alpeve shqiptare. Gjatë udhës ata ndjehehin të sigurtë duke pasur si shoqërues një përfaqësues të fisit të Kelmendit dhe e dinin se kudo do të mirëpriteshin, sepse bajraktari i fisit, Nik Leka, ishte mik i konsullit anglez “dhe, si miq të ‘Zutni Green’-it, çdo burrë i fisit do të ishte miqësor me ne, sepse arnauti është shumë mirënjohës, nuk të tradhton kurrë—dhe nëse të thotë një herë mik, është përgjithmonë mik, dhe një mik i shkëlqyer.” Rreth një ore pasi ishte errësuar, ndalojmë para një kulle të madhe dykatëshe.’Scpiia Nik Leka’, tha shoqëruesi—shtëpia e Nik Lekës. ‘Bramiamir. Mir s’erd’ (Mbramja e mirë. Mirë se erdhët) ishin përshëndetjet që shkëmbyem kur po hynim në shtëpi. Pastaj, sipas zakonit shqiptar, zgjidhëm armët dhe ia dorëzuam të zotit të shtëpisë (shenjë e besimit te një mik), i cili i vari në mur bashkë me të tijat. ‘Bothmir, mik’ (‘Ju bëftë mirë, miq’) ishte nxitja e mikut tonë gazmor.” Të nesërmen ata vazhdojnë udhëtimin nën reshje të dendura të dëborës. Ata habiten kur shikojnë se shoqëruesi i tyre ecte këmbëzbathur mbi dëborë e akull pa i bërë përshtypje fare: “Shtegu ishte i veshur me akull dhe ishte shumë i rrezikshëm për kuajt. Udhrrëfyesi ynë, një kelmendas me pamje të rreptë, ecte këmbë-zbathur mbi gurët e mprehtë dhe dëborën e ngrirë me indiferencë të plotë”. (Kap. XVI, f. 239)
Arrijnë në Selcë, fshatin kryesor në Kelmend, ndalojnë në një shtëpi të vogël misionarësh françeskanë, të cilët i këshillojnë të mos shkojnë më tej se situata në Guci e rrethina ishte shumë e turbullt dhe paraqiste rrezik për jetën e tyre. Megjithatë ata shkojnë deri në Gropa (ndoshta fshati Lëpushë), tri orë larg Gucisë, dhe më në fund binden për t’u kthyer. Pas një udhëtimi të vështirë nëpër dëborën e ngrirë, ndalojnë për të pushuar në Kastrat, hanë mbeturinat e ushqimit në hanin e Koplikut dhe në muzg më në fund arrijnë në Shkodër pa u takuar dot me Ali Pashë Gucinë.
Megjithatë, Knight-i ndjehet shumë i kënaqur për përvojën e udhëtimit nëpër Shqipërinë e Veriut.“Ishte errësuar kur hymë në rrugët e ngatërruara të periferisë së Shkodrës. Ja ku ishim përsëri këtu, pasi kishim dështuar në përpjekjen tonë për të arritur në Guci. Megjithatë ekspedita nuk kishte qenë krejt e kotë. Kemi parë mjaft nga paraqitja e sjellja dhe zakonet e shqiptarit; kemi udhëtuar larg nga rrugët kryesore dhe jemi futur në zemrën e maleve të lartë, ku, unë besoj, asnjë nga bashkatdhetarët tanë nuk ka mundur të hyjë deri tani; dhe përsëri, kemi mësuar shumë më tepër për forcën e vërtetë të Lidhjes sesa mund të na kishin mësuar hulumtimet e një muaji në Shkodër….Bota do të dëgjojë shumë për veprat e Lidhjes Shqiptare ndonjë ditë, kështu që disa vërejtje, nga vëzhgimet e mia, që unë i konsideroj se përbëjnë gjendjen reale të çështjeve, mendoj se nuk janë pa vend këtu. Unë besoj se kryetarët e kësaj Lidhjeje janë njerëez të ndershëm, patriotë dhe të vendosur për ta zbatuar programin e tytre deri në vdekje. Për Ali Beun flasin me shumë respekt edhe në Mal të Zi dhe, nëse njoftimet janë të vërteta, ai do ta tregojë se nuk është general indifferent. Thuajse çdo musliman është anëtar i Lidhjes dhe forcat e saj po shtohen çdo ditë nga refugjatë nga Bosnja dhe dezertorë nga ushtria turke”. (Kap. XVII, f. 257-258)
