Epilogu

Goxhaj: Si luftuan me ne në frontin e UÇK-së 10 ushtarakë nga Gjermania

Ndihma gjermane për luftëtarët e UÇK-së, ka qenë një nga elementët e rëndësishëm për shtabet dhe komandat e për organizim e drejtim luftimi. Në vazhdim të rrëfimit të tij, Dilaver Goxhaj, ish-Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-sëmes të tjerave tregon se shteti gjerman ‘dërgoi 10 ushtarakë në formacionet e UÇK-së si dhe 140 aparate telefonike celulare satelitore, shumë të dobishme për drejtimin e komandimin e trupave’Sipas Goxhajt, zyrtarisht shteti shqiptar i kohës, atëherë por dhe më pas, nuk bëri atë që duhej të bënte për UÇK-në… Jo vetëm kaq, por sipas tij, edhe luftëtarëve vullnetarë nga Shqipëria, minimalisht, nuk i ka vlerësuar as dhe moralisht…  

-Z. Dilaver, po nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë sonë, a është ndjekur nga afër lufta që zhvillohej në Kosovë?

-Gjatë kohës që unë kam qenë në atë luftë, një gjë e tillë nuk di që të jetë kryer, së paku me angazhim legal. Pas luftës, kur isha Shefi i Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, ka ardhur një grup pedagogësh nga Akademia e Mbrojtjes, nën drejtimin e historianit ushtarak Petrim Mamaj, të cilët janë interesuar dhe bënë një studim mbi taktikën dhe strategjinë e UÇK-së, të cilët unë i ndihmova me aq sa munda.

Po më pas?

-Prej atëherë nuk di se është bërë ndonjë përpjekje tjetër. Në vitin 2009, me interesimin e z. Neritan Ceka dhe me urdhër të Ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, z. Gazmend Oketa, dhe deri në vitin 2012 unë u ktheva si punonjës civil pranë asaj akademie, por edhe pse insistova që ta jepja unë përvojën e luftës në Kosovë, përsëri nuk ma mundësuan. Kuptohet, presion prej politikës shtetërore. Por këtu, dua të evidentoj një fakt të rëndësishëm…

Cili është ky fakt?

-Por duhet të bëhet publik një fakt tepër interesant, i cili është bërë i njohur përmes librit “Lëvizja”, me autorë Ibrahim Kelmendin dhe Bedri Islamin, se atë që nuk e ka bërë asnjë institucion ushtarak apo shkencor i Shqipërisë, e ka bërë Republika Federale Gjermane, gjë që analistët dhe historianët e ardhshëm të luftës çlirimtare në Kosovë, nuk duhet ta harrojnë pa theksuar se, përveç ndihmës ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës, si faktori kryesor i jashtëm, nuk duhet të harrojmë se ajo fitore erdhi edhe si rrjedhojë e ndihmës së Republikës Federale Gjermane, e cila, përveç se “ngriti enkas për Kosovën një shtab të veçantë për të ndjekur ecurinë e luftës” sonë (f. 445), dha dhe një kontribut të dukshëm diplomatik e ushtarak në favor të çështjes kosovare. Ndërkohë që Republika e Shqipërisë, jo vetëm që nuk angazhoi asnjë ushtarak të vetëm për të ndjekur nga afër atë luftë, të paktën sa për sy e faqe, por, përkundrazi, ata oficerë që me nismën e tyre personale shkuan dhe luftuan me vëllezërit e tyre në Kosovë, porsa u kthyen nga ajo luftë i arrestoi, i dënoi, u pushoi familjarët nga puna shtetërore dhe i hodhi në rrugë.

Mund të na përmendni diçka tjetër nga kontributi i Gjermanisë për UÇK-në?

