fbpx
Lajme

Gega: Në 1980 ka ndodhur një ballafaqim në mes të Jusuf Gërvallës dhe Riza Salihut në shtëpinë time

Pjesë nga intervista e vitit 2012 të ushtarit dhe veprimtarit tanimë të ndjerë, Hysen Gegës.

Ballafaqimi në shtëpinë e Hysen Gegës

“Kosova SOT”: Në muajin prill 1980, sipas Ibrahimit dhe Rizait, ka ndodhur një ballafaqim në mes të Jusuf Gërvallës dhe Riza Salihut, në banesën tuaj. Kush ishte i pranishëm dhe si rrodhi ballafaqimi?

H. GEGA: Po, kjo është e vërtetë. Kjo ka ndodhur me iniciativën time dhe është realizuar në banesën time. Kam dashur të ballafaqoj Jusufin me Rizain për të sqaruar akuzat që po i lëshonte Riza Salihu kundër tij. Aty ishin të pranishëm, përveç ne të treve, edhe M. Saramati, R. Jupolli, I. Kelmendi, B. Gërvalla, baca Qemal Bajrami nga Dibra, si dhe një mik nga Presheva. Aty iu drejtova Rizait se tani duhej t’i shpaloste faktet rreth akuzave të tij për Jusuf Gërvallën dhe le t’ia thoshte ato akuza Jusufit troç e ndër sy dhe jo prapa shpine. Rizai u trondit pa masë dhe na akuzoi për komplot e shantazhim. Më shkoi mendja ta ndëshkonim për sjelljet e tij, mirëpo ishte Jusuf Gërvalla që nuk na lejoi ta bënim një gjë të tillë. Prej këtij rasti më nuk e kam takuar Riza Salihun, dhe ishin edhe shumë të tjerë që i shkëputën kontaktet me të.

“Kosova SOT”: Në deklaratën për gazetën “Kosova Sot”, Riza Salihu shpreh besim të plotë në Ramadan Selimin, i cili aso kohe punonte në konsullatën jugosilave, kurse dyshonte se Jusuf Gërvalla ishte spiun? Çka mendoni ju, a mos vallë Ramadan Selimi e këshillonte Riza Salihun se kush ishte spiun e kush patriot?

H. GEGA: Për z. Selimi nuk kam dëgjuar ndonjëherë. Mirëpo, unë dyshoj se është dikush tjetër që i jepte këshilla, informacione të rrejshme, ndoshta edhe urdhra R. Salihut, po meqë nuk e kam të vërtetuar, nuk po ia përmend emrin.
“Kosova SOT”: Riza Salihu deklaron se i ka kontrolluar kutitë postale te Jusufit dhe Ibrahim Kelmendit, sepse ka dyshuar se këta dy janë spiunë të UDB-së. Sipas jush, pse i ka kontrolluar ai letrat e Jusufit dhe Ibrahimit?
H. GEGA: Siç e theksova më lart, kontrollimi i letrave të të tjerëve kishte të bënte me sëmundjen e Riza Salihut, në mos qoftë ndonjë arsye më e thellë, për të cilën tanimë mungojnë argumentet. Sepse nuk e kuptoj se ç’i duhej Riza Salihut të futej në jetën private të të tjerëve, si një voajazher.

“Kosova SOT”: Riza Salihu deklaron: “Qëllimi i Jusuf Gërvallës dhe Ibrahim Kelmendit për ta manipuluar Hysen Gegen…” , a është e vërtetë se ju ishit i manipuluar nga Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi?

 H. GEGA: Nuk është plotësisht e qartë se ç’nënkuptohet me fjalën manipulim. Njeriu manipulohet kur vihet në shërbim të interesave egoiste të dikujt, pa qenë i vetëdijshëm, ndërsa kur zgjedh me vetëdije njërin opsion kundrejt tjetrit quhet përcaktim i vullnetshëm dhe jo manipulim.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close