Gjatë viteve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1997-1999) Kudisi Lama ka qenë komandant i Divizionit të Kukësit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ai për gazetën Demos ka rrëfyer disa momente interesante me Kolonelin e ndjerë Ahmet Krasniqin dhe raportet e tij me Ibrahim Rugovën.
“Me Kolonel Ahmet Krasniqin ne kemi gjetur mirëkuptim se koloneli ishte profesionist i nivelit të lartë, ishte vërtet njeri që dinte se çdo të thotë ushtri dhe e dinte se çdo të thotë luftë. Me atë kemi gjetur plotësisht mirëkuptim. Nuk mund të veprojnë dy ushtri në Kosovë. Pikë. Të dy jemi dalë në këtë përfundim. Dhe nuk duhet lejuar të veprojnë dy ushtri në Kosovë. Ky është përfundimi që e kemi nxjerrë. Për të trajnuar, hajde të trajnojmë sa të duam ne. Por po hynë atje, ata janë nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Absolutisht po, kjo ishte marrëveshje mes nesh dhe kështu ka ndodhur”.
Më tutje Kudusi Lame flet edhe për vrasjen e tij “Ahmet Krasniqi me 14 shtator ka qenë në zyrë te unë gjithë ditën dhe u vra me datën 21 e pse u vra nuk e di, ai kishte lënë me ardhë me Zekën (Xhavit Halitin) me datë 30 shtator tek unë prapë. Ai s’arriti të vinte se dikush e donte të vrarë”.
Kudusi Lame ka folur edhe për linjat brenda FARK-ut duke shtuar se “Nuk e di a i takon Ahmet Krasniqi linjës së Rugovës, sepse Ahmet Krasniqi ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe ka firmosur për botimin e një reviste ushtarake, ku realisht në atë revistë fliten shumë fjalë të këqija për Ibrahim Rugovën. E botonin këta, e botonin këta Ministria e Mbrojtjes. Dhe flitej shumë keq për Ibrahimin në atë revistë, e ka firmosur Ahmet Krasniqi. Prandaj nuk e di në shërbim të kujt kanë qenë këta, por e di që Ahmeti ka pasur shumë rezerva ndaj shumëkujt sepse ai ka ndejtur me mua shumë, por ai është i vdekur dhe s’mund t’i them hajde këtu e foli këto, e po ia la heshtjes”.