Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, “Mbrojtës i paepur i Qytetërimit Perëndimor”, është një përcaktim i shkëlqyeshëm nga dalin mesazhe të rëndësishme, përvoja të hershme të popullit tonë, sidomos për politikën e sotme, për kompleksitetin e saj për të rikëthyer vendin në Evropë, kur dihet se Arbëria gjatë kohës së Rilindjes Evropiane, ka qenë mur i madh i mbrojtjes së atij qytetërimi, pjesë e tij duke qenë dhe i vetëvetes. Skënderbeu është burr i shquar i vetëm yni, që i shpëtoi anatemës kombëtare. Ajo që i ka prekur të gjithë personalitetet tanë, nuk e ka përbaltur heroin kombëtar. Fatosi ynë, edhe pse gati është një hero modern, ka kaluar me plotë të drejtë në mit që në kohën e tij. Ndoshta është ky fakt, që shqiptarët, kudo që të jenë, identifikojnë krenarinë kombëtare me figurën e tij.
Në këtë vit, kur shënojmë 600 – vjetorin e lindjes së kryetrimit të Historisë tonë, kumtesa ime ka për objektivë t`i fokusojë lidhjet e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut me Kosovën.
Është e njohur se deri me sot në qendra shqiptare dhe botërore janë ngritur përmendore dhe sheshe kushtuar heroit tonë kombëtar dhe ndërkombëtar. Për shkaqe të politikës ditore, në Kosovë u ngritën përmendore të tillë vetëm në ditët tona. Qëllimet janë të njohura. Në të vërtetë, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë gjatë periudhës së monizmit (por edhe më parë) kur është bërë fjalë për Skënderbeun gjithëherë është aluduar në treva të Shqipërisë politike e kursesi në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Në këtë aspekt, ka mbetur padrejtësisht jashtë objektivit të epokës së shkëlqyeshme skënderbejane edhe treva e Kosovës.
Është e njohur se historiografia e jonë kur bëhet fjalë për hapësirën gjeografike dhe gjeopolitike të shqiptarëve të Kosovës edhe sot ballafaqohet me spekulime jo vetëm të historiografisë serbe. Ndërkaq, çështja e pranisë së shqiptarëve dhe shtrirja e konceptit Arbëri, përkatësisht Arbëri në Kosovë gjatë periudhës së Skënderbeut, riprodhon vështirësi shtesë për trajtimin e kësaj çështjeje.
Se popullsia shqiptare ka qenë vazhdimisht aty ku janë sot brenda dhe jashtë kufijve politik, dëshmohet edhe nga prania e kësaj popullsie në trojet e Kosovës së sotme, gjë që provohet nga shumë burime të ruajtura të kohës. Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen për çështjen që e kemi në shqyrtim është se, origjina e familjës së kryezotërinjve Kastrioti, sipas burimeve të reja të lëna pas dore nga ndonjë studiues, si, bie fjala, koleksioni i dokumenteve mesjetare të Bosnjes1, Analet e Rushës2, F. Bardhi3, na bëjn të mundur të ndeshim indikacione për zgjidhjen problemi të prejardhjes së familjes së Kastriotëve nga një fshat Kastriot ose Kastrat në Has. Që këtej, kleriku i shquar yni Frang Bardhi duke polemizuar në vitin 1636 kundër përpjekjeve përvetësuese të J. Marnoviqit, mbrojti origjinën arbërore të Skënderbeut. Në këtë kontekst Bardhi i kushtoi vend të veçantë prejardhjes së Kastriotëve. Pas një shqyrtimi polemik ai arrin në përfundimin se Kastriotët ishin nga Hasi i Prizrenit, se kështu është në “pajtim të plotë mendimi i përgjithshëm i kombit tonë”4. Kjo frazë, e cila del nga vepra e Bardhit kushtuar Skënderbeut i jep mendimit të tij për