Me nga 4 vjet e gjysmë i dënoi Gjykata Speciale sot Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn. Vendimi u shpall nga kryegjyqtari, Charles Smith. Ky i fundit bashkë me anëtarët e tjerë të trupit gjykues, i gjetën fajtorë Gucatin e Haradinajn për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve e pengim të personave në kryerjen e detyës zyrtare.
Sot, ai është emëruar nga Kryetarja e Gjykatës Speciale si gjyqtar që do ta gjykojë rastin e Thaçit dhe të tjerëve.
Por, gjyqtari që sot shqiptoi vendimin e parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, ka një të kaluar në Kosovë. Nga viti 2010 deri më 2013 ai ishte gjykatës i EULEX-it. Gjatë këtij mandati, Smith ishte bërë edhe anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës, dhe u zgjodh nënkryetar dhe kryetar i Kuvendit të Gjykatësve të EULEX-it.
Veprimtaria e Smithit në EULEX nuk kaloi pa u përmendur për skandale. Madje, Charles Smithit i janë publikuar komunikime ku kërkonte nga gjyqtarët dënime politike.
Pikërisht Charles Smith ka qenë një nga personat që Malcolm Simmons, ish-shefi i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, e kishte ndërlidhur me disa skandale që kishin ndodhur në misionin e BE-së për sundim të ligjit. Madje, Simmons kishte bërë publike një Email ku Smith kërkon që Fatmir Limaj të dënohet në rastin Kleçka, për arsye politike.
Gazeta Nacionale e posedon Emailin të cilin Charles Smith ia kishte përcjellur Malcolm Simmonsit, në lidhje me këtë rast.
“Doja që ta dini se Misioni dëshiron që ky rast të caktohet për gjykim sa më shpejt. Një sërë arsyesh…shumica janë politike, por ekziston edhe situata me Limajn që gjendet në paraburgim. Shpresoj që këtë çështje ta vini në punë shpejt. E di që jeni të zënë në Pejë, por iu sugjeroj që së shpejti të mblidhni një konferencë me avokatët, dhe t’ua bëni të qartë se datat duhet të caktohen dhe çështja do të vazhdojë me 2-3 seanca në javë, dhe se duhet të bëjnë plane për përfaqësim alternative nëse është e nevojshme. E di që do ta bësh më të mirën, dhe jam mirënjohës që jeni në krye të kësaj çështje”, thuhet më Emailin që Smith ia kishte dërguar Simmonsit, sa të dy punonin në EULEX. Kjo letër ka datën 29 janar 2013.
Për këtë çështje, Malcolm Simmons i ishte adresuar kryeministrit të Kosovë, Albin Kurti me një letër, para se të ftohej për dëshmi në Kuvendin e Kosovës. Në këtë letër, ai ia rikujton Kurtit faktin se Smith sot është gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Rëndësia politike e këtij rasti për misionin mu theksua përsëri në një email me 29 janar 2013 nga kryetari i atëhershëm i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Charles Smith, në të cilin më kërkoi që ta fus në listë rastin sa më shpejt që të jetë e mundur për atë që ai e përshkruajti si “…një numër të arsyeve, shumica prej tyre politike”. Nëse EULEX-i është mision për sundimin e ligjit, përse përpiqet ta çojë përpara rastin për “arsye politike”? Cilat ishin ato “arsye politike”?”, thuhej në letrën që Simmons ia kishte përcjellur Kurtit.
“Kur u caktova në trup gjykues, më 2013 Charles Smith më informoi që misioni “varej shumë” nga rezultati i këtij rasti. Ai tha që misioni “priste dënime.” Madje ai tha që puna ime mund të rrezikohej nëse të pandehurit nuk dënoheshin. Gjyqtari Charles Smith tani është gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhej në letrën të cilën e posedon gazeta Nacionale.
Kleçka nuk ishte rasti i vetëm ku Smith tentoi të ndërhynte gjatë kohës sa ishte në EULEX. Gjithëmonë, sipas raportimeve të sinjalizuesit Malcolm Simmons.
“Kleçka nuk ishte rasti i vetëm kur Charles Smith kishte bërë përpjekje të ndërhynte në rezultatin e rastit. Unë e ndaja zyrën me një gjyqtare tjetër të EULEX-it. Me 18 korrik 2013 kolegia ime gjyqtare e EULEX-it mori një email nga Charles Smith, në të cilin ai e udhëzonte atë lidhur me mënyrën si të vazhdojë në një rast penal të profilit të lartë, në të cilin rast ajo ishte kryesuese. Isha po ashtu i pranishëm me 11 dhe 15 korrik 2013 kur ajo pranoi thirrje telefonike nga Charles Smith, të cilat i lëshoi në altoparlant, gjatë të cilave Charles Smith u përpoq të ndërhyjë në rastin e njëjtë duke sugjeruar që ajo ta shqiptonte një dënim me burgim. Unë i përmenda këto biseda në një email të menjëhershëm që ia dërgova asaj”, thuhet në letër.
Gjitha këto skandale në të cilat ishte përfshirë Smith, Simmons i kishte adresuar në ambasadën e Britanisë në Kosovë. Por, pa sukses.
“Unë ia raportova atë bisedë me Charles Smith ambasadës së MB në Kosovë në një email me 11 korrik 2013, të cilin ia drejtova Joe Preston. Pastaj u takova me Joe Preston për të diskutuar lidhur me takimin me gjyqtarin Smith. Ia bëra shumë të qartë z. Preston që kjo ishte ndërhyrje e qartë në pavarësinë e gjyqësorit dhe përpjekje për të ndëhyrë në rezultatin e një gjykimi penal. Ne diskutuam për ndërhyrjen në emërimin e trupave gjykues. Ia bëra të qartë që prisja që MB të intervenonte në emrin tim në Bruksel për të siguruar që gjyqtarët nuk do të viheshin hapurazi nën presion politik. Ai më tha që nuk duhej të shqetësohesha nga kërcënimet e tilla. Ai më tha që qëndrimi im në mision mund të dëmtohej nëse shihesha si “ngatërrestar’”, thuhet në letrën e Simmonsit për Kurtin.
Malcolm Simmons ishte ftuar si dëshmitar nga mbrojtja e Nasim Haradinajt, për procesin që u zhvillua në Speciale të Hagës. Megjithatë, ishte pikërisht trupi gjykues i kryesur nga Charles Smith, që ia refuzoi mundësinë Simmonsit të dëshmojë në Hagë. Kështu, duke e rrëzuar mundësinë që dikur kolegët në EULEX, të ballafaqohen me njëri-tjetrin, tash në pozicione të ndryshme.
Simmons ishte një nga personalitetet më të larta të EULEX-it në Kosovë, dhe për këto skandale brenda misionit të BE-së për sundim të ligjit, ai kishte raportuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Por nga atëherë, asgjë konkrete nuk kishte nisur.
Malcolm Simmons është sinjalizues i cili bashkë me ish-prokuroren Maria Bamieh, kishin sinjalizuar për skandale të shumta brenda misionit të EULEX-it. Por pasi dolën publikisht, ata u degraduan nga ky mision. Kjo aferë, kishte marrë edhe përmasa në mediat ndërkombëtare.