Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwartz, është takuar me homologun e saj palestinez, Riyad Al-Maliki, në Forumin Diplomatik në Antalia të Turqisë, i cili u mbajt me 11-13 mars. Por, këtë takim Gërvalla e kishte mbajtur të fshehtë.
Në këtë takim është diskutuar edhe për mbylljen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës.
Siç thuhet në njoftimin për media, gjatë takimit Gërvalla shprehu dëshirën e Kosovës për të forcuar marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shtetit të Palestinës, përcjell Demokracia.com.
Nga ana tjetër, ministri Al-Maliki i tha Gërvallës se Shteti i Palestinës gëzon një marrëdhënie të veçantë me Serbinë, duke shtuar se mundësia e shqyrtimit të ndërtimit të çfarëdo marrëdhënie dypalëshe me Kosovën kushtëzohet me transferimin e Ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi në Tel Aviv. “Pasi prania e ambasadës në Jerusalem është një qëndrim që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit”, thuhet mes tjerash në njoftim, përcjell Demokracia.com.
Ministri Al-Maliki theksoi se kjo shkelje nuk do t’i sjellë dobi Kosovës në gjetjen e rrugës drejt arritjes së njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në bashkësinë ndërkombëtare.
Kujtojmë se Kosova nuk kishe kërkuar asnjëherë më parë njohjen nga Palestina. /Demokracia.com/