Hasin si vend të prejardhjes së Kastriotëve vlerën e një burimi historik të dorës së parë. Më tej, Bardhi shpjegon edhe origjinën e emrit familjar të Kastriotëve, duke e ndërlidhur atë me emrin e fshatit Kastrat, që gjendet buzë lumit dhe tregon se në kohën e tij një familje vendase kishte si mbiemër emrin e fshatit Kastrat5. Prejardhjen e Kastriotëve nga Hasi i Prizrenit e provon gjithashtu edhe kronisti raguzan Pjetër Llukari (1551-1615) në veprën Pasqyrë e analeve të Rushës të botuar në vitin 16056, si dhe koleksioni i shënimeve kishtare nga kapërcyelli i shek. XV nga një klerik boshnjak, të botuara për herë të parë në vitin 18927. Po ashtu, mbiemri i dytë, Mazreku, i cilin është ngushtësisht i lidhur me Kastriotët, si dhe pronat e tyre, Kastorie dhe Ymenestrie, që përmend A. Engjëlli, gjënden në mikrotoponominë e hershme dhe të sotme të Hasit (Kostur, Kastrat dhe Mazrek) dhe të Drenicës e të Lumës (Ujmirë dhe Ujmisht që përmedet edhe nga Dh. Frëngu)8. Në përforcim të këtyre vjen edhe një dëshmi e fillimit të shek. XIX se në qytetin e Gjakovës jetonte rrobaqepësi Mihal Kastrioti, që flet për praninë dhe ruajtjen ndër shekuj të këtij mbiemri në krahinën e Hasit nga kishin origjinën Kastriotët. Me zgjerimin e kryezotërinjëve Balshaj, Kastriotët u dëbuan nga kjo trevë dhe domenet e tyre më pastaj u lokalizuan në Dibër dhe Mat. Më rënien e balshajve (nga fillimet e shek. XV) nisi fuqizimi i Kastriotëve. Ata kthehen në tokat e tyre në pellgun e Drinit duke përfshirë edhe Prizrenin 14209. Dokumentet zyrtare nuk përmendin Krujën midis pronave të Gjonit. Ka të ngjarë se Gjon Kastrioti ta ketë marrë qytetin e Krujës si feud prej sulltanëve, pasi që ky qytet ishte pushtuar prej turqëve. Dokumente të tjera i plotësojnë këto të dhëna. Që këtej, Gjon Kastrioti zinte një pozitë të rëndësishme midis sunduesve arbërorë. Ai ishte martuar me Vojsavën, të bijën e princit të Pollogut (Tetovës).
Duhet vënë re se, pas vdekjës së perandorit Dushan (1355), i cili ishte shpallur për perandor edhe i arbërve, grekëve dhe bullgarëve, dhe pas zhberjes së shtetit rasian pas Betejës së Maricës (1371), pjesë të Kosovës hynë në kuadër të kryezotërinjëve Balshaj dhe Kastrioti. Këtej, pjestarë të këtyre familjeve ishin protogonist kryesor në ngjarjet që kishin kapluar edhe Kosovën që nga Beteja e Parë e Kosovës. Atëbotë, faktori politik shtetëror arbëror i dha mundësi popullatës arbërore të Kosovës të afirmojë më tej vetëdijën e bashkësisë së gjuhës, të kulturës dhe të territorit në kuadër të një shteti relativisht të gjërë, prej bregdetit malazias të sotëm e deri në Novobërdë, dhe prej Himare e deri në Kostur.
Ndryshe nga një pjesë e historiografisë së instrumentalizuar serbe e shek. XIX dhe shek.XX, kur i qaset trevës së Kosovës së sotme përdorë emërtimin gjeopolitik “Stara Srbija”, shkrimtarët dhe burimet e kohës, pas Betejës së Kosovës, nuk e identifikuan asnjëherë Kosovën dhe popullsinë arbërore me vendin dhe tokën serbe. Këtej, humanisti arbëror i shek. XV Martin Segoni Novobërdasi (bashkëkohës i Skënderbeut), që kishte njohur nga afër realitetin etnik dhe gjeopolitik të Kosovës, si novobërdas dhe si ipeshkëv i Ulqinit, për të theksuar më mirë dallimin prej Rashës ose Skllavonisë, për Kosovë përdori emërtimin Dardani10.
