fbpx
Lajme

Grabovci, Beqaj, Pajaziti e të tjerët lirohen nga aktakuza

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim që të akuzuarit në rastin “Pronto” të lirohen nga aktakuza.

Kryetari i trupit gjykues gjykatësi Shashivar Hoti, ka bërë të ditur vendimin, duke sqaruar se për Adem Grabovcin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin dhe 8 të akuzuarit e tjerë nuk është provuar se kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar.

Në këtë rast për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, janë akuzuar ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët.

Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Kurse në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.

Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Ky rast ishte publikuar nga mediet, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close