Epilogu

Gjykata i jep të drejtë Autoritetit të Konkurrencës rreth filialeve të PTK-së

Pak ditë më parë, Gjykata Themelore e Prishtinës në lëndën e udhëhequr nga gjyqtari Hajriz Hoti ka marrë aktgjykim me anët të të cilit e ka refuzuar si të pabazuar kërkesë-padinë e paditëses – Posta e Kosovës (PTK), më anë të së cilës është kërkuar që të anulohet vendimi i të paditurit – Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ndaj vendimit të këtij të fundit, vendim i cili urdhëron largimin e filialeve të postës nga institucionet publike.

Me 6 dhjetor të vitit 2016, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte marrë vendim që “Të gjitha marrëveshjet/kontratat e lartpërmendura në Pikën I bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, neni 4 ‘Marrëveshjet e Ndaluara’, paragrafi 1.4- ‘zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese”, thuhej në vendimin e AKK-së.

Të pakënaqur me këtë vendim, më 15 mars të vitit të kaluar Posta e Kosovës me të autorizuarin paditësin Ragip Hoxha me anë të një kërkesë-padie e kanë kundërshtuar vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës të datës 6 dhjetor të vitit 2016 me anë të të cilit ishte vendosur që marrëveshjet e institucioneve publike me Postën e Kosovës për vendosjen e filialeve brenda objekteve publike janë në kundërshtim me ligjin e konkurrencës.

Sipas Postës së Kosovës vendimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës i datës 6 dhjetor 2016 është nxjerrë me shkelje procedurale, si rrjedhojë e të cilit janë aplikuar në mënyrë të gabuar edhe e drejta materiale, si dhe nxjerrja e këtij vendimi sipas kërkesë-padisë së ushtruar nga Posta e Kosovës është bërë nga një organ jokompetent.

Bazuar në këto theksime të paditësit, Postës së Kosovës kërkohej që të anulohej vendimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës i datës 6 dhjetor 2016, duke u konsideruar si i paligjshëm pasi që sipas paditësit një vendim i tillë është nxjerrë në shkelje procedurale dhe rrjedhimisht me aplikim të gabuar të së drejtës materiale, pasi që sipas paditësit, i padituri AKK-ja gjatë nxjerrjes së vendimit kontestues ka marrë për bazë nenin 4 par.1.4 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, e cila dispozitë ligjore sipas paditësit në aspektin material të zbatimit nuk cenon marrëveshjet e bashkëpunimit, për arsye se paditësja nuk ka kryer transaksione të pagesave me çmime të ndryshme tregtare siç ceket në këtë vendim të paditurit por që sipas PTK-së transaksionet janë kryer sipas rregullave të përcaktuara nga BQK-ja.

Tutje në këtë kërkesë-padi ndër të tjera thuhej se gjatë marrjes së vendimit të kontestuar, i padituri AKK-ja ka bërë shkelje esenciale të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës pasi që sipas paditësit, AKK-ja ka pasur obligim ligjor që t’ia dorëzojë palës paditëse njoftimin se ndaj të njëjtës kanë filluar procedurat për hetimin e rastit e që sipas kësaj kërkesë-padie AKK-ja ua ka mohuar të drejtën ligjore për dhënien e komenteve dhe provave të tjera dhe se një gjë të tillë e ka zhvilluar vetëm ndaj MPB-së dhe komunave, por jo edhe ndaj PTK-së si palë në procedurë.

Ndaj kësaj kërkesë padie, përgjigje në padi kishin ushtruar AKK-ja, e cila i kishte propozuar Gjykatës që padia e paditësit PTK-së të refuzohej si e pa themeltë.

Ndaj kësaj kërkesë-padie, në seancën e shqyrtimit kryesor parashtresë kishin dorëzuar edhe palët e interesuara si “Moneta” Shpk., “Vllesa Co”, “Propeid” sh.p.k, të cilët Gjykatës i kishin propozuar që kërkesë-padia e paditëses PTK-së, të refuzohej në tërësi si e pabazuar dhe të mbetej në fuqi vendimi kontestues i AKK-së i datës 6 dhjetor 2016.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të siguruar nga KALLXO.com thuhet se Gjykata pasi që ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të goditur me padi si dhe provat e administruara në seancën e shqyrtimit kryesor, si përfundim ka gjetur se kërkesëpadia e paditëses PTK-së është e pabazuar.

Në arsyetim të këtij aktgjykimi thuhet se Gjykata, për të vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të goditur me padi, i është referuar Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili e përcakton se “Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra ne mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese”.

Në këtë aktgjykim të siguruar nga Kallxo.com thuhet se Gjykata po ashtu i është referuar edhe nenit 10 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se “Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, ndërsa me nenin 119.3, përcaktohet se “Veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara, me përjashtim kur këto lejohen në mënyrë eksplicite me ligj”.

Sipas këtij aktgjykimi marrëveshjet e Postës së Kosovës me MPB-në si dhe me Komunat  e Prishtinës, Gjilanit dhe Mitrovicës nuk janë të bazuara në asnjë ligj, apo dispozitë ligjore të aplikueshme ligjore, dhe se e kanë favorizuar paditësen, për ofrimin e shërbimit të pagesave, duke mos iu nënshtruar procedurave të konkurrimit, me ç’rast me këto marrëveshje, institucionet financiare jobankare konkurrente, të licencuara nga BQK-ja, për të njëjtat shërbime, i ka vendosur në pozitë të pabarabartë konkurruese në treg, duke rënë kështu në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshin, ka thënë se sipas tij i gjithë procesi gjyqësor ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe se tani do të presin deri sa aktgjykimi ta marrë formën e prerë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Postës së Kosovës, Arsim Mehmeti, ka konfirmuar se PTK-ja ditë më parë e ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore por që nuk ka dhënë detaje nëse deri më tani kanë ushtruar të drejtën e tyre për ankesë.

Exit mobile version