-Mirëpo, Gjermania nuk u mjaftua vetëm me ngritjen e atij shtabi, pranë Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së saj, por “Telekomi” gjerman e furnizoi UÇK-në me rreth 140 telefona satelitorë, ku përdoruesit e tyre në Kosovë mund të telefononin në të gjithë botën dhe me të cilët u mbajt edhe ndërlidhja me shtabet e NATO-s (f. 445), ku çdo muaj shpenzoheshin qindra mijëra marka. Në mbarim të luftës ajo shumë mbërriti në një milionë e 200 mijë marka gjermane. E krahasuar me kursin e asaj kohe, vlera është e barabartë me 960 mijë dollarë Amerikanë. Dhe, ajo që të bën edhe më shumë borxhli ndaj Gjermanisë, kur lufta mbaroi, përfaqësuesi i “Telekomit” gjerman, me porosi edhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Gjermane, i thotë marrësit të atyre 140 telefonave satelitorë, (Ibrahim Kelmendit): “Faturën mund ta mbash thjesht për kujtim.” Por Gjermania pati dhe kontribut direkt në luftë me njerëz…

Cili ishte kontributi me njerëz?

Përveç kësaj ndihme pa interes nga ana e Gjermanisë, në radhët e UÇK-së u radhitën gati 10 vullnetarë gjermanë, nga të cilët kemi edhe dëshmorë. E megjithatë, askush nuk u kujtua nga “katërshja”, Shtabi i Përgjithshëm dhe Drejtoria Politike e UÇK-së, të cilët sot janë të gjithë në pushtet, t’i thërriste e t’u thoshte të paktën: Faleminderit!  Me këto fakte, dëshiroj të them se Gjermania, edhe pse nuk dërgoi në Kosovë avionët apo ushtarët e saj, ne shqiptarët, çlirimin e Kosovës, duhet ta quajmë edhe kontribut të Gjermanisë, krahas UÇK-së dhe NATO-s. Dhe duhet t’i jemi mirënjohës gjithë jetën, sidomos për faktin që Gjermania kompletoi Ushtrinë tonë Çlirimtare me ndërlidhje, ku dihet mirë se pa ndërlidhje, në ushtri dhe në luftë nuk ka komandim, pa komandim s’ka fitore. Por, krahas vlerave që ka ky libër me autorë Bedri Islamin dhe Ibrahim Kelmendi, unë jam i detyruar të bëj publike një vërejtje esenciale.

Cila është kjo vërejtje?

-Këta dy autorë, njëkohësisht edhe anëtarë të udhëheqjes më të lartë të LPK-së të asaj periudhe, fyejnë pa pikë ndrojtje 5 (pesë) ish-oficerët e Ushtrisë Shqiptare, të  cilët ishim të vetmit që lamë punën, familjet dhe lirinë dhe dolëm vullnetarë në ndihmë të vëllezërve tanë në Kosovë,(para marrëveshjessë Rambujesë), nga 180 mijë oficerët aktivë, pensionistë, rezervë dhe rezervistë të të gjithë llojeve të armëve dhe shërbimeve të Republikës së Shqipërisë. Dy nga ne, Tahir Sinani e Indrit Cara, dhanë edhe jetën. Autorët jo vetëm që nuk thonë as edhe një fjalë respekti, por na quajnë “spiunë të SHIK-ut e të SHIU-t ose mercenarë”!, (shih f. 442-43). Edhe sikur ne të ishim të dërguarit e atyre shërbimeve inteligjente shqiptare, cila do të ishte e keqja për UÇK-në? Nëse ne do të ishim mercenarë, a mund të na jepeshin ato detyra të larta me përgjegjësi që kryem në radhët e UÇK-së? Dhe çka është edhe më e çuditshme, kontributin e dhënë nga 13 oficerët vullnetarë prej shtetit amë, (8 të tjerët hynë në luftë me kontigjentet që sulmuan nga territori RSH), ku për lirinë e Kosovës e morëm vdekjen në sy, këta dy zotërinj dhe ata që komanduan UÇK-në, e shumëzojnë me zero.“Mosmirënjohja,-thotë S. Frashëri,-është ligësia më e madhe në botë”…

Zoti Goxhaj! Forcat e UÇK-së patën përballë ushtrinë serbe, ushtri e madhe në numër dhe e militarizuar. Përveç mendimit të specialistëve të huaj,

