Epilogu

Gjykata Speciale ka gjetur mangësi në aktakuzë, urdhëron prokurorinë për ndryshimin e saj në disa pjesë

Disa muaj pas plotësimit të aktakuzës në Gjykatën Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se ka disa mangësi në aktakuzë. Në mesin e tyre gjyqtari në Speciale ka kërkuar nga Prokuroria e Specializuar që në disa raste, t’i shtojë emrat e autorëve të krimeve të pretenduara, lokacioneve ku janë kryer krimet dhe viktimat. Gazeta Nacionale ka parë vendimin dhe sjell detaje.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Giju, ka aprovuar pjesërisht një ankesë të mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi. Gjyqtari ka evidentuar disa mangësi në aktakuzën e cila është plotësuar në rastin e krerëve të UÇK-së. Si rezultat, ka kërkuar që në disa paragrafë të aktakuzës, të shtohen emrat konkret të kryesve të krimeve të pretenduara, lokacioneve ku pretendohet se janë kryer këto krime dhe viktimave.

Në vendimin e bërë publik më 22 korrik, gjyqtari i Speciales ka konstatuar se kur Zyra e Prokurorit të Specializuar i posedon emrat dhe lokacionet konkrete, ato duhet t’ia bëj publike mbrojtjes, në mënyrë që t’ia lehtësojë hetimet.

“Gjyqtari i procedurës paraprake pranon pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së Thaçit. Urdhëron Prokurorinë t’i shtojë emrat e autorëve përkatës të drejtpërdrejtë në paragrafët 105, 107 dhe 174 të aktakuzës së ndryshuar. Urdhëron Prokurorinë që t’i shtojë emrat e viktimave përkatëse në paragrafët 68, 93 dhe 105 të aktakuzës së ndryshuar dhe konfirmuar. Urdhëron Zyrën e Prokurorit të Specializuar që t’i shtojë lokacionet përkatëse në paragrafët 68 dhe 105 të aktakuzës së ndryshuar. E udhëzon Prokurorinë e Specializuar që të paraqesë një version rreptësisht konfidencial, konfidencial dhe të redaktuar publik, të aktakuzës së konfirmuar dhe ndryshuar deri më datë 30 shtator 2022. Urdhëron që çdo kërkesë për ta apeluar këtë vendim të depozitohet deri më 19 gusht”, thuhet në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake.

Avokati i Hashim Thaçit në parashtrimin e tij javë më parë, kishte thënë se aktakuza e ndryshuar dhe akuzat e reja për krime lufte në Budakovë, Semetishtë dhe Konviktin e Gjilanit, nuk japin detaje për autorët, janë të paqartë rreth viktimave, dhe lokacioneve ku janë kryer krimet.

Tash, Prokuroria e Specializuar është e obliguar ta ndryshojë aktakuzën deri më datë 30 shtator 2022.

Emrat e autorëve të krimeve

Pika e parë në të cilën ka marrë vendim gjyqtari i Speciales për ndryshime, ndërlidhet me emrat e autorëve konkret të krimeve që pretendohet se janë kryer në Budakovë, Semetishtë apo Konvikin e Gjilanit.

Mbrojtja e Thaçit kishte parashtruar se në aktkauzën e ndryshuar thuhet se kanë qenë vetëm “pjesëtarë të UÇK-së”, pa dhënë asnjë detaj tjetër.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kujton se, kur pretendohet përgjegjësia në bazë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, aktakuza duhet të specifikojë, ndër të tjera, identitetin e anëtarëve të saj, të paktën sipas kategorisë ose grupit, dhe të japë identitetin e tyre specifik. Shkalla specifike që duhet të parashikohet në aktakuzë varet nga natyra dhe rrethanat e rastit dhe veçanërisht afërsia e të akuzuarit me ngjarjet ose veprat themelore dhe shkalla e krimeve të supozuara”, thuhet në vendimin e gjyqtarit të Speciales.

“Në Aktakuzën e Ndryshuar të Konfirmuar, Ndëmarrja e Përbashkët Kirminale e pretenduar përfshin të paktën tetë individë , përveç të akuzuarve, 41 dhe krime të kryera në 42 vende krimi gjatë periudhës nga marsi 1998 deri në shtator 1999. Akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar të konfirmuar nuk pretendojnë pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të të akuzuarit në këto krime të supozuara”, thuhet në vendim më tutje, raporton gazeta Nacionale.

“Gyqtari thekson se në aktakuzë nuk identifikohen autorët sipas përkatësisë apo ndonjë mjet tjetër, por identifikohen si anëtarë të UÇK-së. Megjithatë, për të shmangur ndonjë paqartë, Prokuroria duhet ta shtojë referencën për pjesëtarët e UÇK-së në paragrafin e aktakuzës së konfirmuar”

Gjykata Speciale në vendimin e saj ka kërkuar që në paragrafët ku flitet për akuzat rreth trajtimit çnjerëzor dhe mizor, duet të shtohen emrat e autorëve konkret. Kurse, për akuzat e ndalimit arbitrat, gjyqtari ka vlerësuar se Prokuroria nuk ka informacione të tjera për autorët, e si rezultat nuk mund të garantojë detaje shtesë.

“Rrjedhimisht, gjyqtari i procedurës paraprake urdhëron PSP-në që të ndryshojë paragrafët 105, 157 dhe 174 të Aktakuzës së Ndryshuar të konfirmuar në mënyrën e treguar më lart dhe të zbatojë redaktimet e nevojshme në proporcion me masat e autorizuara mbrojtëse deri të premten, 30 shtator 2022”, përfundon pjesa e parë e vendimit.

