Epilogu

Gazetari gjerman: CIA ka bashkëpunuar me UÇK-në, puna ndërlidhëse zhvillohej në Kukës

Gazetari i njohur gjerman Matis Rub kishte folur për raportet e UÇK-së me shërbimin sekret, CIA-n amerikane. Ai kishte pretenduar se ka zbuluar diçka por që nuk kishte arritur të vërtetohet.

“Në realitet CIA dhe NATO – përkundër përgënjeshtrimeve zyrtare – që nga mesi i prillit kishin bashkëpunuar me UÇK-në. Dega e CIA-s në Tiranë dhe 24 njësi speciale amerikane në Kukës dhe në Durrës, kryengritësve të shpërndarë dhe të armatosur keq iu kishin ndihmuar, duke u dhënë informata të dobishme mbi pozitat e trupave serbe. Për të evituar një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me UÇK-në, ushtria amerikane përdorte ushtrinë shqiptare si ndërmjetëse. Përfaqësues të UÇK-së takoheshin për çdo ditë me oficerë shqiptarë në Ministrinë Shqiptare të Mbrojtjes në Tiranë, kryesisht në prani të një zyrtari të CIA-s. Puna ndërlidhëse me UÇK-në zhvillohej kryesisht në qendrën operuese në Kukës, ku oficerë të CIA-s dhe të njësive speciale mblidhnin informata”.

Poashtu, në dokumentarin e punuar nga Albanian Post dhe emisioni Opinion ka zbuluar se si Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale ka mbajtur dokumente të fshehta ndaj trupit gjykues, të cilat përbëjnë prova shfajësuese ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Prokuroria e ka për detyrë që në një rast hetimor të grumbullojë të gjitha provat, qofshin ato fajësuese për të akuzuarit, apo shfajësuese, por është treguar selektive në paraqitjen e tyre para gjykatës.

Një nga dokumentet që ishte mbajtur fshehur nga gjykata ishte edhe një raport i CIA-s amerikane, i janarit të vitit 2000, në të cilin thuhej se UÇK-ja nuk kishte kryer akte terroriste kundër caqeve civile.

Raporti i CIA-s

Në një pjesë të raportit katërfaqësh thuhet se “udhëheqja e UÇK-së nuk duket të jetë përfshirë në operacione të drogës për të mbështetur aktivitetet e saj gjatë luftës…”

Gjithashtu, në një pjesë tjetër, pohohet në raportin e CIA-s se “UÇK-ja nuk ishte e përfshirë në aktivitete terroriste – të përcaktuara si dhunë e paramenduar, e motivuar politikisht, e ushtruar kundër caqeve civile”.

Dokumenti i CIA-s

Fshehja e provave shfajësuese konsiderohet me pasoja të rënda dhe shkelje e të drejtave të njeriut, ndërsa mbrojtja ka kërkuar në procesin e shpalosjes së materialeve dhe dëshmive të instalohet një mbikëqyrje e pavarur.

Sipas avokatit kosovar, Artan Qerkini, i cili flet në dokumentarin “Devijimi Special”, nëse Prokuroria ka bërë një gjë të tillë, atëherë nuk bëhet fjalë për gjykim të drejtë.

“Prokuroria në fazën e hetimeve vepron si organ shtetëror dhe mbrojtja nuk i ka ato mjete në dispozicion që i ka prokuroria. Për këtë arsye është parashikuar me ligj që prokuroria të mbledhë edhe prova shfajësuese, sepse aty ku ka qasje prokuroria nuk ka qasje mbrojtja. Dhe nëse prokuroria nuk e ka bërë një gjë të tillë, atëherë nuk mund të flasim  për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, shprehet ai.

Exit mobile version