Akademik Rexhep Qosja ka botuar disa vëllime të librave, respektivisht mbi 8 libra nga ditari i tij personal. Ai aty duke specifikuar datat ka treguar për ngjarjet politike të kohës. Poashtu ai kishte mbajtur shënime për secilin detaj të asaj kohe. Rexhep Qosja ka treguar se si shumë personalitete dolën kundër gazetës “Bota SOT” në mbledhjen e Këshillit të Përkohshëm Administrativ me datë 4 prill 2000.
Ja diskutimi i disa personaliteteve vendore dhe ndërkombëtare për mediumin bota sot;
– Gazeta Bota sot merret me akuza dhe kërcënime, thotë Hashim Thaçi.
– Agresivitetin e Botës sot e bëjnë më të rrezikshëm, më kërcënues shpifjet, gënjeshtrat, denoncimet – thotë Rexhep Qosja.
– Gazeta Bota sot është gazeta më e keqe që kam parë ndonjëherë. Tri herë kam kërkuar bisedë me të, por e pamundur! Ajo është gazetë me të cilën nuk punohet… Nuk kam kërkuar tek ata njerëz… (Nuk arrij t’i shënoj të plota fjalitë e gjeneral Klaus Reinhardit).
– Ata njerëz që punojnë në gazetën Bota sot janë njerëz që Shqipërinë e kanë futur në luftë civile. Ata atë frymë duan ta sjellin në Kosovë! Shkrimet e saj shkruhen në Shqipëri dhe në Zvicër, thotë Thaçi.
– Gazeta Bota sot është shembull se si s’duhet të jetë gazeta. Duhet të ndalet qarkullimi i saj, thotë gjenerali Karrer.