Viktimat e krimeve të UÇK-së

Ashtu sikur te emrat konkret të kryesve të krimeve të pretenduara, gjyqtari i Speciales e ka urdhëruar Prokurorinë t’i bëj disa plotësime edhe në lidhje me emrat e viktimave.

Mbrojtja e Thasçit kishte vlerësuar se identitieti i viktimave është i paqartë. Sipas avokatit të Thaçit, Keohe, në këtë mënyrë vështirësohej edhe puna e mbrojtjes.

“Gjykatësi i procedurës paraprake kujton se nëse identiteti i viktimave është fakt material varet nga afërsia e pretenduar e të akuzuarit me ato ngjarje dhe nga lloji i përgjegjësisë që pretendon Prokuroria. Në rrethana të caktuara, natyra dhe shkalla e krimeve të supozuara e bën të pamundur përcaktimin e identitetit të viktimave. Në raste të tilla, identifikimi i viktimave si grup ose tregimi i numrit të tyre të përafërt mund të jetë i mjaftueshëm. Megjithatë, edhe në rastet kur një shkallë e lartë specifike nuk është praktikë, nëse Prokuroria është në gjendje të emërojë viktimat, duhet ta bëjë këtë, pasi identiteti i viktimës është informacion i vlefshëm për përgatitjen e çështjes së mbrojtjes”, thotë gjyqtari në vendimin e tij.

Në disa prej paragrafëve, gjyqtari ka gjetur se nuk ka nevojë të jepen infromacione shtesë.

“Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se materiali mbështetës i ofruar në lidhje me akuzat e reja tregon qartë se Zyra e Prokurorit të Specializuar është në gjendje të sigurojë identitetin e viktimave. Në lidhje me paragrafët 68 dhe 105 të Aktakuzës së Konfirmuar të Ndryshuar, Prokuroria pretendon se “anëtarët e UÇK-së kanë arrestuar të paktën dymbëdhjetë persona pa procedurë të rregullt ligjore në Budakovë” dhe se këta individë “u janë nënshtruar rrahjeve të rënda dhe abuzimit psikologjik”. Kështu, kur Prokuroria është në gjendje të emërojë viktimat përkatëse, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se këta emra duhet të jenë shtuar në aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar”, thuhet më tutje në vendim.

Lokacionet e krimeve

Gjetje identike ka pasur gjyqtari edhe në lidhje me lokacionet konkrete ku pretendohet se janë kryer krime nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Megjithatë, në këtë pjesë, Gjykata Speciale ka gjetur se në pjesën më të madhe të aktakuzës, ka pasur detaje të mjaftueshme.

Gjyqtari ka përmendur qartë se katër të akuzuarit, pra Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, nuk akuzohet se i kanë kryer vetë këto krime.

“Sa i përket vendndodhjes së kryerjes së akuzave të reja, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se mbrojtja e Thaçit kundërshton paragrafët 68, 105 dhe 157 të aktakuzës së ndryshuar të konfirmuar. Në lidhje me paragrafët përkatës, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se krimet e supozuara identifikohen me emrin e fshatit ose komunës përkatëse. Disa lokacione janë identifikuar më tej nga shoqata e tyre në brigadën përkatëse të UÇK-së dhe zonën operative. Prandaj, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se është dhënë informacion mjaft i detajuar për vendndodhjen e kryerjes së akuzave të reja duke pasur parasysh natyrën dhe shkallën e krimeve të akuzuara dhe faktin se të akuzuarit nuk akuzohen se kanë kryer fizikisht ndonjë vetë krimet”, thuhet në vendimin e gjyqtarit të Speciales.

“Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se Prokuroria e Specializuar ka qenë në gjendje të ofrojë detaje të mëtejshme në lidhje me disa nga vendndodhjet e krimeve të supozuara në materialin e saj mbështetës për akuzat e reja, veçanërisht në lidhje me burgimn dhe ndalimin arbitrar si si dhe akte të tjera çnjerëzore dhe trajtim mizor. Në lidhje me krimin e vrasjes, materiali mbështetës nuk përmban detaje të mëtejshme në lidhje me vendndodhjen në të cilën ka ndodhur krimi i supozuar. Kështu, kur Prokuroria është në gjendje të japë detaje të mëtejshme në lidhje me vendndodhjen për krimet e supozuara, siç është vendi specifik i një ndërtese dhe/ose pronari i saj, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se lokacioni duhet t’i shtohet aktakuzës së ndryshuar të konfirmuar”, thuhet në vendim.

“Në dritën e sa më sipër, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se, duke marrë parasysh: (i) strukturën e aktakuzës së konfirmuar të ndryshuar; (ii) informacionin specifik dhe të detajuar të dhënë; (iii) natyrën dhe rrethanat e rastit dhe shkallën e krimeve të akuzuara; dhe (iv) fakti që të akuzuarit nuk akuzohen se kanë kryer fizikisht ndonjë nga krimet e supozuara që bazohen në vetë akuzat e reja, aktakuza e konfirmuar e ndryshuar parashtron me qartësi dhe specifikë të mjaftueshme faktet që mbështesin akuzat e reja. Megjithatë, në dritën e faktit se Prokuroria e Specializuar është në gjendje të ofrojë specifika të mëtejshme, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar të konfirmuar do të ndryshohen në mënyrën e treguar në paragrafët 27-29, 36-37 dhe 42, më lart. Rrjedhimisht refuzohen parashtrimet e mbetura të mbrojtjes së Thaçit ndaj formularit të aktakuzës së ndryshuar të konfirmuar”, përfundon më tutje vendimi.

Me aktakuzën e plotësuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, akuzohet se me veprimet ose mosveprimet e tyre, kanë mundësuar kryerjen e krimeve të luftës në fshatrat Budakovë e Semetishtë të Suharekës, dhe në Konvikin e Gjilanit.

Exit mobile version