Epilogu

Gërvalla për mediumin zviceran: Gjithmonë kam kërkuar zbardhjen e vrasjeve të pasluftës

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka deklaruar se Qeveria Kurti dëshiron të motivojë diasporën që të jetë pjesë e rëndësishme e ndryshimit në Kosovë, transmeton Gazeta Sinjali.

“Në të ardhmen Kosova duhet të përfitojë jo vetëm nga transferimet e parave, por edhe nga njohuritë e kosovarëve të trajnuar mirë jashtë vendit, për shembull duke marrë funksione të ndryshme nëpër institucionet shtetërore ose duke ardhur këtu si investitorë. Pjesëmarrja në zgjedhje gjithashtu duhet të bëhet më e lehtë për diasporën dhe të bëhet e mundur që ata të votojnë në ambasadat dhe konsullatat e vendit. Do të ketë një ligj të ri zgjedhor këtë vit”, ka deklaruar Gërvalla për median zvicerane, nzz.ch.

Kryediplomatja e Kosovës ka kërkuar që shumë vrasje të pasluftës në vend të zbardhen.

Ndryshe media zvicerane ka raportuar lidhur me gjykimin që po iu bëhet ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në raportim e sipër thuhet se shumë shqiptarë të Kosovës mendojnë se Gjykata Speciale në Hagë është e padrejtë dhe se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti poashtu kishte kundërshtuar krijimin e gjykatës.

Nga ana tjetër, kryediplomatja Donika Gërvalla Schwarz thotë se “Bashkë me të tjerët unë kam kërkuar vazhdimisht që vrasjet politike pas përfundimit të luftës të hetohen plotësisht. Duhet të ketë drejtësi për të gjithë. Ne kemi nevojë për këtë, për procesin e brendshëm të shërimit të shoqërisë sonë”, tha ajo duke shtuar se fatkeqësisht gjyqësori kosovar nuk arriti që të zgjidhë çështjen e vrasjeve të pasluftës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Gërvalla gjithashtu ka folur lidhur me drejtimin e shtetit, duke theksuar se përpiqet të zbusë pritjet që qytetarët kanë për qeverinë e re.

“Ne nuk mund të bëjmë mrekulli në katër vjet. Por do të përdorim kohën për të udhëhequr në rrugën e drejtë. Kështu që asnjë qeveri nuk mund ta kthejë atë që ka bërë më herët”, shtoi ajo. /Gazeta Sinjali/

Exit mobile version