-Kanë folur gjatë luftës e kanë shkruar shumë, kuptohet, në interes të tyre, por duke ju referuar ngjarjeve reale. Për t’i përforcuar këto përfundime, po citoj një nga deklaratat e gjeneralmajorit serb Bozhidar Deliç: “Sulmi i dytë frontal i UÇK-së, i quajtur Operacioni “Shigjeta”, u krye nga 27 maji deri më 7 qershor 1999. Ata sulmuan nga Shqipëria në drejtim të zonës së Pashtrikut. Në këtë sulm, forca sulmuese përbëhej prej këmbësorisë së UÇK-së dhe aviacionit të NATO-s.”Është një deklaratë e bërë nën betim, para gjyqtarëve e prokurorëve të Hagës, që nuk kërkon asnjë koment tjetër. Duke e dëgjuar e lexuar edhe atë, a nuk  kemi të drejtë ta përsërisim me zë të lartë: Kosovën e çliroi bashkëveprimi luftarak midis NATO-s dhe  UÇK-së, të paraprirë nga SHBA-të!? Ka shumë vlerësime për luftën tonë (Të UÇK-së) dhe nga Bill Klinton… Unë po përmend njërin prej tyre…

Cili është ky vlerësim?

-Bill Klintonnë intervistën që i ka dhënë “PB. Neës Hour”, më 13 Qershor 1999, deklaron me sinqeritetin më të thellë se kontributi i UÇK – së për çlirimin e Kosovës është pothuajse i barabartë me atë të aleates NATO, duke e ndarë atë me përqindje. Ja se si shprehet Presidenti Klinton: “Unë gjithnjë kam menduar se mundësia e rezultatit të kësaj fushate bombardimesh ka qenë më e madhe se 50 për qind. Dhe jam i kënaqur që ajo i arriti objektivat tanë.”, (“Ne luftën, ju paqen”, f. 122).Unë  po  pyes: Atë besimin e patundur dhe atë ndeshjen dhëmb për dhëmb të UÇK-së me ushtrinë serbe dhe atë 50 përqindëshin tjetër të mbetur, që përmend e nënkupton zoti Klinton, duke dashur të thotë se besonte në fitoren vetëm me aviacion (pasi poshtë qiejve ku fluturonin avionët luftarakë ishte një popull i tërë  në frontin tokësor, që bashkëvepronte me atë aviacion dhe që kish pranuar të vinte kokën në satër) kush i realizoi!?. Atë e realizoi UÇK. Të njëjtin vlerësim bën dhe Ëesli Klark..

Cili është vlerësimi për UÇK-në nga gjenerali Klark?

-Ëesli K. Klark, në librin e tij “Ëaging Modern Ëar”,f.330), shkruan: “Ne gjithashtu pranonim informata nga UÇK-ja, që kishin të bënin me luftën, e cila zotëronte vijën dominante, vijën kyçe të komunikacionit në veri, në drejtim të Beogradit… Ne e vumë re se UÇK – ja mbante të hapur një korridor të vogël në veri të Shqipërisë përmes fshatit Koshare. Lufta e vazhdueshme e saj i detyronte shpesh forcat serbe të dilnin në terren të hapur, ku na jepej neve mundësia t’i godisnim ato. Ne kishim informata të konsiderueshme rreth planeve të UÇK-së për të sulmuar brenda në Kosovë… UÇK-ja i nxirrte batalionet serbe nga fshatrat, përmes dyluftimeve, duke na dhënë neve mundësinë t’i sulmonim  nga ajri.” Ndërsa në vitin 2003, si dëshmitar në gjyqin kundër Millosheviçit, në Hagë, Klark deklaroi: “Në Kosovë, Serbia ka pasur një përdorim të tepruar të forcës si nga policia ashtu edhe nga ushtria dhe kjo e ka rritur motivacionin e popullatës për të rezistuar.”

Kundërshtarët e UÇK-së kanë akuzuar atëherë, por dhe sot përfshirjen e  NATO-s në luftën e Kosovës. Cili është mendimi juaj?

