Vrasja ndodhi pas vizitës së ministrit jugosllav
“Kosova SOT”: Riza Salihu me këmbëngulje thotë se vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën e ka vrarë policia sekrete gjermane, a mendoni se kjo është e vërtetë?
H. GEGA: Është një pyetje spekulative që kërkon përgjigje spekulative, për të cilën nuk dua të zgjerohem shumë, ndonëse kam dyshimet e mia. Unë nuk besoj se policia gjermane do të kryente punë të ndyta për të tjerët, aq më pak për jugosllavët, d.m.th. punë që i takonin ekskluzivisht UDB-së jugosllave. Në kohën kur isha në burg, në CZ të Beogradit, një ditë pas atentatit në Shtutgart, një gardian më hapi sportelin e qelisë dhe më tha duke më treguar një gazetë me foton nga atentati: “Ja ç’u kemi bërë shokëve tu!” Pastaj më kujtohet, siç lexoja gazetat, se pak kohë më herët, rreth 1 deri 2 javë, në një vizitë në Gjermani, kishte qenë Stane Dolanci, ministri jugosllav për punë të brendshme. Nënkuptohet se ai duhet t’u jetë lutur gjermanëve që t’i jepnin shërbimit të fshehtë jugosllav hapësirë të lirë veprimi në territorin gjerman. Mendoj se është në përgjegjësinë e qeverisë sonë të sotme që të kërkojë sqarime zyrtare nga Shteti gjerman për rastin e vrasjeve të heronjve tanë në Gjermani, më 17 janar 1982, por edhe të bëhen hetime nga institucionet tona për të zbuluar dorasit.
“Kosova SOT”: Sipas mendimit tuaj, a mund të na thoni pse Riza Salihu e shfajëson Serbinë, duke deklaruar se Jusuf Gërvallën e ka vrarë policia gjermane?
H. GEGA: Do të parafrazoja me pakëz ndryshim Profetin Isa, gjegjësisht Jezusin: O Zot, fale se nuk e di se ç’bën e ç’thotë!
“Kosova SOT”: Gjatë tërë aktiviteteve kombëtare, me dekada të tëra, e deri në çlirimin e Kosovës a keni njohuri se policia gjermane kishte vrarë ndonjë aktivist të Lëvizjes?
H. GEGA: Po e përsëris, mendoj se gjermanët vetëm sa u kanë dhënë hapësirë të lirë veprimi agjentëve të shërbimit jugosllav. Nuk mendoj se kanë qenë të përfshirë direkt.