9 diplomatët e njohur që pritet të dëshmojnë pro ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dëshminë e tyre nuk do të mund ta japin menjëherë. Edhe pse në moshë të shtyrë e me probleme shëndetësore, Gjykata Speciale e ka rrëzuar kërkesën e avokatit të Thaçit që këta diplomatë të dëshmojnë menjëherë, pasi që ka rrezik të vdesin. Gazeta Nacionale e ka parë vendimin dhe sjell detaje.Ditë më parë avokati i Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale, Gregory Keohe, kërkoi që disa diplomatë të ftohen për të dhënë dëshmitë e tyre pro-Thaçit menjëherë. Kjo pas vdekjes së ish-sekretares amerikane, Madeline Albright, që gjithashtu planifikohej të jepte dëshmi. Avokati i Thaçit kishte argumentuar se këta diplomatë duhet të dëshmojnë menjëherë, si rrezik i moshës së shtyrë dhe problemeve shëndetësore.
Megjithatë, kërkesa e avokatit Keohe është refuzuar. Gjykata Speciale nuk ka pranuar që këta 9 diplomatë të njohur si Bernard Kouchner, Wesley Clarck, William Walker e të tjerë, të ftohen menjëherë për të dhënë dëshmi. Kjo pasi sipas vendimit të gjyqtarit, nuk janë ofruar argumente të mjaftueshme se dëshmia e këtyre diplomatëve, mund të bëhet e pashfrytëzueshme më vonë, transmeton gazeta Nacionale.
“Në lidhje me argumentet e Mbrojtjes së Thaçit lidhur me Dëshmitarët ( si “mosha e shtyrë” dhe “problemet shëndetësore”), gjyqtari i procedurës paraprake vëren se Dëshmitarët janë të moshës 77-87 vjeç. Megjithatë, asgjë në Mocion apo Shtojcë nuk tregon se gjendja shëndetësore e Dëshmitarëve është, aktualisht, një shqetësim serioz që do të garantonte ruajtjen e menjëhershme të provave të tyre. Përkundrazi, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se Mbrojtja Thaҫi pranon se shëndeti i dobët ose i sëmurë i Dëshmitarëve “nuk është aktualisht një faktor në këtë rast”, thuhet në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake Nicolas Gillou.
Avokati i Thaçit kishte theksuar se nëse nuk ftohen menjëherë këta dëshmitarë, atëherë rradha e tyre për të dëshmuar mund të jetë deri në vitin 2024. Që sipas Keohes, mund të shkaktojë probleme në ofrimin e këtyre dëshmive. Gjyqtari ka argumentuar se një vendim i tillë, mund të merret pas caktimit të trupit gjykues.
“Në lidhje me kohëzgjatjen e parashikuar përpara se çështja e mbrojtjes ka gjasa të fillojë, gjyqtari i procedurës paraprake kujton se ai do t’ia transmetojë çështjen trupit gjykues deri në fund të vitit 2022. Nga kjo rrjedh se një trup gjykues, në çdo rast, do të merret me procedurat në këtë rast shumë përpara se Masa e Parë e parashikuar nga Mbrojtja Thaҫi në shkurt 2023. Prandaj, në dritën e transmetimit të afërt të çështjes në gjykim dhe caktimit të mëvonshëm të një trupi gjykues, gjyqtari i procedurës paraprake është i mendimit se vlerësimi i rëndësisë, domosdoshmërisë dhe planifikimit të dëshmisë së Dëshmitarëve është një çështja që më së miri vendoset nga trupi gjykues që do të caktohet për të shqyrtuar çështjen”, thuhet në vendim, transmeton gazeta Nacionale.
Si rezultat, kërkesa që këta diplomatë të japin dëshminë e tyre menjëherë, është rrëzuar.
“Rrjedhimisht, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se Mbrojtja Thaҫi nuk ka arritur të vërtetojë kërkesën e saj për një mundësi unike hetimore dhe e refuzon kërkesën për masën e parë. Siç u tha, ky vendim është pa paragjykim ndaj çdo parashtrimi të ardhshëm në një trup gjykues të ngritur me këtë çështje në lidhje me modalitetet, kohën dhe kronologjinë e dëshmisë së Dëshmitarëve”, përfundon vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake.
Për mbrojtjen e Thaçit, aprovimi i një kërkese të tillë ishte vlerësuar i domosdoshëm sidomos pas vdekjes së ish-sekretares amerikane, Madeline Albright.
Kush janë 9 diplomatët?