-Për ta bërë të plotë rolin që luajti UÇK-ja në atë luftë, na duhet të parashtrojmë edhe një moment tjetër: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë u bë konform Konventës së Gjenevës të vitit 1959, për qëllime humanitare, sikundër e shpjeguam dhe vetëm me aviacion. NATO-ja goditi vetëm objektivat ushtarake dhe ato objekte industriale që ndihmonin luftën, kryesisht jashtë Kosove. Dihet se, vetëm 15 për qind e avio-fluturimeve dhe bombardimeve u kryen mbi Kosovë, madje edhe ato, në masën mbi 50 për qind kundër objekteve industriale dhe administrative dhe jo mbi ushtrinë serbe. Këto fakte të bindin se goditja kryesore kundër forcave të gjalla të armikut dhe makinerisë ushtarake serbe në Kosovë ishte vepër heroike e UÇK-së.

Keni konfirmuar se me futjen e NATO-s në luftë, rezistenca masive dhe aktiviteti në terren u shtri masivisht?

-Po. Në muajin maj 1999, pothuajse të gjitha zonat, me përjashtim të asaj të Bajgorës, kaluan në asgjësimin e armikut pjesë-pjesë, sipas taktikës partizane. Në atë periudhë, armiku, i cili priste  intervenim të NATO-s nga toka, u detyrua të përqendrohej në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë, nga priste sulmin. Ndërkohë ne intensifikuam goditjet nga shpina të armikut dhe të kolonave të tij kur, ku dhe si donim. Kështu që kemi të drejtë të themi se ky intensifikim i sulmeve të rrufeshme nga ana jonë dhe fuqizimi ynë, mund dhe ka ndikuar te Serbia që ta pranonte në Kumanovë ndalimin e luftës në mënyrë aq të befasishme. Këtë e vërtetojnë edhe fjalët e zotit Klinton, në intervistën dhënë CNN (“Ne luftën , ju paqen”, f.154): “Ma merrte mendja se kjo punë (lufta) do të shkonte goxha gjatë. Jo se kisha përcaktuar ndonjë afat kohor të saktë, por e dija që do të vazhdonte goxha gjatë.”

Zoti Goxhaj! Një nga bashkëluftëtarët tuaj në radhët e UÇK-së, që dha jetën për lirinë e Kosovës, është dhe Halit Coka?

-Halit Riza Coka, ka lindur në fshatin Arrën të Kuksit, në faqet lindore të malit të Zebës, të cilin e la në moshën dy vjeçare. Fëmijërinë e kalon nëpër qytezat e ndërtuesve të hidrocentraleve mbi lumin Drin, ku i ati punonte specialist manovrator për mjetet e rënda. Haliti, pasi mbaron shkollën e mesme mekanike në Shkodër, mori rrugët e kurbetit si shumë bashkatdhetarë e moshatarë të vetë, duke u endur sa në një qytet në tjetrin nëpër Greqi, së bashku me djemtë e xhaxhallarëve të tij Sami e Ymer Coka.

Pra, edhe Halit Coka, një nga dëshmorët-vullnetarë nga Shqipëria, rënë në luftë për çlirimin e Kosovës, ka ardhur nga emigracioni?

-Lufta Çlirimtare në Kosovë, ata i bëri tërë sy e veshë. Djemtë shqiptarë të kurbetit e ndjenin më shumë se kushdo tjetër luftën e vëllezërve kosovarë, pasi në kurbet atdheu dhe kombi vlerësohet më tepër dhe vetëm atje mund të përcaktosh saktë vlerat e vërteta të lirisë e të njeriut. Ndoshta këto do të jenë arsyet pse pjesa dërmuese e luftëtarëve të UÇK-së ishin djem e të rritur të ardhur nga kurbeti. Ata dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tyre ishin njerëz të thjeshtë. Për njerëzit e thjeshtë dashuria për Atdheun është dëshira për të bërë diçka të dobishme për vendin e vet. Ndaj dhe heroizmat më të mëdha të virtytit janë kryer nga dashuria për kombin. Për Halit Cokën, Indrit Carën, Astrit Sulin, Arjan Brahimin, Xheladin Dautaj, Fatmir Doçin etj, Atdheu dhe Kombi ishte më i shtrenjtë se jeta e tyre.

Diçka më konkretisht për Halit Cokan?

