Epilogu

Grupi Parlamentar i VV’së po shkapërderdhet?

Lëvizja Vetëvendosje po shkon drejt përçarjes së radhës si pasojë e pakënaqësive që kanë shpërthyer në Grupin e saj Parlamentar. Tashmë janë dy blloqe të pakënaqura në Grupin më të madh Parlamentar; ata që identifikohen si grupi i njerëzve më religjiozë të kësaj partie dhe deputetët e Listës Guxo. Po ashtu, flitet se të pakënaqur janë edhe disa deputetë të njohur të VV’së. Pakënaqësia e këtyre deputetëve është e përbashkëta e vetme, kurse arsyet e këtyre pakënaqësive janë komplet të ndryshme. Express, mbështetur në disa burime të saj, sjell situatën që po zhvillohet në partinë e Albin Kurtit.

Haki Abazi kishte hyr vrullshëm në skenën politike të Kosovës, duke u shndërruar brenda pak ditësh në një prej njerëzve kryesor të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ishte viti 2019 dhe partia e Albin Kurtit kishte ngelur pa njerëzit kryesorë të saj në studiot televizive, siç ishte Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Visar Ymeri etj, të cilët i ishin bashkuar listës zgjedhore të AAK.

Në këto rrethana, “Baba i Donacioneve”, Haki Abazi ishte çdo natë në studio televizive duke debatuar ashpër me kundërshtarët e Vetëvendosjes dhe duke proklamuar se pse Albin Kurti është njeriu i duhur për Kryeministër.

Aq i ashpër ishte Abazi, saqë ndodhi të përleshej edhe fizikisht me kundërshtarët. Çdokush e ka të freskët rrahjen mes tij dhe Dardan Molliqajt, pas një debati në emisionin “Pressing” të T7.

Kurti i fitoi zgjedhjet dhe Abazi u bë Zëvendëskryeministër i Parë.

Por, raportet e Abazit me Kurtin dhe Vetëvendosjen u komplikuan në fushatën e vitit 2021. Abazi mezi u bë deputet, kurse tash ai ka ngelur në margjina të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kohën e fundit, Haki Abazi ka filluar t’i godas “servilët” e pushtetit, që qartësisht aludon në dikë në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Pyetja është nëse me servilë e poçavra të ndyra mund të ndërtohet e zhvillohet shteti? A duhet ndryshimi të reduktohet në rehabilitim të atyre që i kanë shërbyer në një formë atij sistemi të korruptuar e kriminal që synohet të ndryshohet”, shkroi Abazi para disa ditësh.

Burime të Gazetës Express thonë se Abazi është i pakënaqur me Shefen e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lila.

I njëjti burim që foli në kushte anonimiteti për gazetën, tha se Abazi po shikon mundësinë edhe të ndërrimit të Grupit Parlamentar.

“Zoti Abazi ka kontakte me njerëzit e LDK’së. Në një mënyrë po negocion kalimin në këtë parti opozitare”, tha burimi i Express.

Abazi ka qenë afër LDK’së edhe para se të aderonte në VV, por udhëheqësit e atëhershëm të partisë së Isa Mustafës kishin hezituar t’ia hapnin derën. Mbetet të shihet tash nëse Lumir Abdixhiku do ta afrojë në parti.

E, probleme me subjektin e saj ka edhe Doarsa Kica Xhelili.

Deputetja që për pak muaj arriti ta krijojë një profil të fortë publik, sipas burimeve të Gazetës Express, është plotësisht e pakënaqur me subjektin e saj, Listën Guxo, partinë që sot drejtohet nga Donika Gërvalla, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Edhe kolegu tjetër i Kicës, Burim Meta, flitet se është i pakënaqur.

“Meta mund të kalojë në LDK”, tha burimi i Gazetës Express.

Fatmir Humolli, po ashtu një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë ka kohë që kërcënon me dalje në Vetëvendosja. Mbetet mister cilit subjekt ia ka mësyrë deputeti nga Llapi.

Problemet më seriozet Albin Kurti duket se i ka me deputetët religjiozë të tij, probleme këto që u shfaqen në dritë të diellit ditën kur në votim ishte Kodi Civil.

Lëvizja Vetëvendosje për vite me radhë ka provuar të shitet si parti progresiste, por Kodi Civil nxori në sipërfaqe një grup të rëndësishëm homofobësh brenda saj.

“Janë 5 apo 6 deputetë që në një mënyrë lidhen me njëri-tjetrin për shkak të bindjeve të forta religjioze”, tregoi burimi i Express.

Të njëjtit madje kishin kërcënuar me dalje nga Grupi Parlamentar edhe muaj më parë kur morën vesh se Kryeparlamentri Glauk Konjufca kishte marrë Këshilltar Politik Drilon Gashin, një imam i shkarkuar nga BIK’u.

“Albin Kurti kishte konsideruar se nën ombrellën e Vetëvendosjes, të gjitha grupet – edhe ato religjioze, mund të kontrolloheshin lehtësisht. Në fakt, po del e kundërta. Këto grupe e kanë shfrytëzuar Vetëvendosjen për të hyrë në Kuvend, kurse tash mund të dalin me grupin e tyre parlamentar apo edhe t’i bashkohen ndonjë subjekti tjetër politik”.

Një prej deputetëve që përmenden në këtë grup është edhe Labinotë Demi-Murtezi, e cila deri më tash ka garuar në disa lista të ndryshme zgjedhore. Mbetet të shihet nëse do të garojë sërish me Vetëvendosjen pas tri vitesh apo sërish do t’i bie ta ndryshojë grupin.

Dalja e mundshme e këtyre deputetëve, do t’i shkaktonte telashe të mëdha partisë në pushtet. Aktualisht, Vetëvendosje ka 59 deputetë, kurse stabiliteti i shumicës mbështetet tek deputetët e komuniteteve jo-serbe.

Për vite me radhë, shumë kryeministra kosovarë e kanë arritur shumicën parlamentare duke u mbështetur në deputetët e pakicave, edhe në ata të Listës Serbe. Albin Kurti arriti të dalë prej këtij bataku, fal votave të shumta që mori në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Por, gjithçka mund të përmbyset, nëse disa deputetë i ikin nga Grupi Parlamentar./express/

Exit mobile version