Kur bëhet fjalë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe Kosovën, gjithësesi duhet spikatet fakti, se prijësit e familjes Kastrioti qenë pothuaj protogonistët kryesor në dy betejat e Kosovës (më 1389 dhe 1448). Në Betejën e Parë të Kosovës, në të ashtuquajturin “koalicion ballkanik” i ngritur kundër ekspansionit osman në Ballkan, u gjendën së bashku me aleatët boshnjakë, serbë e kroatë edhe kryezotërinjtë shqiptarë Gjon Kastrioti (ose Gjergj Kastrioti, gjysh i Skënderbeut), Gjergji II Balsha, Theodhor Muzaka e Dhimitër Jonima. Madje, disa të dhëna dëshmojnë se Gjon Kastrioti bënte pjesë në këshillin luftarak të “koalicion ballkanik”. Që këtej, edhe në disa shënime që dalin nga kronika të vonshme e literatura të moçme serbe e shohim Gjon Kastriotin së bashku me Lazar Grebelanin si udhëheqës e bartës të luftës.
Ajo që tërheqë më tepër vëmenmdjen është pjesëmarrja e Skënderbeut në Betejën e Dytë të Kosovës (më 17-19 tetor 1448). Sikur në Betejën e Parë, ashtu edhe në Betejën e Dytë, arbërorët, tashti në krye me Skënderbeun, qenë në anën e aleancës së krishterë të udhëhequr nga prijësi hungarez Janosh Huniadi. Dihet mirëfilli se prijësi në fjalë në vitin 1446 përgadiste planin për një kryqëzatë tjetër, me të cilën kishte për qëllim t`u hakmerrej turqve për mynxyrën e Varnës (1444). Thirrjes së Huniadit për këtë kryqëzatë iu përgjigj negativisht Republika e Venedikut, me pretekst se kishte halle me Skënderbeun në Shqipëri; po ashtu kësaj thirrjeje nuk iu përgjigj as Alfonsi V; papa Nikolla V mendonte që kryqëzata të shtyhej për një kohë, despoti Gjergj Brankviqi arsyetohej se kishte bërë më parë marrëveshje me sulltanin. Pra, siç shihet, vetëm Skënderbeu qe i gatshëm ta ndihmonte këtë ekspeditë. Përveç këtyre, Huniadi kërkoi ndihmë edhe nga Raguza, e cila në fund të korrikut të vitit 1448 i ofroi një shumë prej 2000 dukatësh. Në verë të vitit 1448, pasi kishte tubuar një ushtri nga reparte hungareze, polake, rumune, çeke dhe të një pretenduesi të fonit osman, Huniadi kaloi Danubin dhe, duke shkretëruar zotërimet e despotit Gjergj, doli në Krushevc. Prej këndej, duke kaluar nëpër krahinën e Rashës, luginën e Toplicës, arriti në Fushë-Kosovë. Me t`u informuar nga legatët e despotit serb për paraqitjen e ushtrisë së krishterë, Murati II ndërpreu ekspeditën që kishte pregaditur kundër Shqipërisë dhe duke dhënë një kushtrim të përgjithshëm, tuboi në Sofje rreth vetës të gjitha repartet që i zotëronte në Azi dhe Evropë. Sipas burimeve turke, ato kishin 50.000 deri në 60.000 ushtarë. Mirëpo, nga kronikat perëndimore numri i tyre del i trefishuar. Repartet e aleancës së krishterë, sipas burimeve perëndimore arrijnë 22.000-72.000 ushtarë, ndërsa sipas burimeve turke 24.000 ushtarë. Derisa Huniadi i afrohej Fushë-Kosovës, mejdan i vjetër i vitit 1389, sulltan Murati II ishte nisur nga Sofja dhe i doli në pritë. Lufta triditëshe mbaroi me disfatë të plotë të ushtrisë së krishterë . Gjersa për Betejën e parë të Kosovës janë ruajtur fare pak të dhëna të kohës, Beteja Dytë ka lënë gjurmë të shumta në dokumentet e burimit shqiptar, hungarez, italian, osman, raguzan, serb etj.