Steve Bennett – Drejtor i Departamentit të OSBE-së për Arsimim dhe Zhvillim të Policisë, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, 1999-2006.
Emri i një diplomati është i redaktuar
Gjenerali Wesley Clark – Komandant suprem aleat i NATO-s në Evropë dhe komandant i përgjithshëm i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara nga viti 1997 deri në majin e vitit 2000.
Jock Covey – Zëvendës i Parë i Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) nga viti 1999 deri më 2001.
Michael Durkee – Këshilltar politik i komandantëve supremë aleatë të NATO-s në Evropë (SACEUR) Clark, 1998-1999.
Daan Everts – Shef i Zyrës së OSBE-së në Tiranë, Shqipëri dhe pastaj i Zyrës së OSBE-së në Prishtinë më 1999.
Bernard Kouchner – Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), korrik 1999 deri në janar të vitit 2001
William Walker – Shef i Misionit Verifikues të Kosovës të OSBE-së nga 17 tetori 1998 deri në mesin e qershorit 1999
Kërkesa e avokatit të Thaçit
Vdekja e ish-sekretares amerikane, Madeline Albright, e ka frikësuar edhe mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, sepse Albright-i planifikohej të ishte dëshmitare në gjykimin e krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Hagës. Albright-i, si diplomate e lartë, planifikohej të ftohej nga avokati i Thaçit për t’u marrë parasysh dëshmia shfajësuese e saj për ish-presidentin e Kosovës.
Në parashtrimin e avokatit të Thaçit, të cilin e ka parë gazeta Nacionale, thuhet se dëshmitarët janë të moshës prej 77 deri në 88-vjeçare dhe nëse ka vonesa, atëherë dëshmia e tyre mund të mos shfrytëzohet, gjë që shkakton humbje për mbrojtjen në këtë proces.
“Këta 9 dëshmitarë ndërkombëtarë ishin të gjithë, në periudhën e aktakuzës, diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë dhe figura ushtarake që shërbenin në pozita të larta në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO); Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); Kombet e Bashkuara (OKB); Administrata e Përkohshme e OKB-së në Kosovë (UNMIK); Misioni Monitorues i Kosovës (MVK); Misioni Vëzhgues Diplomatik i Kosovës (MKDK); dhe një zyrtar i lartë qeveritar nga një vend fqinj me Kosovën. Ata kanë bashkëvepruar ngushtë me z. Thaçi, si në nivel profesional ashtu edhe në disa raste edhe personal”, thuhet në parashtrimin e avokatit të Thaçit,
Avokati i ish-presidentit të Kosovës ka dhënë sqarime edhe për hollësi të cilat do të jepnin këta persona në dëshminë e tyre.
Avokati ka kërkuar që kryetarja e Gjykatës Speciale të përzgjedhë një anëtar të trupit gjykues ose tërësisht trupin gjykues qysh tash dhe të mundësohet dëgjimi i këtyre dëshmitarëve.
“Këta 9 dëshmitarë do të dëshmojnë për çështje që janë thelbësore për rastin kundër z. Thaçi, por duke mos u kufizuar në gjithë kohën e aktakuzës. Kjo përfshin strukturën, organizimin ose mungesën e tyre, të grupeve të ndryshme të individëve që përbëjnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”), dhe ata persona që e konsiderojnë veten si UÇK, por që në asnjë mënyrë nuk kanë pasur lidhje me UÇK-në; Shkalla e autoritetit të z. Thaçi brenda UÇK-së ose mungesa e tij; dhe interesin e tij për të punuar dhe për të siguruar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për të kërkuar një zgjidhje politike të konfliktit, dhe kundërshtimin e tij ndaj dhunës ndëretnike dhe vrasjeve hakmarrëse që kërcënonin atë mbështetje. Ata gjithashtu do të dëshmojnë për sfondin historik dhe politik të konfliktit dhe situatës pas konfliktit në Kosovë”, thuhet më tutje në këtë parashtrim
Tash, këta diplomatë duhet të presin për të dhënë dëshminë e tyre tek pasi Prokuroria ta përfundojë gjithë çështjen e vetë.
Analisti Artan Behrami ka shkruar se;
Kur Gjyjata Speciale i fikësohet dëshmitarëve të mbrojtjes, tregon se ka diçka për t’u fshehur.
Tribunali i Hagës gjeneralin Clark e ka pranuar si dëshmitar kundër Millosheviçit.
Derisa, Gjykata Speciale nuk e pranon gjeneralin Clark të dëshmojë për pastërtinë e luftës sonë dhe për koordinimin e UÇK-së me NATO’n.