Shkruan: Arben Ahmeti
Një rrëfim nga Haga e Kadriut, Rexhës, Hashimit, Nasimit dhe të tjerëve
Jakup Krasniqi është 71 vjeç. Për ish zëdhënësin e UÇK-së aktualisht, prokuroria e Dhomave të Specializuara po kërkon 10 vjet gjykim. Në moshën 81 vjeçare, ai mund të gjendet fajtor sepse ishte zëdhënës që propagandoi për liri ose të shpallet i pafajshëm. Cilido që të jetë vendimi, druaj se do të ishte i vonshëm. Ai po akuzohet për shkak të disa komunikatave të UÇK-së të cilat ishin propagandë për ngritje morali. Po të ishin të vërteta, nga pretendimet e atyre komunikatave do ta kishim çliruar vendin deri në Nish. Aktgjykimi ndaj Ramush Haradinajt pos të tjerash konstaton që komunikatat e UÇK-së ishin propagandë. Jakup Krasniqit do t’i duhen dhjetë vjetë tjera për të rikonstatuar diçka tashmë të konstatuar. Me bacin Jakup nuk u takuam. Për shkak të aranzhimeve teknike. Herën e ardhshme gjithsesi.
Haga
Planifikimi që fillimisht të udhëtojë për një aranzhim tjetër në një shtet të BE-së e nga aty pastaj pas disa ditësh drejt Hagës, dështoi. Sepse u vonua viza Schengen për arsye të kuptueshme. Kësisoj, viza ime hynte në fuqi me datën 9. Po më datën 9, në ora 09:00, gjykata na kishte dhënë leje mua dhe Fidanit për vizitë tek Kadri Veseli. Pra, unë duhej të nisesha me datën 9 drej Schengenit dhe të arrija në Hagë me datën 9 në ora 09:00. U detyrova të shkojë në Stamboll herët në mëngjesin e datës 8. Të fluturoj atë natë drejt Konyas të Turqisë. Me datën 9 të hipë në aeroplanin që nga Konya shkonte në Amsterdam pas mesnate. Ateroj herët në mëngjes. Në ora 09:00 jam para burgut ku po mbahen udhëheqësit e luftës. Itinerari shërbeu për humor e batuta brenda. Ma kujtuan se nuk jam VIP si ata. “Neve në aeroplan privat na kanë pru”… U thashë se pas gjithë atyre orë pritjeje nuk është se nuk ndihesha si Ismail Qemaili në udhëtimin e mundimshëm për në Vlorë.
Rregullat
Për shkak se e kanë të ndaluar të përcjellin mesazhe në publik, pa një autorizim nga Gjykata, nuk do të citoj asnjë deklaratë të Kadrisë, Rexhës, Hashimit e Nasimit. (Renditja sipas orarit të vizitave të lejuara nga Gjykata). Por, kjo nuk më ndalë të tregojë se çfarë ndjeva, pashë dhe kuptova në takim me secilin. Kontakti i parë me burgun, kontrollat, anglishtja verifikuese në një institucion që pretendon të jetë i Kosovës të kthen në kohën e UNMIK-ut. Kur pas disa minutash pritje në një dhomë të vogël hyjnë në korridor grupi i të paraburgosurve gjallërohet ambienti. “Dhezni dritiat. Çka keni keshtu?! A jeni ju ne burg a na?!”. Pastaj takimet private.
Kadri Veseli
Të krijohet përshtypja se e ke takuar para një jave. Dallimi i vetëm nga takimet në Prishtinë, është se tash është me veshje joformale. Kujdesin e kujtesën e ka maksimale. Konstatoj tre katër parashikime të tij në publik që tash po dalin të sakta. Por, edhe për këto njëherë tjetër. Ai është konstantja e shokëve aty. Mesfushori në termin e futbollit që lidh mbrojtjen e sulmin me një lidership të pakontestueshëm.
Rexhep Selimi
Në dhomën e vogël të qelisë në Hagë rikonstatoj rëndësinë e tij në luftë si i ri dhe me energji. Ai është plot vullnet, këngë, humor e unitet. 10-shi i luftës që nuk është dhjetësh klasik futbolli. Sepse është me entuziazëm e pozitivitet. Fidani i tregon se po bëhen edhe Radio 10 e Gazeta 10. Nuk mund të tregoj se çfarë na tha, por pas një kohe do jetë supergallatë ky rrëfim.
Nasim Haradinaj
Bomberi i moralit. Ai është zhurma. Komentuam momentin e “dënimit në emër të popullit”. Konstatojmë se në paraqitjen e radhës në TV, duhet të kujdesemi që tavolina të jetë e hekurit. (Dikur na e kishte thyer nje tavolinë në studio).
Hashim Thaçi
Në fushatën “Krenohu me Kosovën” Hashim Thaçin e shihje nga një fshat në tjetrin, nga një mal ne tjetrin, nga një qytet ne tjetrin. Në një analizë të atëhershme ishte kontstatuar se nuk ka regjion e lokacion qe nuk e kishte vizituar të paktën njëherë. Disa prej tyre dy e tre herë. Për nga gjendja fizike e psikike më duket si Hashimi i atëhershëm. Edhe disa rrudha e thinja që i’a patëm shkaktu e që ne kritikët e tij shpresonim se i ka si rezultat i kritikës sonë, i ishin zhdukur. Njeriu që bëri historinë, nuk të ngjan në një të moshuar. Ai duket se e ka ndalur kohën dhe është i gatshëm sërish të bëjë historinë. Ka shumë gjëra që do t’i ndaja nga biseda me Presidentin, por jo kësaj here. Shpresoj ta kemi shpejtë në një rrëfim ndryshe.
Beteja
Luftëtarët janë unik e me vullnet sikur dikur në Malet e Berishës. Dallimi i vetëm është se tash e kane një kundërshtar të cilin e respektojnë, sepse janë të bindur se është viktimë e fushatës së armikut të atëhershëm. Mënyra e motivimit nga Hashim Thaçi, falënderimi nga Veseli apo përshëndetja ushtarake e Rexhep Selimit në largim do më mbesin gjatë në mendje. Në prag të pervjetorit të çlirimit të Kosovës, ne u çliruam nga procedurat e vizitës në një qeli. Brenda mbetën arkitektët e çlirimit të Kosovës.