Rëndësi të dorës së parë për çështjen që kemi në shqyrtim këtu ka roli i Gjergj Kastriotit në këtë luftë si dhe vendi ku u zhvillua ajo. Vlen për të vënë re se para, gjatë dhe pas luftës në fjalë faktori arbëror në lufta kundër osmane ishte bërë i njohur në gjithë Evropën. Në këtë forcë llogaritnin papët, shtetet e fuqishme ballkanike e evropiane. Në këtë aspekt sipas të dhënave zyrtare venedikase nën muret e Lezhës Skëndërbeu bashkë me pjestarët e Lidhjes arbërore, me 4 tetor 1448 bëri paqe me Republikën e Venedikut, duke kërkuar që në afat prej 15 ditësh Republika t`i paguante një provizion prej 1400 dukatësh, me pretekst se kishte dëshirë t`i ndihmonte Huniadit. Veç përgaditjeve dhe gadishmërisë së Skënderbeut, si dhe rrjedhave e pasojave të luftës në fjalë, shkrimtarët që u zunë ngojë më sipër ofrojnë hollësi për vonimin e arbërorëve për t`u bashkuar me trupat hungareze, aleat të vetë. Si shkak kryesor i vonimit të prijësit arbëror për t`i ndihmuar aleatët konsiderohet pothuaj unanimisht se Skënderbeu qe i penguar prej despotit serb Gjergj Brankoviq, aleat i dhëndrit dhe sovran i vetë Muratit II, i cili iu mbylli këtij të gjitha rrugët e shtigjet nga mund të kalonte. Një pjesë e madhe e burimeve të kohës, duke arsyetuar vonesën e Skënderbeut, nxorën në shesh dhe pashkathësinë e Huniadit, i cili nuk është dashur të pranonte betejën para ardhjës së Skënderbeut në Fushë-Kosovë, gjë që u mirëpritë nga Murati II, i cili duke iu druajtur veçanërisht përfshirjës së arbërorëve, mezi priste të hynte në luftë. Përveç të dhënave për epilogun tragjik të aleancës së krishterë, janë ruajtur hollësi edhe për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës. Që këtej, del se një pjesë e trupave, pasi që kishte marrë rrugën për në jug, jo shumë larg Fushë – Kosovës, u ndesh me Skënderbeun që ishte nisur t`i bëhej shok lufte Huniadit. Edhe pjesës tjetër të trupave që ishin nisur në drejtim të Hungarisë, u buzëqeshi fati, sikur pohon edhe vetë Huniadi, meqë në malët Çiçavicë, në afërsi të Vushtrisë, u përpoqën me dukë Bogdanin, një stërgjysh i Pjetër Bogdanit, përmes të cilit pa vështirësi do t`i shmangën rrezikut nga trupat osmane që u shkonin pas. Pasi që u zu ngojë Pjetër Bogdani, pinjoll i dukë Bogdanit të përmendur, është për të vënë re se në shtojcën e veprës kapitale Çeta e Profetëve… provohet pjesëmarrja e arbërorëve në Betejën e Dytë të Kosovës11.
Sukseset e arritura gjatë luftërve kundërosmane të Lidhjes arbërore në krye me Skënderbeun gjetën afirmim nga një varg burrash tanë të shquar. Vend të veçantë në mesin e tyre zinin edhe dy kosovarë nga Novobërda, diplomati Gjergj Pelini dhe humanisti Martin Segoni. Për të dy këta personalitete të shkëlqyeshme është bërë fjalë më së një herë, por asnjëherë në kontekstin e çështjes që po shqyrtohet.
