Epilogu

Haradinaj i tha Kurtit: Nëse vazhdon qishtu, ja q*ve nanën vendit dhe vetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ftoi në takim gjatë mëngjesit të sotëm udhëheqësit e partive opozitare parlamentare. Por kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka lënë takimin në gjysmë dhe ky largim duket se nuk është bërë pa fjalë (Kujdes, teksti mban fjalë që nuk janë për secilën audiencë). 

Haradinaj ishte i vetmi udhëheqës opozitar që e pranoi takimin me Kurtin para rreth tri javëve dhe në të ishte diskutuar propozimi franko-gjerman. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i PDK-së, Memli Krasniqi, e kishin refuzuar. 

“Ia q*ve nanën venit dhe vetit”

Sidoqoftë, në takimin e sotëm ishin të tre liderët në zyren e Kurtit dhe Haradinaj përsëri e ‘veçoi’ veten nga dy të tjerët. 

Haradinaj la në gjysmë takimin duke u larguar demonstrativisht nga takimi.

Ai shkroi më pas në Facebook duke thënë se Kurti “mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizonte kërkesën e tyre.” 

Ishte fjala për kërkesën personale të Sekretarit amerikan Antony Blinken për shtyrjen e afatit të vendimit për targa për 10 muaj. 

Haradinaj derisa po largohej nga takimi, ka mësuar Nacionale me anë burimesh, e kishte sharë kryeministrin Kurti.

“Nëse vazhdon qishtu, ja q*ve nanën venin dhe vetit,” – ishte fjalia që Haradinaj i kishte thënë Kurtit në largim e sipër. 

Konteksti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë dje se “nuk e ka refuzuar planin franko-gjerman”. Ai u shpreh se Serbia përmes veprimeve të fundit në veri të Kosovës po provonte të maskonte refuzimin e saj. 

Megjithatë, Kurti ishte shprehur se “kishte pasur vërejtjet e tij” për propozimin që tha se ka mbështetje edhe nga Brukseli e Washingtoni. 

Në anën tjetër, Ramush Haradinaj ka akuzuar edhe Kurtin se përmes çështjes së targave po provonte të refuzonte planin franko-gjerman, i cili ishte edhe qëllimi i Serbisë. Kurti e mohoi një gjë të tillë.

Në anën tjetër, Departamenti amerikan i Shtetit i kishte reaguar ashpër kryeministrit të vendit duke shprehur “zhgënjim e shqetësim” me mospërfilljen e kërkesës së tyre për çështjen në fjalë.

Çka thanë Memli e Lumiri? 

“Mendoj që sot kemi një situatë që ka mundur të shmanget. Papjekuria dhe mungesa e koordinimit me aleatët duket sa kanë sjellë momentum që mund të shmangej. Ne kemi diskutuar edhe për dialogun, edhe për propozimin franko-gjerman,” – tha mes tjerash pas takimit kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi duke shtuar se nuk ka mësuar diçka të re. 

Dhe, pak a shumë të njëjtat fjalë i tha edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku. 

“Për LDK-në besojmë që koordinimi i ngushtë me DASh-in, me institucionet e sigurisë amerikane, aleatët në Uashington dhe Bruksel, është zgjidhja e vetme adekuate për situatën në të cilën është Kosova. Kosova nuk duhet të bjerë pre e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd,” – u shpreh ai.

Exit mobile version