Gani Geci / Lufta pa maska
Kur kanë ardhur nga Gjermania Sami Lushtaku dhe Sahit Jashari unë i kam shoqëruar për herë të parë për në Prekaz. Ata s’kishin qenë kohë të gjatë në Prekaz. Së bashku me Afrim dhe Musli Gecin, kemi shkuar përmes fshatit Kryshec, kemi kaluar rrugën te Lisat e Xanit dhe kemi dalur në Prekaz. Kjo që po rrëfej është me shumë rëndësi, sepse kur kemi shkuar në Prekaz te shtëpia e Sami Lushtakut, ka qenë i lidhur një qen, i cili nuk ishte zgjidhur dy tri ditë me rradhë. Fadil Kodra me ushtarët tjerë kishin qenë në pjesën e Kodralive, në odën e dikujt që nuk më kujtohet emri. Ka qenë natë, kur kemi hyrë në oborr.
Samiu, kur ka hyrë nëpër dhoma nuk ka gjetë askënd, pastaj ka dalë në mes të oborrit e ka britë: – Oj Serbi, eja se ka ardhë Sami Lushtaku, he nënën e nënës, se edhe vet e kam sos me vdekë!Ajo ishte britma e dhimbjes së një njeriu që në oborrin e shtëpisë së vet nuk gjen askënd të gjallë. Atë natë kemi qëndruar të gjithë në Prekaz e të nesërmen jemi kthyer në Ticë. Samiu kishte mbetur në Prekaz për ta organizuar fshatin, pasi organizimi i tij ka qenë shumë i dëmtuar. Fjala ishte te Gani Koca, i cili me çdo kusht donte të tërhiqte vëmendjen nga fshati ynë Llaushë. Aty u bë edhe një spital. Me rastin e plagosjes së Mujë Krasniqit, gjë të cilën nuk e kam ditur për një kohë të gjatë, kanë ardhur edhe disa mjekë nga Prishtina me Ganiun.
Mujën e kam njohur shumë mirë, disa herë edhe kemi kënduar bashkë. Rexhep Selimi dhe Mujë Krasniqi kanë qenë dajë e nip. Njëherë, në shtëpinë e Mujë Krasniqit i kam thënë Gani Kocës të shkojmë t’i shohim pozicionet serbe në Llaushë, e pastaj mund të flasësh në se është e rrezikuar Llausha apo jo.