Pa dyshim se njëri nga vargu i diplomatëve me të shquar të fatosit tonë për çështjen italiane, sidomos për çështjen e Republikës së Venedikut, qe abati i Rotecit, kosovari Gjergj Pelini. Sipas një dokumenti raguzan që mban datën e vitit 1441, informohemi se kishte origjinë nga Novobërda. Gjatë viteve 1438-1463 e ndeshim si drejtues të Kuvendit të Shën Mërisë në Rotec. Aktivitetin diplomatik e filloi shumë herët, por në shërbim të Skënderbeut hyri pikërisht në prag të Betejës së Dytë të Kosovës, më 4 tetor 1448, dhe ndenji gjer në fund të jetës së vet, në vitin 1463. Gjersa Pelini udhëhiqte misionet diplomatike të shtetit arbëror në Republikën e Venedikut, gjithëherë bëri përpjekje të dilte faqebardhë kundrejt problemeve të shtruara. Dëshirë më e madhe e tij ishte shteti i Skënderbeut dhe Republika e Venedikut të jetonin në paqë të përhershme. Në këtë frymë e zhvilloi tërë aktivitetin e vet diplomatik. Aktivitetin diplomatik në shërbim të Skënderbeut Pelini e provoi edhe në Romë, gjë që është shënuar në dy letra të papës Kaliksti III që mbajnë data të vitit 145712.
Një kosovar tjetër që qe i përfshirë drejtpërdrejt në afirmimin e jetës dhe veprave të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, është humanisti i shquar Martin Segoni nga Novobërda (? – 1485). Pasi që qyteti i lindjes së humanistit në fjalë ra përfundimisht në duart e osmanëve më 1455, nga ky qytet, sikur edhe më vonë nga Shkodra, morën rrugën e mërgimit pothuaj të gjithë novobërdasit. Është për të vënë re se atëbotë nga Novobërda u ndanë edhe disa krijues të njohur, të cilët, duke vijuar shkollimet e filluara në vendlindje, bënë emër të burrave të shquar në dhe të huaj. Këtej Martin Segoni mbaroi doktoratën në Universitetin e Padovës. Për të qenë më afër ngjarjeve që e kishin kapluar Atdheun në vitin 1482, erdhi në Ulqin, ku shërbeu si ipeshkëv. Duke qenë dëshmitar i afërt i përmbysjes së shtetit shqiptar dhe i nismës së rrezikut për pushtimin e Italisë, Martin Segoni shkroi një skicë jetëshkrimi mbi Skënderbeun të titulluar Tregim mbi Gjergj Kastriotin, i quajtur nga Turqit në gjuhën e tyre Skender Beg, d.m.th. Aleksandër i Madh, shkrim i parë i njohur deri sot kushtuar fatosit tonë. Martin Segoni shkroi edhe shkrime të tjera, në të cilat ndeshim fragmente mbi Skënderbeun e familjen e tij13.
Për popullin tonë shënimi i ngjarjeve të mëdha historike nuk kanë qenë dhe nuk janë kurrë ngjarje të thjeshta. Në mënyrë të veçantë vlen kjo për personalitetin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, bëmat e të cilit janë aktuale ndër shqiptarë sot e gjithë ditën. Gjatë historisë së re dhe historisë bashkëkohore, emri i kryetrimit tonë u përmend me synime të mira për të ngjallë shpirtin e qendresës nëpër vështirësi, kuptimin e Kombit dhe shtetit nëpër ndasi, fuqinë e lirisë nëpër robni. Madhëria e figurës së Skënderbeut, veçanërisht admirohet ndër intelektualët tanë dhe të huaj për lidhjet e tia me shtete e personalitete të shquar të Evropës.