Në lidhje me veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare gazetari anglez arsyeton se “Turqia fillimisht e mbështeti dhe e inkurajoi lëvizjen dhe për këtë mendoj se nuk mund të ketë asnjë dyshim. Sidoqoftë, është e sigurtë që përfaqësuesit e Portës, bile edhe oficerët e saj më të lartë në këtë vend, e shprehnin hapur simpatinë e tyre për të. Por faktet tregojnë se Lidhja ishte bërë aq e fortë sa që qeveria nuk mund ta shtypte tani edhe po të kishte dëshirë ta bënte këtë. Pjesmarrësit e Lidhjes, duke e ndjerë forcën e tyre, e kanë zgjeruar më tej programin e tyre. Mbrojtja e vendit të tyre kundër pushtimit të huaj nuk është tani thirrja e tyre e vetme, por Autonomia dhe çlirimi nga zgjedha turke po diskutohen me guxim nëpër pazaret e qyteteve me fortifikata. Vështirësia e Malit të Zi mund të zgjidhet: principata mund të jetë dakord që të marrë disa toka afër Tivarit në vend të krahinës së Plavës e Gucisë; mirëpo ka ndërlikime të tjera më serioze mbrapa. T’i rezistosh avancimeve të Austrisë në veri dhe të Greqisë në jug janë objektivat e deklaruara të Lidhjes. Ka shumë të ngjarë që perandoria e dyfishtë (Perandoria Austro-Hungareze, R.K.) do të jetë e detyruar të hyjë me forcë në këtë provincë; sepse një Shqipëri pa ligje, fanatike dhe e vet-qeverisur do të jetë një fqinjë shumë më e rrezikshme dhe të shkaktonte më shumë trazira për Bosnjën e saj të pakënaqur. Një pushtim i Shqipërisë flitej në konfidencë nga të gjithë oficerëët austriakë që takova në Dalmaci. Por një pushtim i këtij vendi nuk do të jetë një shëtitje e thjeshtë ushtarake. Po aq vend malor dhe po aq i lehtë për t’u mbrojtur sa Mali i Zi—e banuar nga një racë të paktën po aq luftarake, dhe e armatosur më mirë, Shqipëria mund të dalë se është po aq kockë e fortë sa ç’ka qenë Mali i Zi për Turqinë, e cila për qindra vite ka hedhur më kot ushtri pas ushtrie mbi ata shkëmbinj të hirtë ku kanë gjetur vdekjen. Mendoj se ka pak dyshim që edhe arnautët e krishterë të bashkohen me Lidhjen në rast pushtimi/ndërhyrjeje. Edha ata e duan pavarësinë—sepse ata praktikisht të pavarur kanë qenë dhe zgjedha turke nuk është ndjerë asnjëherë në këto male të egër….Malazezët kanë deklaruar hapur se do t’i trajtojnë ushtarët e Lidhjes si rebelë, pa treguar asnjë pikë mëshire. Ata janë shumë të sigurtë; por sipas mendimit tim, në qoftë se malësorët e zinj dhe shqiptarët lejohen t’i zgjidhin vetë grindjet midis tyre, pa ndërhyrjen e asnjë fuqie, ne do të dëgjojmë për Ali Beun në Cetinë përpara se të dëgjojmë për Marko Milanon në Guci.
Si do të përfundojë vështirësia shqiptare është e zorshme të parashikohet. Që trazirat e kësaj province pa ligje të Turqisë mund të çojnë tërthorazi në ndërlikime serioze është më se e mundur. Gjithashtu, përtej Adriatikut gjëndet një fuqi tjetër që po vëzhgon me vëmendje si po shkojnë gjërat – Italia. Partia Italia Irridenta është shumë e etur që qeveria të kërkojë për të marrë Shqipërinë, kur të vijë dita e shkëputjes nga Turqia. Të gjithë italianët mendojnë se vendi i tyre është lënë mbas dore në rregullimet e çështjeve lindore (orientale). Austriaët, pa shkrehur asnjë pushkë, kanë marrë Bosnjën dhe Hercegovinën. Anglia dhe Franca kanë marrë njëfarë protektorati mbi Egjiptin; bile edhe Greqia ka përfituar territore. Është e sigurtë që Italia po hedh sy lakmues mbi Shqipërinë; dhe është po aq e sigurtë që ajo do të zemërohej seriozisht nëse Austria do të pushtonte gjithë bregdetin e Adriatikut lindor nga Trieste deri në Egje.” (Ibid, f. 261-262) Qysh në këtë kohë – më 1880, gazetari i shquar anglez dhe miku i shqiptarëve E. F. Knight i parashikoi synimet ekspansioniste pushtuese të Italisë që do të ndodhnin konkretisht më 1920 dhe 1939.