-Vitin e Ri 1998-1999 Haliti, Samiu dhe Ymeri vendosin ta festojnë pranë familjeve të ardhura që tashmë, si shumë banorë të zonave veriore, ishin vendosur në Bathore. Të tre e patën marrë vendimin qysh në Greqi: Do të shkonin të luftonin përkrah vëllezërve të tyre në Kosovë. Nisia për në luftë duhej të bëhej pa u rënë në sy familjeve dhe fisit të tyre të madh. Kjo ishte një praktikë që e ndiqnin pothuaj shumë djem që vinin nga emigracioni apo dhe nga trevat gjithë shqiptare në radhët e UÇK-së…

Si vepruan djemtë e Cokajve për të ardhur në shtabin e UÇK-së?

-Ata u nisën një nga një, me intervale nga një javë, për vizitë pranë të afërmve në Arrën, Fierzë e Shkodër dhe do të grumbulloheshin në Helshan të Krumës, në bazën e grumbullimit e përgatitjes së vullnetarëve të UÇK-së. Pasi u armatosën e u instruktuan, kaluan kufirin shqiptaro-shqiptar dhe në 20 Janar 1999 u paraqitën në Dushkajë të Gjakovës, pranë Komandës së Zonës Operative të Dukagjinit.

Këtu ndodhi dhe një ‘incident’ mes tyre dhe Ramush Haradinajt që ishte Komandant i Zonës Operative të Dukagjinit

Si ndodhi dhe çfarë ishte ky incident?

-Komandant Ramush Hajredini urdhëroi të shkonin nëpër brigada të ndryshme, por ata e kundërshtuan, duke i thënë :” Jemi nga i njëjti fis e i njëjti fshat, jemi rritur së bashku, kemi punuar në kurbet së bashku, prandaj duam që të luftojmë së bashku dhe lirinë e Kosovës ta gëzojmë po së bashku”. Dëshira  e tyre u plotësua. Të tre emërohen në Brigadën 134 “Blerim Shala”.

Në çfarë zone vepronte kjo njësi e UÇK-së?

-Ajo brigadë vepronte në rajonin e Deçanit e të Junikut, ku një nga detyrat e saj luftarake ishte mbrojtja e popullsisë së atij rajoni dhe mos lejimi i forcave serbe të depërtonin në thellësi të atij rajoni, i vetmi drejtim i thellë malor që shfrytëzohej nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për të dërguar për mjekim të plagosurit rëndë për në Shqipëri. Kjo njësi përballoi një operacion të fuqishëm të ushtrisë serbe..

Kur u realizua ky operacion dhe cili ishte qëllimi i tij?

-Në fillim të muajit prill forcat serbe ndërmorën një operacion të fuqishëm kundër këtij rajoni. Qëllimi i tyre ishte asgjësimi i UÇK-së dhe bllokimi i lidhjeve me Shqipërinë. Komanda e zonës e kuptoi shpejt planin e armikut dhe në përforcim të forcave të Br. 134 shkuan edhe forca të tjera nën drejtimin e shefit operativ të Zonës, Shkëlzen Haredinaj, sot dëshmor i kombit. Nënreparti ku bënte pjesë Haliti  me Ymerin e Samiun morri për detyrë të mbronin një nga drejtimet e mundshme të depërtimit të serbëve për në fshatin Ratishë. Haliti, pasi u caktoi pozicionet seicilit luftëtar të njësitit të tij i urdhëroi të fortifikoheshin, duke hapur trashe gjatë tërë natës, ku nuk reshti bora së rëni. ” Mos na i lodh shumë djemtë-i tha komandanti i brigadës gjatë kontrollit të natës- pasi nesër do të kemi shumë punë me shkjaun”.  Haliti, i cili nuk dallonte nga të tjerët iu përgjigj : “Ashtu është z. komandant, por këto transhe do na ndihin boll për dasmën me shkjaun. Këtu jo vetëm që do të mbrohemi por do t’u vëmë më me guxim gjoksin tankeve të shkive dhe kjo do të kthehet në pengesë kryesore për ata”. E nesërmja ishte një betejë e ashpër, ku do të vritej dhe Haliti…

Si ndodhi vrasja e ushtarit të UÇK-së Halit Çokaj?