Edhe pse vetë logjika e ngjarjeve i tregoi kryetrimit tonë se, duke qendruar mbi bazën e Lidhjes së Lezhës si aleancë vullnetare, nuk mund të realizoheshin detyrat që shtronte problemi kryesor i kohës mbrojtja e vendit. Prapëseprapë heroi ynë kombëtar besonte që populli i tij i bashkuar, edhe pse i vogël, do të korrte suksese të shënuara përballë ushtrisë kolosale osmane. Një besim i këtillë e kishte trimëruar Skënderbeun aq tepër saqë u shpall vigan i përlashjeve ndërmjet Perëndimit e Lindjes. Trimëritë e tia të rralla tërhoqën admirimin e gjithë botës që nga koha tij. “S’ka njeri në botë”, i shkruante papa Kaliksti III më 1457, “që të mos dijë trimërit që keni bërë dhe që të mos ju lavdërojë gjer në qiell si një kryembrojtës të vërtetë dhe kryeluftëtar bujar të Krishterimit”. S’ka dyshim se Gjergj Kastrioti është një nga komandantët më të mëdhenj të botës dhe, sikur të kishte pasur mjetet e Jul Cezarit ose të Aleksandrit të Madh, ndoshta do të qendronte krahas me këtë në historinë botërore. Por forcat e tia ishin të pakta, mjetet e tia ishin të varfëra, ushtritë e tia ishin të vogla, lufta e tij ishte mbrojtëse.
Gjatë periudhës 25-vjeçare të ekzistencës së shtetit, Gjergj Kastrioti luftoi për të siguruar ndihmën e nevojshme dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kundër Perandorisë Osmane. Për këte qëllim ai hyri në marrëdhënie diplomatike me disa shtete më të fuqishme të Evropës së atëhershme, një domosdoshmëri që kërkon edhe aktualiteti shqiptar. Marrëdhëniet e shpeshta shteti i Gjergj Kastriotit pati, sidomos me shtete italiane, si Venedikun, Napolin, Papatin, pastaj me Hungarinë, Francën dhe Republikën e Raguzës. Përveç këtyre, Arbëria në kohën e Skënderbeut hyri në marrëdhënie edhe me një numër shtetesh të tjera evropiane, ndonëse interesimi i tyre për problemet e luftës së Arbërisë ishte më i vogël. Në këtë rast ka nevojë për një sqarim që ndërlidhet me marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit me Papatin. Nuk është e drejtë të thuhet se, nga Papët, fatosi ynë pati vetëm “bekime apostollike”, siç shprehet ndonjë studiues. Përkundrazi, Papët e përkrahën moralisht aq sa mundën, e shikuan si Kampion të Krishterimit, e ndihmuan me të holla dhe, në disa raste, me ushqime e municione dhe trupa simbolike ushtarësh. Më pastaj ndërmjetësuan gjithnjë pranë shteteve e princave të asaj kohe për t’i dërguar ndihma Skënderbeut. Por nuk mund të thuhet se këto ndihma me një lartësi prej disa dhjetëra mijë dukatësh, qenë vendimtare në luftën titanike që Skënderbeu bëri për 25- vjetë rresht perandorisë më të fortë të kohës. Kjo traditë e përkrahjes së popullit shqiptar nga papët vazhdoi deri në ditët e sotme.
Në fund duhet thënë se shënimi 600-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, u tregon miqve tanë për qenien tonë si komb dhe fisnikrinë e vlerave tona. Ndërkaq, mesazhi i historianit të madh italian Zef Valentini, i cili thoshte: “Do të ishte jo vetëm mëkat, por çështje e pamundshme po ta mendonte kush ta zvoglonte personalitetin e shkëlqyeshëm të Skënderbeut në nivel të një heroi vendës mendjeshkurtër. Skënderbeun e ka gjithë Evropa, e ka bota të vetin, e nëpër të, e vetëm nëpër shpirt të tij, ia njeh vlerën dhe meritat e hershme edhe Shqipërisë”, është përgjigje më e mirë për të gjithë ata që e mohojnë personalitetin e Skënderbeut dhe shtetit të tij14.
— * Prof. Dr. Jahja Drançolli, Fakulteti Filozofik i Prishtinës, Institutit Arkeologjik i Kosovës (drejtor)