Në trajtimin e kësaj çështjeje jetike për fatet e Shqipërisë në atë kohë të turbullt e trazirash të mëdha me të cilat po përballej Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Edward Knight-i arrin në përfundime mjaft të rëndësishme. Nga fundi i librit të tij ai shkruan: “Nëse do t’u besojmë lajmeve të fundit nga këto krahina, shumica e klaneve katolike më në fund kanë vendosur të bashkohen me Lidhjen. Kur unë isha në atë vend, ata ishin në një gjëndje të lëkundur dhe të pavendosur. Nëse këto lajme janë të vërteta, ka shumë të ngjarë që të bëhet luftë e ashpër dhe e zgjatur, sepse shqiptarët janë armik i tmerrshëm dhe që nuk shtypet lehtë po u ngritën seriozisht për të mbrojtur vendin e tyre, siç ka dëshmuar historia më shumë se një herë. Me një udhëheqës të tlllë siç duket se është Ali Pasha—me aftësi të mëdha, me përkushtim të madh, me ambicjen për të qenë një Skendërbe i dytë—autonomia e Shqipërisë mund të mos jetë e largët dhe mund të mos jetë një gjë shumë e padëshirueshme. Sepse këtu kemi një popull që ndryshon krejtësisht në fe, ndjenja dhe racë nga grekët dhe sllavët, në mëshirën e të cilëve Zoti Gladstone do të dëshironte ta shikonte të dorëzuar vendin e tyre. Ata janë një popull krejt i ndryshëm nga popujt e tjerë të Adriatikut lindor—një racë fisnike, që meriton mundësinë e saj absolutisht po aq sa Mali i Zi dhe Bullgaria. Kjo çështje po tërheq shumë pak vëmendjen tani, por nuk do të çuditesha të shihja që shumë shpejt kjo përpjekje e një populli trim për të fituar pavarësinë të fitojë simpatinë e anglezve. Mosmirënjohja nuk është ves shqiptar. Mund të ndodhë që një principatë shqiptare mund të provojë, në një të ardhme, se është një aleat që nuk duhet përbuzur. Do t’i përfundoj këto shënime duke përsëritur edhe një herë se kushdo që udhëton nëpër këto vende pa paragjykime duhet të jetë i mendimit se shqiptarët janë po aq të aftë—për të thënë më të paktën për këtë—për të provuar se meritojnë të vetqeverisen, siç janë popujt e tjerë të sllavëve të jugut.” (Kap XVII, f. 263-264) Ky vlerësim përfundimtar i gazetarit të shquar anglez E. F. Knight për aftësitë vetqeverisëse e shtetformuese të shqiptarëve është kundërvenie e qartë ndaj politikanëve të tjerë anglezë të asaj kohe që mendonin e vepronin krejt ndryshe, si William E. Gladstone, Percy Strangford që mbahej si eksperti më i mirë i “Çështjes Lindore” dhe deklaronte se vetëm bullgarët ishin të aftë për shtetformim në Ballkan, si dhe bashkëshortja e tij, Lady Strangford, e cila ndante të njëjtin mendim me të shoqin dhe besonte se vetëm Bullgaria mund ta rigjeneronte Ballkanin. [Në parantezë, kujtojmë këtu memorandumin e Vaso Pashës drejtuar kryeministrit konservator britanik Benjamin Dizraelit kundër synimeve ekspansioniste në dëm të trojeve shqiptare. ‘Kufijtë e propozuar për Bullgarinë’ kundër të cilave proteston Vaso Pasha fillimisht shtriheshin në perëndim përtej Shkupit, Ohrit e Korçës dhe përfshinin shumë territore shqipfolëse…. Ndonëse kufijtë e propozuar bullgarë u ngushtuan nga Traktati i Berlinit në korrik 1878, shqiptarët jo vetëm që nuk fituan asgjë, por ishin të kërcënuar nga të gjitha anët dhe humbën Tivarin, Ulqinin me rrethina, Plavën e Gucinë, Tuzin, Hotin e Grudën e territore të tjera autoktone.]
Në kapitullin XVIII autori përshkruan largimin nga Shkodra dhe kthimin në Angli. Nisen me lundër nga moli i pazarit të peshkut në Shkodër, nëpër rrjedhën e Bunës deri në derdhjen e lumit në det, më këmbë deri në Ulqin. Vizituan Ulqinin pastaj nga gjiri i Valdanozit hipën në anije dhe pas 7 ditë lundrimi arritën në Trieste, morën trenin deri në Calais, kaluan La Manshin dhe arritën në Londër.
Zotnia i mirë anglez Edward Frederick Knight e mbyll librin e tij “Shqipëria – Një udhëtim i kohëve të fundit” duke bërë edhe reklamë turistike për ta vizituar “Ilirinë e lashtë”, pavarësisht mungesës së rrugëve, mangësive e vështirësive të tjera:
”Nga Triese në Londër i gjithë vendi ishte i varrosur thellë nën dëborë. Në Venecie dëbora ishte dy këmbë (60 cm) e thellë. Në Paris gjithë trafiku kisshte ndaluar. Londra ishte pak më mirë. Dhe tani më duhet t’i lë lamtumirën atyre që më kanë ndjekur deri këtu; kurse atyre që kërkojnë një vend të pa-eksploruar nga turistët dhe jo të paarritshëm në kulm, për një turne veror, më lejoni t’ju rekomandoj me forcë këto vende interesante të Ilirisë së lashtë”.(f. 278)
Me kaq Edward Frederick Knight e përfundon udhëtimin e tij në Shqipërinë Veriore. Mirëpo ai do t’i rikthehej kujtimeve mbi Shqipërinë dhe çështjes së shqiptarëve në dy vepra të mëvonëshme, të botuara më 1909 dhe 1923.
[1] Tien-Tsin, June 28.—It is reported that Edward F. Knight, the correspondent of The London Morning Post with the Japanese Army, was killed at Wafang-Tien.
[2] “vendi i gurëve” – një lloj metonimie për ‘Montenegro’ (= mal i zi, vend shkëmbor, me gurë).