fbpx
Lajme

Vuçiq i nxit mediat serbe të shkruajnë për Kadri Veselin, Zotin e Kosovës

Kryetari i Parlamentit të Kosovës dhe lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës Kadri Veseli edhe gjatë ditës së sotme ka qenë në qendër të vëmendjes së medies serbe.

Fillimisht të gjithë mediumet publikuan deklaratën e kryetarit të “Komisionit për Kosovën e Metohinë” në Parlamentin serb Mirosllav Drecun se “informatat për vrasjen e Oliver Ivanoviqit duhet kërkuar te Kadri Veseli”, ndërsa më vonë e botuan edhe një profil të ish-shefit të SHIK-ut, të bërë nga agjencia shtetërore serbe e lajmeve Tanjug.

Shkas për këtë interesim të përnjëhershëm të mediumeve të Beogradit për kryeparlamentarin Veseli ishte deklarata e tij se nëse Serbia provon të kthehet në Kosovë, shqiptarët “nuk do të ndalen deri para Nishit”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas kësaj, Veselin e quajti “Zot i Kosovës”, pas çka u përhapën pohimet se ai, e jo presidenti Hashim Thaçi dhe as kryeministri Ramush Haradinaj, është “numri një i Kosovës”.

“Metaforë politike apo kërcënim, sidoqoftë, e ka shqiptuar njeriu i cili dikur ishte në krye të shërbimit informativ SHIK, i cili u krijua dhe veproi në kuadër të së ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare të Kosovës, krimet e së cilës do t’i hetojë Gjykata”, nis komentin e vet për deklaratën për Nishin agjencia Tanjug, në portretin që e përcjell Radio-Televizioni i Serbisë me titull “Kush është Kadri Veseli, ‘zoti i Kosovës në hije’”.

Siç transmeton Expressi, agjencia shkruan se Veseli, Thaçi dhe Haradinaj po tentojnë të shfuqizojnë Specialen në Parlament, për shkak se, siç thuhet, ata janë të dyshuar për krime të shumta, ndër të cilat edhe për trafikim me organe njerëzore, për çka dy të parët përmenden në raportin e Këshillit të Evropës.

Gjithashtu, thuhet se “Veseli në vitin 2009 në Zvicër ka hapur firmë si shtetas i Serbisë, respektivisht me pasaportë serbe”. Informata në fjalë mbetet në sferën e spekulimeve dhe për të nuk ka të dhëna tjera në tekst.

Spikeri aktual i Kuvendit të Kosovës gjithashtu akuzohet se “si një nga komandantët e grupit ‘Dora e Zezë’, bashkë me Thaçin dhe Xhavit Halitin, ka marrë pjesë në kidnapime dhe vrasje të serbëve, por edhe të shqiptarëve të padëgjueshëm”.

Përveç kësaj, gjithnjë duke iu referuar “raporteve në media” thuhet se ka ndikuar mbi dëshmitarët e mbrojtur të Gjykatës së Hagës, “i ka kërcënuar, i ka frikësuar dhe ka organizuar vrasjen e tyre, ndërsa katër veta, siç thuhet, personalisht i ka likuiduar”.

“Si shef shërbimit parainformativ SHIK në Kosovë, Kadri Veseli është objekt i hetimeve të shumta. Në kuadër t hetimeve që zhvillohen kundër tij, në raportet e Komisionit të BE-së për situatën ekonomike në luftë ai ka qenë i potencuar si ‘arkatari’ kryesor i terroristëve.

Grupi të cilin ai e kontrollonte thuhet se është marrë me tregti me prodhime të ndryshme, prej drogës deri te organet njerëzore, ndërsa kontrollon edhe dy reparte kryesore për përpunimin e afionit në heroinë”, thuhet mes tjerash në portretin që ia bëjnë Kadri Veselit mediat serbe.

Si rezultat i gjithë këtyre, si dhe i aktiviteteve të tjera për të cilat akuzohet, “është krijuar një ‘rrjetë e vërtetë merimange’, e të gjitha ato në fund kanë sjellë deri te Kadri Veseli, i cili, si shef i punëve të inteligjencës, ia ka pasur të gjitha kontaktet e nevojshme për interaksion”, përfundon profilimi i kryetarit të Kuvendit dhe liderit të Partisë Demokratike të Kosovës nga mediat serbe.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close