Ish-kryeprokurori serb i krimeve të luftës, Vladimir Vukçeviq, ka thënë se derisa po kontrollonte dyshimet me trafikim të organeve nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, autoritetet serbe mblodhën prova në lidhje me rolin e pretenduar të ish presidentit Hashim Thaçi në krimet e kohës së luftës, i cili më pas iu kalua hetuesve të Hagës.
Vukçeviq tha që ndjekja penale serbe për krimet e luftës siguroi mbështetje logjistike dhe bashkëpunoi në organizimin e marrjes në pyetje të rreth 400 dëshmitarëve për këtë taskë forcë.
Nga ajo që shihet deri më tani, vlerësuar edhe nga ekspertët më eminentë të fushës së drejtësisë, Prokuroria e Hagës është duke pësuar debakël brenda gjykatës ku edhe po zhvillohet gjykimi. Beteja ligjore është duke u fituar nga avokatët mbrojtës të krerëve të UÇK-së.
Por, pavarësisht që shumica e dëshmitarëve i kanë dhënë dëshmitë e tyre në seanca të mbyllura, një pjesë e dëshmitarëve serbë kanë dalur me fytyrë për të dëshmuar.
“Predrag Dediq, Dragica Bozhaniq, Nebojsha Radosheviq, Dragan Ivaniseviç dhe një dëshmitar i nacionalitetit serb ka dëshmuar me masa mbrojtëse”, këta janë emrat e disa dëshmitarëve serbë që kanë dëshmuar hapur kundër krerëve të UÇK-së. Në mesin e tyre ka edhe ish ushtar serb që kanë dhënë dëshminë kundër personaliteteve që ishin në ballë të luftës çlirimtare.