-Luftimet e datës 3 Prill 1999 ishin nga më të ashprat e atyre ditëve. Ato filluan më herët se ditët e tjera, në ora 04:30. Zjarri i artilerisë ishte i fuqishëm, por i shpërndarë në të gjithë thellësinë e përqendrimit të Br. 134. Ai zgjati mbi një orë. Kur pushoi artileria pritej që të fillonte sulmi me tanke, por për çudi, serbët nuk vepruan si për herë. Ndërprerja e zjarrit zgjati deri ora 08:00. Pas kësaj ore armiku përsërit zjarr të fuqishëm jo vetëm me artileri por edhe me topat e tankeve e të ‘Pragave’ (topa kundërajrorë vetëlëvizës). Ishin rreth 20 tanke dhe 2- 3 ‘Praga’.. Zjarri më i fuqishëm bëhej në drejtimin ku ishin edhe djemtë kuksianë. Pas shumë minutash zjarri të fuqishëm, filluan tanket të lëviznin, duke qëlluar me ndalesa në çdo 30-50 metra lëvizje. Binin më shumë predha se flokë dëbore. Kur tanket u afruan afër pozicioneve  të luftëtarëve tanë, këmbësoria e armikut doli para tankeve dhe u hodh në sulm. Zhurma e luftës u bë e jashtëzakonshme. Zjarri i hapur nga të dy palët e nxiu dëborën. Këmbësoria serbe duke pësuar humbje ndaloi sulmin dhe kaloi prapa tankeve. Me sa duket kishin pësuar humbje. Atëherë zjarri i artilerisë, i Pragave dhe i tankeve u përqendrua mbi pozicionet e ndërtuara nga njësiti i Halitit. Qëndrimi në ato pozicione u bë i pa mundur. Duhej të tërhiqeshin Ishin plagosur disa shokë. U dha urdhri për të ndërruar pozicionet. Haliti pasi drejtoi tërheqjen me rregull të shokëve, vetë qëndroi armë roje, duke gjetur një pozicion si më të përshtatshëm. Zjarri i mitralozit të Halitit ishte sinjali për ri zënien e pozicioneve. Kur shokët mbërritën  e gjetëm Halitin duke qëlluar në të rrallë edhe pse ishte i mbytur në gjak. Kishte marrë shumë plagë. Kur shokët e morën në krahë për ta mjekuar, ai u linte amanetin….

Cili ishte amaneti i dëshmorit Halit Çokaj?

-Fjalët e tij të fundit, amanetin, poeti popullor e përjetësoi në këngë : ” Përmbi armë e ndali dorën,/ Për herë të fundit e shef Kosovën”. Ju bënë nderimet si luftëtar, në Kosovë, atje ku u vra, por dhe në shtetin amë…

Cili është vlerësimi në Shqipëri për dëshmorin e UÇK-së Çokaj?

-Kushdo që merr rrugën për në periferi të Tiranës dhe futet në qytetin e ngritur këta vitet e fundit e që quhet Bathore, pasi ecën disa minuta nëpër rrugën kryesore që kalon midis shtëpive një e dy kate, menjëherë të bie në sy një ndërtesë e lartë dhe e madhe.  Në hyrie të saj është vendosur një pallë ku shkruhet : “Shkolla tetëvjeçare Halit Coka – Bathore”. Ajo është shkolla më e re e ndërtuar në Tiranë, ku mëson brezi i ri, të ardhur kryesisht nga malësitë veriore të vendit, ka emrin e njërit prej dëshmorëve më të rinj të kombit, të një djaloshi, i cili e dha jetën e vet për çlirimin e Kosovës, pa i mbushur ende të 25 pranverat, ku gjashtë pranverat e fundit i pat kaluar në kurbetin e rëndë.

Po në Kosovë?

-Në përmendoren e ngritur në Ratishë të Deçanit janë gdhendur në mermer fjalët që Haliti ua thoshte shpesh vëllezërve luftëtarë : ” Ku i thonë tokë e shqiptarisë, është Atdhe si dera e shtëpisë.”

(Fund)

Exit mobile version